| E premte, 28.03.2014, 07:50 PM |
Në vitin 1887, në Shqipëri kishte
tre mijë shkolla. Prej tyre, 1200 shkolla publike në gjuhën turke; 1200 shkolla
private në gjuhën greke; 300 shkolla në gjuhën bullgare, serbe dhe vllahe.
Shkollë shqipe kishte vetëm një, në Korçë, me drejtor Pandeli Sotirin.
Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në perandorinë “tolerante”, përveç njërës - gjuhës shqipe!
Dhe historia nuk mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, ndërsa shkolla shqipe e Korçës mbyllet.
Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar – thotë gjeniu i kombit, Markezi shqiptar – Ismail Kadare.
Shënim: Veprimtari i shkollës shqipe dhe dëshmori i Rilindjes Kombëtare - Pandeli Sotiri lindi në fshatin Selckë të krahinës së Lunxhërisë (Gjirokastër). Në normalen greke të Qestoratit pati mësues patriotin Koto Hoxhi, i cili u mësonte nxënësve fshehurazi shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Pandeli Sotiri studimet e larta për mjekësi i kreu në Vjenë ku edhe ushtroi fillimisht profesionin e mjekut. Mori pjesë në themelimin e “Shoqërisë së të Shkruarit Shkronja Shqip” (1879-1891) në Stamboll. Për vdekjen e tij ka të dhëna të ndryshme. Sipas disa studiuesve, ai u vra pabesisht në Stamboll në moshën 48 vjeçare nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare. Por, ka që thonë se atë e vranë fanatikët grekë duke e hedhur nga kati i tretë i apartamentit të tij në Selanik. Dy teoritë e sipërthëna për vdekjen e tij e vënë në dyshim teorinë e tretë, sipas së cilës ai bëri vetëvrasje.