| E hene, 07.04.2014, 06:52 PM |
Puntorie
Ziba
Tellallët e zi
(Mendje arratisurve)
Mes
linjesh ankthi shpirti po na
në vendin tonë ngulim këmbë, liri po kërkojmë.
Ndizni sonte kandilet e kuq
dhe dëgjoni gojët zjarr,
sillen e pështillen tellallët derë më derë,
uf, ç’hov kanë marr,
uf, ç’hov kanë marr !...
Mitizojnë veten
përbaltin njerëzinë
çengelat e mendjes, s’i vënë në kandar.
Ky udhëtim egzotik një ditë do mbaroj
me këngët tallava në gojë,
tellallët vetes do t’i bëjnë varr.
Këtu asgjë nuk ndryshon asnjëherë,
po ju bëj za
po ju betohem.
Edhe kur flakën ua vënë pishave të varrezave
edhe kur liria njerëzore merr arratinë,
ata lahen-lyhen e gëzohen...
S’ua vuri kush, frerët në brirë
në pikë të ditës, diellit i bëjnë hije,
natën përqeshin hënën
dhe godasin mëllenjat.
Si do të mbajnë pusullë
frerët pa ua vënë !?
Çirren, na e çajnë kupën e kokës,
e s’bëzajnë për eshtra të brishtë varfanjakësh
që shkrehen në vaj si foshnjarakë,
mes
linjesh ankthi shpirti po ju
aty, ku ngulën këmbë, dem baba dem,
liri nuk gjetën.
Është dikush që shpushpurish historinë
eh,
asaj nga goja gjak po i rrjedh,
se po ç’varrosen e varrosen tej për tej
idhuj dhe mite,
idhuj dhe mite,
të gjallë e të vdekur,
vetëm nëna përlotet.
Kur do shikojnë veten në pasqyrë
këta tellall monstrumë që trembin filizat e ardhme !?
Keni për t’ia dëgjuar zërin kësaj heshtjeje
në një devër tjetër,
se një gjëmë merr hov drejt kupës qiellore...