Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Miradije Gashi: Foto nga albumi

| E merkure, 19.03.2014, 07:21 PM |


MIRADIJE  GASHI

 

 

FOTO NGA ALBUMI

 

Marr dy foto nga albumi

Tret' vështrimin n'to dhe hesht',

Njëra e bukur si pranvera,

E zymtë tjetra, si një vjeshtë.

Jam n'dy foto, në dy kohë

Që s'e njohim njëra-tjetrën,

Veten pyes:vallë jam unë kjo...?!

Edhe sytë m'i vesh një mjegull.

Dhe dy pika loti m'këputen

Si dy pika vese shndrijnë,

Dhe e tëra pastaj humbem

N'ato kohëra që më s'vijnë.

 

 

JAM RE ME LOT NGARKUAR

 

Jm aty

Ku isha dje

Si një qiell

Mbuluar me re.

Dhe me shpirtin e trazuar

E me lot si re ngarkuar.

Jam aty

Si dje, dhe sot

Me atë dhembje në kraharor.

Përpëlitem, bie, ngritem...

Por s'dorëzohem dot!

Nga e ardhmja

E mbaj vështrimin

Thellë në zemër

E vë hidhërimin.

Jeta, thonë,

Nuk ka kuptim

Po s'patë dhembje

E s'patë GËZIM!

 

 

MË KTHE NË TËNDEN ZEMËR

 

Ty baba dhe ty nënë

Ju kam si dy dritat e syve

Që s'i mbyll dot me natë

Kur mendoj që ju kam larg.

E një ditë kur unë të kthehem

A do t'ju gjej vallë të gjallë?!

- E pyes veten dhe n'heshtje prehem

Edhe humbëm e s'di ku jam.

Veç një mall më trand, më tund

Aromë e bukës së magjes së drunjtë.

Ah, ky mallmërgimi i shkretë

Ç'më molis e s'më lë të qetë!

Gjuha gati më është tharë

S'kam me kë t'i ndërroj dy fjalë.

Një det mërzie që e kam brenda

Me shkumë flokët m'i bën të bardhë

E ditët m'i bën çdo ditë e më të rënda.

Pastaj një ofshamë e nxjerr dhe pres

Nga brenda çdo ditë ngapak vdes.

Nuk dua të humb, dua të kem emër

Atë emër që ti ma dhe dikur.

Ndaj të lutem babi, të lutem shumë

MË KTHE DHE NJË HERË NË TËNDEN ZEMËR!