Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hekuran Halili: Xamarja

| E enjte, 10.04.2014, 07:33 PM |


XAMARJA

Nga Hekuran Halili

…Xamaren e verdhë  dyll, si të larë në flori , babai e mbante përherë me vete në një napë leshi.  Duhej të ishte  shumë e vjetër , duhej të ishte  shumë e dashur për babanë, se e ruante dhe kujdesej për të, si të ishte  gjë e gjallë.

Para se ti binte ,e sillte dhe e sillte disa herë në dorë, e përkëdhelte ,e fërkonte me pëllëmbë deri sa ajo të ngrohej e të merrte temperaturën e tij.

Pastaj, me pështymë  i  lagte vrimat, që ishin dhjetë, një për çdo gisht, e mbështeste pjerrtas në cepin e djathtë të buzës, përhumbte në silloitje, psherëtinte nga shpirti disa herë, e fillonte ti binte.

Ca tinguj magjik dilnin prej saj, sepse ajo xamare në ato momente ishte  vet shpirti i tij ,që qeshte,që qante,që këndonte,që bisedonte me të gjallë e me të vdekur,që lëvdonte, që shante,që pëshpëriste,që bërtiste…

Xamares i binte në shtratin e argilesë në Shëndëlli, por shpesh edhe në shtëpi, kur ishte  me shpirt të mbushur e donte të zbrazej.

Nuja ime  në ato çaste sa s’ fluturonte. Ne, të gjithë  s’flisnim, por dëgjonim të nanurisur xamaren.

Në ato çaste babai  ynë na bëhej here- herë si miku më i madh e më i dashur , here- herë i largët, por madheshtor e i mirë si perëndi.

Dëgjonim në heshtje dhe trembeshim se mos edhe fryma jonë bëhej e forte  e prishte atë qetësi qiellore të zbritur në atë palodhomë tre me tre , por që Nuja e motra e madhe Zika  e mbanin dritë.

Pa u ndjerë, nuja i kish bërë mbi sobën me dru kafenë, i kish mbushur një kupë me raki që e mbante në karsellën e nusërisë apostafat  për këto çaste e ja kish vënë në fronin para këmbëve të tij.

Ishin çaste magjike që mezi i prisnim të vinin, se ishin të rralla.

Atëherë i shijonim , por nuk i spjegonim dot, tani  që se kam as babanë e as nunë time, vdes ti shijoj edhe njëherë, se ua di kuptimin…

Babai e nuja ime ishin dy artist të mëdhenj…

Xamarja, here- herë rënkonte, herë- herë gjëmonte ,herë- herë dashuronte, herë- herë akuzonte…

Me rrufa të mëdha e të forta, ai  rrufte kafenë e rakinë, treste shikimin nga mali i Nartës, që ndanet Konispolin me Lopsin e tij  e  kur hidhte vështrimin andej, ne e kuptonim se ishte melodia e fundit që do t’a mbyllte atë ceremoni të pashoqe.

Nuja, që ndërkohë ishte ulur në mes tonë e na kish futur të gjithëve nën krah si klloçka zogjtë  në ovorua  kur binte shi, na paralajmeronte.

Kjo e fundit është melodia që bababi juaj,(asnjëherë nuk i fliste në emër), qau Isufin, vëllain e tij të madh, ditën kur zervistat e coptuan dhe e varën tek Ara e Gorricave, në mal të Nartës.

Tani konispolatët i thonë ara e Isufit. Edhe xamarja e tij  është. Më  përpara i kish rënë  Sadiku, bababi i babait tuaj…

Qante babai për vëllanë me atë xamare ,e kur mbaronte ai,  ne e kishim fytyrën të mbuluar me lotë, të cilët rridhnin  nëpër faqe të ngrohtë  nga  sytë , zbrisnin  e takoheshin në mjekër, e andej shkëputeshin e binin  në pëllëmbët tona…

  atëherë e kam kuptuar, që njeriu herë pas here, ka nevojë edhe të qajë , sepse shpirti ka nevojë të zbraset, ndryshe pelcet siç pelcet shega e tejpjekur …

H.S.H