| E shtune, 05.04.2014, 04:56 PM |
Vullnet Mato
DUKE FSHIRË LOTËT E
Mbesa vogëlushe,
doli në mesditë,
kur derdhej
lumi diellor te sheshi.
Zërat e kalamajve,
që laheshin në dritë,
nga dritarja,
më pllaquriteshin te veshi.
Pas disa çastesh,
dera e dhomës u rihap,
dhe mbuluar nga lotët
hyri mbesa...
Brofa nga divani
dhe renda me vrap,
tronditur nga kuja e saj
plot dënesa...
Zëri i bukuroshes
dridhej si tel violine,
por melodia e dhimbjes
ishte krejt e thjeshtë.
Përplaste krahët,
si fluturim gjeraqine,
se Beni nuk e qaste
në lojën e vet...
Duke pritur rubinët
që i kërcenin mbi faqe,
do vij t’i lutem unë Benit!
thashë dhe mendova kështu:
Eh, ta dinë benët e kësaj lagjje,
me sa përgjërime do i paguajnë
kur të rritesh këta lotët e tu!...
BETIMI BRENDA VETES
Kur më goditën
për gjoja gabime ideologjike,
u betova brenda vetes
tri herë me radhë,
se s’do të shkruaj më poezi
për sferën publike,
edhe po të më nxihej prapë
floku i bardhë.
Por, ja që edhe vjershërimi
qenka një ves,
si cigarja pa të cilën
duhanxhiu dot nuk rri.
Dhe nisa prapë
çibukun e poezisë ta ndez,
si djaloshi,
që fshehtas të mëdhenjve e pi.
Dhe me poezi u fola sërish
njerëzve të zemrës,
të gjithë të dashurve të mi
dhe tërë miqve.
Fillova t’i këndoj bukurisë
dhe hireve të femrës,
ndonjëherë zura të shaj
dhe veset e të ligjve.
U bëra zë gjithë vajzave
dhe djemve të ri,
të duhen pa hile
e paramendime hipokrite,
të shihen me njëri-tjetrin
sinqerisht symësy
kudo qofshin,
në të gjitha gjerësitë gjeografike.
Kësisoj frymëmarrjen njerëzore
e bëra më të gjerë,
hyra kokë e këmbë
në mes të realitetit të prekshëm,
mora përgjegjësi qytetare,
për të folur me të tjerë,
duke qëndruar këmbëkryq
në thelbin e së vërtetës.
Hyra në mesin e logjikës
së mprehtë të kohë sime,
me dashuri dhe urrejtje
mbushur njëkohësisht,
për të përqafuar njeriun
me ndjenja sublime,
duke pështyrë direkt në surrat
djallin me bisht.
Sakaq brenda meje u kryqëzuan
rrufetë e horizonteve,
ylberet shpalosën ngjyrat
në brigjet e shpirtit tim.
Ndjeva se u bëra më i denjë
të quhem njeri i kësaj bote,
njerëzimit të madh t’i thur
edhe unë ndonjë himn...
RIZGJIMI PRANVEROR
Ngazëllon po të soditësh rizgjimin e natyrës,
në këto çaste mëngjesore kaq solemne,
kur toka e përgjumur fillon lan fytyrën,
në dushin e madh e çudibërës të rrezeve.
Fshesa e rrezeve si amvisë e kujdesshme
nis të fshijë nga dheu hijet përrallore
duke zbuluar pak nga pak konturet e së djeshmes,
si mozaikë të kredhur nën blozën natësore.
Pllajat e pyllëzuara vështrojnë majëmalet,
dhe nisin të stolisen para pasqyrës së qiellit.
Kumbullat sykaltra përshkëndisin petalet,
për të pritur vizitën madhështore të diellit.
Zogjtë e tulatur nëpër degët blerore,
shkundin gjumin nga puplat, me cicërima,
qingjat e fjetur staneve ndër bregore,
përshëndesin agimin me të parat blegërima.
Gonxhet mes gjetheve, rihapin gjinjtë
dhe zënë të shkundin kristalet e vesës,
grunjërat e mëndafshta drejtojnë kallinjtë
dhe luhaten në valëzimin e ndritshëm të dehjes.
Gjithë konturet e së djeshmes dritësore,
tashmë shfaqen madhërisht në ripërtëritje,
me zbardhëllimin e së sotmen pranverore,
mbushur plot e përplot me qumësht drite...