| E premte, 21.03.2014, 07:40 PM |
RECENSION
‘TRI SHKRONJA’
- vepër me ndjesi të hollë lirike
Nga Fatmir Halimi
Vepra poetike për fëmijë “Tri shkronja” e Milazim Kadriut vjenë si një buqetë lule për fëmijë, si një nektar, ku çdo fëmijë i vogël mund të ndjej aromën dhe ëmbëlsinë e vargut të tij. Milazim Kadriu në letrat shqipe, si emër i pendës njihet që nga fillimet e viteve të 80 – ta, së pari si gazetar e mandej si krijues i vargut, i poezisë për të rritur dhe për fëmijë. Penda e tij me së shumti shkëlqej në vargëzimin e poezisë për fëmijë, varg ky që u përqafua këndëshëm, natyrshëm nga më të vegjlit, të cilët që nga vitet e nentëdhjeta kishin mbetur në stihinë e kohës, ku shkrimtarët tanë u kishin ofruar shumë pak, dhe ata që shkruanin për fëmijë vetëm sa e degradonin vargun dhe e dëmtonin botën e fëmijeve. E them këtë sepse të shkruash për femijë është lloji më i vështirë i poezisë apo edhe i prozës, sepse për të qenë krijues për fëmijë duhet t’i kemi parasysh disa kritere:
së pari të zvogëlohet me botën e tij imagjinare e krijuese dhe të futet në botën e vogël të fëmijëve, së dyti loja është pjesë e botës së fëmijëve, ku edhe vargu nuk bënë pa të, së treti krijimii duhet të jetë i përshtatshëm dhe konform ëndrrave, imagjinatës dhe dëshirave që kanë fëmijëve.Të gjitha këto që i cekëm i gjejmë në vargunn e Milazim Kadriut. Këtij autori letërsia shqipe duhet t’i jetë falenderues për dy arsye: e para Milazim Kadriu e ruajti, e kultivoi rrugën e ndritur të letërsisë shqipe për fëmijë duke filluar nga i madhi poet dhe shkrimtar për fëmijë Vehbi Kikaj, mandej Rifat Kukaj, Agim Deva e të tjerë. Prandaj mund të them se Milazim Kadriu sot bashkë me Xhevat Sylën, Gani Xhafollin e ndonjë tjetër janë duke e mbajtur gjallë letërsinë për fëmijë edhe kështu e varfur, e dyta “Tri shkronja” në këto ditë të lirisë e të përvjetorëve solli freski në letërsi.
Përmbledhja poetike“Tri shkronja” në vete përmban katër cikle: Eja pranverë, Tri shkronja, që është edhe titulli i veprës, Shqiponjat në Albanik dhe cikli i fundit Vijnë lejlekët e dallëndyshet. Edhe pse e ndarë në katër cikle, vepra e ruan kontinuitetin tematik e përmbajtësor. Trajton, shtjellon botën e brendshme të fëmijeve, si ëndërrat e tyre për të tashmen e të ardhmen me një ndjesi të hollë lirike. Shumë natyrshëm futet edhe në gëzimin, lumturinë e në lojën e tyre edhe kur këto na i paraqet përmes personazheve fiksionale Lirimit e Elmedinës, të cilët i gëzohen ardhjes së pranverës, këngës së bilbilit, lulëzimit të natyrës e të tjera. Përgjatë gjithë veprës, vrehet se autori, krijimet e tij i ka shkruar për një periudhë të gjatë kohore, por e ruajnë çdoherë lidhëshmërinë e tyre ideore. Te cikli Eja pranverë, që është një thirrje, një kërkesë e fëmijëve, por edhe e autorit se dimri ishte i gjatë, artikulohet shumë fuqishëm me të njëjtin titull Eja pranverë:
Filloi të bjerë borë e shi
Acari s’ka të sosur
Bardh është pullazi mbi shtëpi
Janë vargje që portretizojnë natyrën, por edhe ndjesinë e mbredshme, për të vazhduar me thirrjen:
Eja pranverë më shpejtë
Shkrije këtë borë të bardhë
Lulëzo fushën e malin
Të kthehen zogjtë shtegtarë.
Në këtë cikël lexuesi i vogël figurativisht do të shëtit nëpër fusha, livadhe, do të shohë lepurin duke ikur, do të shohë diellin kur lindur, ndrrimin e stinëve, kalimin e muajve dhe zogut do t’i ndërtoi folen nën qati. Krejt këtë cikël poezish mund ta shohim si përgatitje të fëmijëve për t’u futur tash në një cikël tjetër “Tri shkronja”, ku edhe fëmiju përveç lojës, argëtimit ka detyrat e tij siç është mësimi, marrja e notave, njohja me realitetin e jetës, dhe me data të ndryshme historike për të ardhë te poezia emblematike e veprës, e cila është e arritur në të gjitha dimenzionet letrare, artistike e estetike “Tri shkronja”. Pra lexuesi i vogël do të mësoi një emër të ri, një emër me të cilin edhe po rritet në liri, UCK:
I mësova tri shkronja të dashura
A-Atdhe
B-Besnikëri
D-Dashuri
Gati i harrova
s’do të mund t’i ruaja
po mos t’i mësoja
tri shkronja të tjera
shkronjat A, B dhe D i shpetuan
U-ushtria
ç-çlirimtare
K-kosova
falë UCK-së kam
atdhe dashuri besnikëri.
Liriku- poeti ynë Milazim Kadriu në mënyrë kontinuale pas këtij emri të madh UCK fëmijët do t’i tërheq në ciklin tjetër të poezive Shqiponjat në Albanik, ku këtu kryesisht i këndon pavarësisë së atdheut, vendit më të shtrenjtë e të më bukur për fëmijët Kosovës. Kjo hetohet edhe nga vetë titujt e poezive si: Pavarësia, Mësimi i historisë, Liria, Kosova e të tjera, ku si ilustrim i arritjes së vetëdijes artistike po paraqesim vargjet:
Që nga Dardania
Asnjëhërë s’deshën tiraninë
Djemtë tanë trima
Kosovës i sollën lirinë
Ose
Lotët rrjedhin ngadalë
Ikin faqeve sis hi
Rrugë të gjatë kemi kaluar
Vepra përmbyllet me ciklin e vjershave Vijnë lejlekët e dallëndyshet, ku autori lexuesin e vogël e kthen përsëri te fillimi që ishte loja, gëzimi, hareja përmes vjershave si, Zogjtë shtegtarë, Kthimi i dallëndysheve, Harabeli e të tjera.
Për veprën “Tri shkronja” të Milazim Kadriut nuk pretendoj se u tha gjithçka me këtë recension, por mund të them se vetëm u hap për interpretime e studime në dimenzione të tjera nga kritikët e studiuesit e letërsisë.