| E diele, 06.04.2014, 05:33 PM |
Doli nga shtypi libri “ IDENTITETI ETNOLINGUISTIK DHE KULTUROR I SHQIPTARËVE , nga Gjekë Gjonaj
Shkruan: Prof.dr. Simë Gjon Dobreci
Gazetari dhe publicisti Gjekë Gjonaj u prezentohet lexuesve shqiptarë edhe me një vepër të re. Ai botoi , nën firmën e Shtëpisë Botuese “ Gjeregj Fishta” në Lezhë, librin me titull “Identiteti etnolinguistik dhe kulturor i shqiptarëve”, i cili u financua me mjetet financiare të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Përzgjedhja e veprave letrare dhe shkencore të autorëve të njohur shqiptarë të cilat zënë vend në këtë libër janë me rëndësi për kombin tonë.
Autori, me analizat bindëse që u bënë këtyre veprave monumentale për shqiptarët, shpreh pikëpamje, vlerësime dhe qëndrime vetjake me të cilat na njeh me historinë, trashëgiminë kulturore, traditën, etnogjenezën, lashtësinë shqiptare kulturën gjuhësore, kulturën materiale dhe shpirtërore, të cilat do t’i shërbejnë lexuesit në ngritjen e zgjerimit të njohurive të tij për popullin shqiptar dhe nivelit të tij kulturor e intelektual.
Andaj konsideroj se duhet t’i jemi mirënjohës publicistit Gjekë Gjonaj për këtë vepër koncize, të plotë dhe të detajuar, e cila do të plotësojë literaturën e deritashme letrare dhe shkencore për shqiptarët, dhe e cila do t’u shërbejë të gjithë dashamirëve të librit dhe të gjithë institucioneve, duke filluar nga arsimi fillor e deri tek ai unevrsitar .