Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhelal Marku: Rifat Poga - regjisori i talentuar

| E diele, 23.03.2014, 06:24 PM |


Rifat Poga – profili i regjisorit të talentuar reçjan

(Monografi)

Nga Xhelal Marku

Çifti i artistëve të njohur të skenës dhe të ekranit: Rifat Poga dhe Fitore Mingomataj, sot të dy në pension, emocionohen kur tregojnë për jetën e tyre të mbushur me plot arritje, por dhe me peripeci e shqetësime, që i shoqëruan ata në çdo hap të veprimtarisë së tyre artistike. Është një familje artistësh model jo vetëm në skenë, por dhe në jetë, e cila rriti dhe edukoi me dashuri e përkushtim dy djemë të saj të mrekullueshëm: Marinin e Klajdin. Ndaj për Rifatin dhe Fitoren, skena dhe jeta janë një e të pandara, të lidhura pazgjidhshmërisht dhe që i shërbejnë njëra tjetrës. Skena ju dhuroi atyre breshëritë e pasosura të duartrokitjeve, skena i afirmoi si artistë të suksesshëm, por skena i bëri dhe miq e bashkëshortë të denjë në jetën e tyre familjare. Kështu, ecën bashkë ata, përkrah njëri tjetrit, duke inkurajuar e mbështetur shoku shokun, në çdo progres e në çdo vështirësi, që u solli jeta. Një lidhje kjo, ku Rifati e Fitorja do të gjenin kurdoherë frymëzimin, forcën dhe optimizmin e tyre në punë e në jetë, për të kapërcyer vështirësitë dhe pengesat e krijuara. Ndaj, ata shprehen se: “...Ishin me fat, që jeta i lidhi bashkë, si shokë e si bashkëshortë, por dhe si bashkëpunëtorë të skenës për shumë vite me radhë...”.

Talenti dhe pasioni i Rifatit për skenën

Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, kur Rifat Poga ishte nxënës në shkollën fillore të vendlindjes, në fshatin Gjurrë-Reç të Dibrës, kishte shfaqur dukshëm talentin dhe pasionin e artistit të ardhshëm. Ai dallohej jo vetëm si një nxënës i zellshëm e shembullor në mësime, por edhe si një veprimtar i përkushtuar për skenën e shfaqjeve, që organizonte shpesh shkolla. Ishin hapat e para të formimit të tij si artist, ndaj babai i tij Myftari, me profesion mësues, duke vlerësuar talentin e të birit, vendosi ta dërgonte atë për konkurim në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Falë pasionit dhe talentit të Rifatit për artin, por dhe të përgatitjeve të tij serioze nën drejtimin e pedagogut dibran Ismail Hoxha, i diplomuar për regji në Bashkimin Sovjetik, ai e fitoi konkursin dhe nisi rrugën e kualifikimit e të formimit të tij si artist. Ishte viti 1959, atëherë, kur Rifati la vendlindjen e tij Gjurrë-Reçin dhe ngjiti shkallët e Liceut Artistik për të vazhduar studimet, në degën regji-aktor, të cilat i përfundoi me sukses në vitin 1963. Nisur nga rezultatet e arritura, po në këtë vit, ai konkuroi dhe fitoi të drejtën e studimeve edhe në Akademinë e Arteve, dega aktor. Në këtë kualifikim, Rifat Poga pati edhe ndihmën e pakursyer të ish studentit të atëhershëm për aktor, Mexhit Prençi, që përfaqëson një tjetër figurë të njohur të artit skenik, me prejardhje po nga krahina e Reçit të Dibrës. Dy reçjanë, që i bashkoi pasioni, dashuria dhe përkushtimi për artin e bukur skenik, ku ata investuan për shumë vite me radhë, gjithë talentin dhe mjeshtërinë e tyre, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme në rrugën e zhvillimit të artit shqiptar. Rifati e Mexhiti, tashmë janë dy emra të njohur artistësh, me të cilët mburret jo vetëm vendlindja e tyre: Reçi e Dibra, por i gjithë arti skenik shqiptar, për të cilin kontribuan shumë. Ata, bashkë me baletmaestrin e shquar të krahinës së tyre, të ndjerin Xhemal Laçi, njihen si figurat më të spikatura të artit në vend, ku me punën e tyre  të përkushtuar e krijuese, bënë emër e shkruan histori në zhvillimin e artit skenik shqiptar.

Karriera artistike e Rifat Pogës

Pasi mbaroi studimet e larta në Akademinë e Arteve në vitin 1967, me rezultate shumë të mira, ku dhe u diplomua për aktor, Rifat Poga emrohet drejtor dhe regjisor në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Laçit. Këtu, ai me punën e tij drejtuese si profesionist i artit skenik, shënoi një progres të dukshëm e cilësor në gjallërimin e veprimtarive kulturore e artistike të këtij institucioni. Dhe këto arritje të mrekullueshme, që përkojnë me fillimet e karrierës së tij artistike, ishin një ogur i mirë për regjisorin e talentuar, të riun e at’hershëm Rifat Poga, për të afirmuar aftësitë drejtuese, talentin, pasionin dhe përkushtimin e tij deri në sakrificë për artin skenik. “...Arti dhe skena nuk njohin orar, thotë Rifati, pasi puna për ne mbaronte vetëm atëherë, kur shfaqja ishte gati. Duartrokitjet e publikut ishin shpërblimi më i madh për artistët dhe amatorët e skenës. Ato ishin dhe magjia e skenës, ku mblidheshin me shumë dëshirë gjithë talentet për t’i dhënë jetë, gjallëri e nivel artistik shfaqjes...”. Por, tek përmend faktorët e suksesit gjatë punës së tij drejtuese në Shtëpinë e Kulturës Laç, Rifat Poga vlerëson si çelësin e këtyre sukseseve bashkëpunimin e frutshëm me dramaturgun e shquar të kohës Kolë Jakova, të cilin nuk nguron ta quaj si një shkollë të dytë për artin skenik. Katër vitet e punës me rezultate të shkëlqyera në Shtëpinë e Kulturës Laç, ishin me fat për Rifatin, të cilin në vitin 1972, Ministria e Kulturës do ta përzgjidhte atë si kandidatin potencial për të vazhduar kursin pasuniversitar për regjisurë, me udhëheqës artistik pedagogun e shquar të Akademisë së Arteve Kujtim Spahivogli. Ky kurs, që zgjati një vit, i dha mundësinë Rifat Pogës për të mbrojtur diplomën për regji në Estradën e Shtetit, me udhëheqës artistik: Piro Mani dhe Esat Oktrova, dy regjisorë  të njohur e të famshëm të skenës së Teatrit Shqiptar. Dhe menjëherë, pas këtij diplomimi, në vitin 1973, Rifat Poga emërohet regjisor në Estradën e Shtetit Tiranë. Në këtë institucion të rëndësishëm kulturor të vendit, ai shpalosi vlerat e tij si artist i talentuar i regjisë dhe i skenës, ku fitoi dhe mbështetjen e artdashësve e të shikuesëve të shumtë për veprimtaritë e zhvilluara. Kështu, me punën e tij të përkushtuar e profesionale si regjisor i talentuar, Rifat Poga i dha Estradës së Shtetit vlerat dhe përmasat e munguara si përfaqësuese e një institucioni kulturor qëndror të vendit që ishte, duke organizuar shumë shfaqje dinjitoze e me plot humor të këndshëm, që përcillnin mesazhe të rëndësishme edukimi e argëtimi tek shikuesit. Theksojmë, se ky hop cilësor, që shënoi aso kohe Estrada e Shtetit në gjallërimin e jetës së saj kulturore e artistike, gjeti një pasqyrim të gjërë vlerësues edhe në shtypin e median e kohës, ku përmendim disa shkrime dinjitoze, që kanë për autorësi emra e pena të njohura të letërsisë e të artit shqiptar për periudhën në fjalë, si: Xhevair Spahiu, Diana Çuli, Dalan Shapllo, Fisnik Sina, Josif Papagjoni, etj. të botuara në gazetën prestigjioze “Drita”, si dhe në revistën “Nëntori”. Në drejtimin e Estradës së Shtetit, Rifat Poga qëndroi deri në vitin 1980, pra shtatë vjet gjithsej. Pas kësaj kohe, që përfaqëson dhe vitet e arta të vlerësimeve  për Rifatin, do të nisnin ndaj tij edhe sulmet e qëllimshme e dashakeqe të xhelozëve, servilëve e të spiunëve të politikës përfaqësuese të sistemit të diktaturës, të cilët e larguan atë nga Estrada e Shtetit me motivin e njohur për manifestim të shfaqjeve të huaja. Ishte një sëmundje kjo, që preku shumë nga artistët e shquar të skenës shqiptare të asaj kohe, të cilët me akuzën e sajuar si bartës të shfaqjeve të huaja, u burgosën ose u internuan në zonat më të thella malore të vendit, ku vuajtën dënime të rënda dhe me pasoja për të ardhmen e familjeve të tyre, si dhe për zhvillimin e artit e të letërsisë shqiptare.

Ish regjisori i suksesshëm i Estradës së Shtetit

Artisti i shquar i skenës shqiptare, ish pedagogu i Akademisë së Arteve Rifat Poga, që njihet si ish regjisori më i suksesshëm i Estradës së Shtetit, ndonëse ka katër vjet që ka dalë në pension, fizikisht ai prezanton portretin e një artisti energjik, të palodhur e konkurues, madje dhe me  projekte ambicioze. “...Skena të mban gjallë, thotë ai. Ndaj shkruaj e jetoj me projektet e skenës, sepse ajo më dha emër e më bëri të fortë e të qëndrueshëm përballë vështirësive. Arti dhe skena më lidhën e më bënë miq me artistë të mëdhenj shqiptarë, siç është emri i kollozit të skenës shqiptare, regjisorit Kujtim Spahivogli, si dhe të mjaft bashkëpunëtorëve të tjerë, si: Pëllumb Kulla, Mexhit Prençi, Ismail Hoxha, etj...”. Tek përmend emrin e regjisorit të madh shqiptar Kujtim Spahivogli, që njihet si themeluesi i Akademisë së Arteve në vend, Rifati nuk arrin dot t’u shmanget emocioneve. Janë fjalë që e përlotin artistin reçjan të Dibrës, regjisorin e talentuar Rifat Poga, që ishte dhe mbeti një student dhe bashkëpunëtor korrekt i gjigandit të artit skenik shqiptar, regjisorit të famshëm Spahivogli. Ai kujton me nostalgji kontributin e pazëvëndësueshëm dhe historinë e veprës monumentale të artit skenik, që la pas regjisori i paharruar Kujtim Spahivogli, të cilit rregjimi komunist i shkatërroi familjen dhe talentin e tij të  rrallë si një artist i madh e i jashtëzakonshëm i skenës, që ishte, e masakroi atë me akuza imagjinare, si gjoja bartës të shfaqjeve të huaja, duke ia shkurtuar jetën në moshë ende të re e produktive, kur ishte vetëm 55 vjeç. Kujtojmë, se në të kaluarën e rregjimit komunist, me akuza të tilla mafioze e famëkeqe, u sulmuan dhe u ndëshkuan edhe shumë artistë të tjerë, që u burgosën ose u larguan nga skena. “...Edhe unë, thotë Rifati, ndonëse njihem si regjisori më i suksesshëm i Estradës së Shtetit, pas vlerësimeve që mora për kontributin e dhënë në ngritjen e nivelit dhe gjallërimin e veprimtarive kulturore të këtij institucioni, krejt papritur mora dhe ndëshkimet për shfaqje të huaja, duke më larguar nga puna në kulmin e krijimtarisë time artistike si regjisor dhe më transferuan në fshatin Bërzhitë të Tiranës, me detyrë drejtor i shtëpisë së Kulturës së fshatit...”. Në atë kohë, ky fshat ishte kthyer si një strehëz për shumë nga të ndëshkuarit, që largoheshin nga kryeqyteti. Kështu, pas kryerjes së internimit në fshatin Libofsh të Fierit, edhe regjisorin e famshëm Kujtim Spahivogli, do ta sillnin në Bërzhitë me detyrën regjisor i Shtëpisë së Kulturës të fshatit. Njëri drejtor e tjetri regjisor, Rifati e Kujtimi u bënë përsëri bashkë, por tashmë jo në Tiranë, por në fshatin Bërzhitë. Këtu, ata takoheshin çdo ditë, ku veç punës, bisedonin dhe i qanin hallet njëri tjetrit. Bërzhita i forcoi edhe më shumë lidhjet e bashkëpunimin mes Rifatit e Kujtimit, si dy artistë, që survejoheshin nga spiunët e sistemit të atëhershëm komunist. Ndaj, si dy shokë të mirë që ishin, si dy artistë dhe si dy mjeshtra të mëdhenj të skenës shqiptare, ata kishin dhe të njëjtin hall, ku diskutonin shpesh dhe në fshehtësi të plotë, për mënyrën se si do t’i përballonin sulmet, që drejtoheshin parreshtur ndaj tyre. Në Bërzhitë, Rifat Poga punoi pesë vjet, ku me urtësi e profesionalizëm, i bindi autorët e dënimit për ta rikthyer përsëri në Tiranë. Kështu, në vitin 1985, ai emërohet regjisor i Pallatit të Madh të Kulturës “Ali Kelmendi” në Tiranë, detyrë në të cilën qëndroi deri sa doli në pension në prill të vitit 2010. Gjatë kësaj kohe, Rifat Poga i dha një dimension të ri nivelit artistik të veprimtarive të zhvilluara në Pallatin e Madh të Kulturës, ku krijoi edhe Ansamblin e famshëm me emrin “Shqiponja”. Dhe ishte pikërisht ky ansambël, që afirmoi shpejt vlerat e tij, me shfaqje të bukura e të realizuara mjaft mirë artistikisht, të cilat patën një sukses të jashtëzakonshëm edhe në turnetë e organizuara në disa vende të botës, si në: Libi, Kroaci (dy herë), Turqi, etj. Kështu e mbylli suksesshëm karrierën e tij të gjatë artistike Rifat Poga, duke mbetur në historinë e artit skenik shqiptar si profili i regjisorit më të njohur dhe më të talentuar në vend.

Rifati pensionist

Kur e takon Rifat Pogën sot, mëson se ai, veç pasionit për skenën e artin, të cilit i kushtoi një jetë të tërë, ka edhe një pasion që lidhet me tifozllëkun e futbollit. Madje, ai tregon se i ndjek me shumë emocion ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që i ngjallin mbresa të veçanta me nivelin e tyre të lartë, që shpesh i karakterizon ato. Në ndeshjet ndërkombëtare, Rifati ka si skuadër të zemrës, skuadrën italiane “Inter”. Kjo mbase edhe për faktin, se dy çunat e tij, sot jetojnë bashkë me familjet e tyre në Romë, por mund të jetë edhe ndonjë tifozllëk i vjetër i tij për “Interin”. Sidoqoftë, tek Rifat Poga artist, ekziston edhe një pasion tjetër, që lidhet me sportin më popullor – futbollin, të cilin krahas punës së lodhshme të artit skenik, ai kordoherë do të gjente një kohë për ta ndjekur atë. Madje, ndeshjet e fitoreve të bujshme të kombëtares tonë në vite, me skuadrat greke, ruse, norvegjeze, ish jugosllave, etj, tek Rifati kanë lënë mbresa e emocione të pashlyeshme në kujtesën e tij. “...Ndaj e dua futbollin, thotë ai, se të mbudh me emocione dhe të mban përherë aktiv, ashtu si një libër apo film i bukur, që e ndjek me vëmendje e pasion të veçantë...”. Ky është profili simpatik i regjisorit të talentuar e të suksesshëm reçjan Rifat Poga, me emrin e të cilit edhe vendlindja e tij, Komuna e Reçit të Dibrës, duhet të mburret, por dhe të kujtohet për ta vlerësuar atë, si një nga figurat më të spikatura të saj në fushën e artit e të skenës, me një kontribut të veçantë e shumëvjeçar.

Nostalgjia e Rifatit për prindërit e tij

Tek bisedon me Rifat Pogën, që përfaqëson një nga figurat më të shquara të skenës e të artit shqiptar, të mahnit fakti, që kontributi i tij gati gjysëmshekullor, sot shpërblehet vetëm me një pension të thjeshtë, madje krejt qesharak do të thoshja, prej 12 mijë e 800 lekësh. “...Na ndihmojnë djemtë thotë ai, duke theksuar dashurinë dhe kujdesin e veçantë të Marinit e të Klajdit, emigrantë në Itali, se me këto pensione, që marrim ne, nuk arrijmë të paguajmë as qeratë e dritave e të ujit...”. E rëndësishme është, se këto marrëdhënie të mrekullueshme humane, në Kullën e Myftar Qahilit, përmenden si një nga traditat më të bukura të shprehjes së dashurisë e të respektit të brezave për njëri tjetrin. “...Mua sot më mungojnë prindërit e mi, shprehet Rifati.  Nëna Zahide ka vdekur në vitin 2005, në moshën 77 vjeçare, ndërsa babai Myftari ka vdekur në vitin 2013, në moshën 90 vjeçare. E megjithatë, dashuria për prindërit tek unë, sa vjen e rritet dhe malli për ta nuk mund të shuhet asnjëherë, sepse i kam dashur shumë dhe ata kanë bërë gjithshka për mua e për fëmijtë e tjerë...”. Kujtojmë, se Myftari e Zahidja, ishin çifti më simpatik dhe më i repektuar në gjithë krahinën e Reçit të Dibrës. Ata, me kujdesin dhe sakrificat e tyre, duke përballuar vështirësi të shumta ekonomike, rritën dhe edukuan tetë fëmijë: Sulën, Rifatin, Shyqyrijen, Xhemalin, Nexhmijen, Besnikun, Fatmijen e Gëzimin. “...Vitet kaluan, thotë Rifati dhe ne fëmijtë u rritëm, u martuam dhe krijuam familjet tona. Kështu në shtëpinë e Myftar Pogës, erdhën me radhë njëra pas tjetrës pesë nuse, njëra më e mirë se tjetra, por vendin e Ismetes, nuses së Sulës (vëllait tonë të madh), që shkeli e para në pragun e kësaj shtëpie, nuk e zuri asnjëra prej tyre. Jo pse ishte më e madhja prej nuseve, por se me kulturën dhe fisnikërinë e saj, ajo meritoi respektin e gjithë pjesëtarëve të familjes. Ndaj, edhe prindërit e mi Myftari e Zahidja, Ismeten e deshën si të ishte fëmija i tyre, por dhe ajo nga ana e saj, i respektoi ata njëllojë si prindërit e vet biologjikë. Edhe ne, vëllezër e motra, Ismeten e respektojmë si motrën më të madhe të shtëpisë dhe jo thjeshtë si kunatën tonë...". Familja Poga ishte një familje e madhe dhe me kulturë në Reç, ku babai i Rifatit, Myftari, duke qënë se ishte mësues në profesion, bënte më tepër kujdes për arsimimin e fëmijëve, ndërsa nëna e tij, Zahidja, merakosej më shumë për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Myftar Poga, pasi mbaroi gjimnazin e Shkodrës në vitin 1950, kthehet mësues në vendlindjen e tij në gjurrë-Reç, një profesion që e ushtroi me pasion gjatë gjithë jetës së tij. Ai bashkë me Sadik Laçin, Shaban Uklalën, Mahmut Meçin e Halil Shotin, njihen si mësuesit e parë të Reçit, që punuan me përkushtim për shkollimin dhe arsimimin e bashkëfshatarëve të tyre. Kontributi i tij në zhvillimin e arsimit në krahinën e Reçit, e bëri Myftarin një njeri të njohur e të respektuar nga të gjithë. Ndaj, ai arriti të bëhej mik me Adem Ahmetin, vëllain e Selman Ahmetit, një familje bujare dhe me tradita atdhetare në Reç të Dibrës. Kujtojmë se Adem Ahmeti ka qënë i dënuar me pushkatim nga Lëvizja Komuniste e kohës, për arsye se ai kishte pritur në shtëpinë e tij, Muharrem Bajraktarin. Pas një apelimi, ky dënim u ul në dhjetë vjet burg dhe më vonë u quajt i pafajshëm, pasi në shtëpinë e tij Adem Ahmeti kishte pritur edhe komunistë e partizanë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, si: Rexhep Dodën, Prokop Murrën, Jashar Menzelxhiun, Zoi Themelin, etj. Ndërsa vëllai i madh i Ademit, Selman Ahmeti, njihej si trim e atdhetar i zoti, jo vetëm në krahinën e Reçit, por edhe në krejt Dibrën. Ai ra në luftimet atdhetare kundër forcave serbe në Kosovë në vitet 1941-1942, luftime që komandoheshin nga atdhetari i shquar Muharrem Bajraktari. Nëna e Rifatit Zahidja, si bijë e denjë e kësaj dere, reflektonte kulturë në çdo hap e veprim të saj. Ajo ishte me pak shkollë, por shumë e zgjuar, punëtore e simpatike. Profili i saj përfaqësonte malsoren tipike reçjane, me një bukuri të rrallë trupore, që i pëlqente të vishej bukur me kostumin tradicional të krahinës, i cili i shkonte shumë. Veçanërisht, kur shkonte në dasëm, Zahidja preferonte të vishej me rrobat më të mira të arkës, si: dimi të mëndafshta të ardhura nga Kosova, shami të verdhë e të stolisur me rruaza shumëngjyrëshe, jelek të qëndisur me fije metalike të shëndritshme, si dhe çorape e këpucë tipike të veshjes reçjane, që i shkonin aq shumë trupit të saj shtatlartë. I kishte hije kënga e vallja Zahides, e cila në Reç, njihej e respektohej edhe si vajtimore e shquar e krahinës. Kështu, me portretin e saj të bukur dhe veshjen tipike të malsores reçjane, ajo bënte figurë dhe spikaste me prezencën e saj kudo dhe në çdo mjedis. Po aq simpatik ishte edhe i shoqi i saj – Myftari, një mësues i respektuar në Reç e në Lurë, ku punoi për shumë vite, deri sa doli në pension. Kësisoj, çifti Poga: Myftar e Zahide, ishin dhe mbeten modeli më i mirë i marrëdhënieve bashkëshortore, modeli më i mirë i një familje me kulturë, ku respektoheshin në mënyrë të barabartë të drejtat dhe liritë e secilit prej anëtarëve të saj. Ndaj nostalgjia e Rifatit për prindërit e tij të nderuar, që i mungojnë aq shumë, është e do të mbetet një mall, që nuk shuhet.

Tiranë, më: 15 / 01 / 2014