| E diele, 06.04.2014, 05:51 PM |
Vjollca Pasku
TRI DËSHIRAT E MIA
Në strehën e gjumit trupi kërkon shplodhjen e ditës, ndërsa
shpirti rendjen e lirë nëpër ëndrra. Në darkë më ishte bërë zakon, që
nga dritarja të shikoja yjet dhe hënën. Duke u kotur mes mendimesh të
përgjumura, hëna rrëshqiti si pëllumb drite i bardhë dhe u mbyll në
kapakët e syve të mi. Ndërgjegjja, ajo mbretëri e vogël e pafjetur
asnjëherë, vepron, përgjigjet edhe në botën e gjumit. Gjithmonë më
brente pyetja:
-A janë dëshirat e fshehura thellë në ëndrrat e natës?
U gjenda papriturnë dridhjet e dritës që lëshonte bishti i bardhë gjigant i hënës.
Fluturoja, por kënaqësia dhe ankthi njëkohësisht më përshkojnë. Në majën
më të
lartë në malin
vertikale, brenda një kornize guri, reflektonte dritë floriri një llambë
e cila më përngjante me llambën e Aladinit. E mora e gëzuar në dorë dhe
e lëmova instinktivisht për të pritur të shfaqej ajo krijesë gjigante, e
cila do të plotësonte tri dëshirat e mia. Në antitezë me përfytyrimin
tim, një krijesë e vogël fluturake, por e fuqishme, më foli brenda
qenies time:
-Thuaj dëshirën e parë!
-Të ndjej gjënë më të bukur në botë...- thashë unë.
-Ndje rrahjet e zemrës dhe kupto gjuhën e saj!-më tha.
Ndjeva zemrën time që u hap në gjithë universin. Isha e pranishme
njëkohësisht në çdo yll, në çdo planet, në çdo hapësirë. Më pas gjithçka
zvogëlohej. Vargjet e yjeve hynin në qenien time. Këtë ndjesi e sjell
vetëm dashuria, e cila është kaq e madhe dhe e nxënë në kraharorin e
vogël njerëzor. E ruajtur më së miri në shpirtrat e pastër, njehësori i
ndjenjës nuk kishte përmasa. Tashmë isha një ndjenjë kozmike e një
thesari shpirtëror. Lotët e shenjtë të zemrës dëshmuan mrekullinë e
ndjerë...
-Dëshira e parë e jotja u konsumua, thuaj të dytën dëgjova- zërin e
xhindit..
-Të prek gjënë më të mrekullueshme në këtë botë...
Vizioni i ndjenjës më dërgoi në festën e lindjes së një fëmije. Kur dora
ime preku lëkurën e mëndafshtë të fëmijës së porsalindur, preka gjithë
planetin tokë, të mbështjellë nga drita e agimit, preka lotët e shiut të
parë të pranverës dhe përkëdhela buzëqeshjen e ylbertë në ngjyrën e
virgjër të krijimit. E mblodha me çarçafin e kënaqësisë këtë krijesë, të
mrekulluar nga djepi i tokës, përkundur me palmat e kaltra të qiellit.
-Dëshira e tretë e jotja? - u dëgjua përsëri zëri i xhindit.
- Të shoh vazhdimësinë e brezave të mi-u përgjigja.
Vizioni më dërgoi me shpejtësinë e dritës, në vazhdimësinë e erërave
kohore. Të gjithë brezat e rrjedhur nga rrënjët e mia, jepnin maksimumin
për të dhënë më të mirën e vetes së tyre. Termi “vazhdimësi” do të
thoshte luftë për të dritësuar djerrinat e errësirës tokësore. U ndjeva
krenare dhe e lumtur...
Xhindi më tha:
- Të tre dëshirat e tua u plotësuan, por më e çuditshmja,
është se të gjithë njerëzit më kanë kërkuar, pasuri, mbretëri, pushtet,
lavdi...Ndërsa ti, vetëm të ndjesh, të prekësh, të shohësh,përse?...
-Sepse nuk dua të marrë diell me kredi, ta paguajë zemra bosh pa
dashuri. Nuk dua katet e larta të lavdisë, ti shoh njerëzit të
zvogëluar. Nuk dua të ardhme vazhdimësie, pa kaluar në pikat e nxehta të
vuajtjes në hartën e tokës. Nëse do t’i kisha si me magji të gjitha,
shpirti im do vdiste dhe jeta ime nuk do të vegjetonte...- u gjegja unë.
-Atëherë ti nuk ke nevojë për mua. – tha xhindi i xhindosur dhe zhduk si hija nga drita e bardhë.
U zgjova me këto tinguj fjalësh, duke pyetur vetveten…