| E merkure, 19.03.2014, 07:52 PM |
LETËRSI E IDENTITET
(Intervistë me shkrimtarin dhe studiuesin Kujtim Shala, intervistoi Ndue Ukaj, revista “Drita”, mars 2013)
1. Z. Kujtim Shala, lexuesit tanë ju njohin si shkrimtar dhe studiues të letërsisë. A mund të na thoni, cili është statusi i kulturës shqiptare në planin universal?
Kujtim Shala: Diskursi për kulturat përherë presupozon një histori a traditë, e cila duhet të përshkruhet, për të dhënë përgjigje edhe për statusin e sotëm të tyre.
Kultura shqiptare është sintagmë që kap cepat e ekzistencës së shqiptarëve, me gjuhë, letërsi, traditë dhe moralitet të vendit, histori e bashkëkohësi, prandaj është tepër e vështirë që të përshkruhet përnjëherë.
Kultura është ajo që manifestojmë e që na manifeston ne.
Ju pyesni për statusin e kulturës shqiptare në planin universal sot. Këtu ka një paradoks, meqë përcaktohet si shqiptare, që do të thotë autentike.
Mendoj se ajo duhet të njihet si e tilllë (autenike) edhe përkrah kulturave të tjera. Kulturat takohen jo për t’u nënkuptuar, por për t’u njohur në të gjitha pikat që i afrojnë e që i ndajnë. Kultura shqiptare është universale aq sa arrin të tregojë shenjat tona, aq sa tregohet autentike, sepse kështu bëjnë të gjitha kulturat që janë njohur si universale.
2. Cilat janë sfidat e letërsisë shqipe sot?
Kujtim Shala: Kjo pyetje kërkon një diskurs sociologjik, për të cilin unë kam jo pak dilema. Ky diskurs do të na çonte te leximi si fenomen social e te lexuesit si kategori sociale, çfarë quajmë vlerë e çfarë jo në komunikimet publike dhe të gjëra të tjera të kësaj natyre.
Përballë tyre, do të sugjeroja leximin e letërsisë, për të arritur karakterizime e vlerësime, duke patur parasysh se letërsia thur ontos-in e vet, i cili jeton përkrah të tjerëve dhe që nuk pranon të tretet në të tjerët. Mendos se “sfida” s’është një term letrar e as për letërsinë.
3. Ju keni shkruar një libër për Rugovën. Çfarë përfaqëson Rugova për në fushën e letërsisë?
Kujtim Shala: Ibrahim Rugova u bë i njohur si dijetar, si studiues i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Rugova është një nga figurat më të mëdha të dijes letrare shqiptare, ikona e Qarkut kulturor të Prishtinës, dijetar i frymës evropiane e humanist i madh.
Rugova është teoricien i letërsisë, kritik letrar, zbulues i Bogdanit, studiues i kritikës shqipe, mendimtar me premisa të një filozofi.
Vepra diskursive e tij, tashmë është një trashëgimi e modernitetit ditunor shqiptar.
Për shenja të tjera, apo dhe për këto, të shtruara e të provuara gjerësisht, do duhej të merreshin diskurset për Rugovën, edhe libri që nënvizoni Ju.
4.
Kujtim Shala: Mendoj se Rugova është figura më e madhe e historisë së re politike të Kosovës, është prijësi i shqiptarëve të Kosovës dhe themeluesi i shtetit tonë. Njeriu që na çoi drejt dritës e lirisë, kur, politikisht, na ktheu me fytyrë nga Evropa, vërtet kur i provoi rrënjët e përkatësinë evropiane të shqiptarëve e të Kosovës edhe në diskursin e në veprimin politik. Udhëheqësi që na miqësoi me ata që e dinë ç’është miqësia.
Rugova i bëri bashkë shqiptarët, me durim e besë. Në rrafshin nacional, kjo është kryevepra e tij. Një frymë që na duhet fort sot e nesër.
Më pëlqen që Rugovën ta karakterizoj edhe me shenjat e me gjuhën e një figurë tjetër të madhe, Át Zef Pllumi: “Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë ‘Gandi kosovar’. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin ‘Nobel për paqen’, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet. Mjerisht, Ibrahim Rugova nuk arriti me i pa të realizueme idealet e veta për Kosovën. Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë qi n’at kohë ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnor, tue drejtue me shemullin e vet personal. Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm!”
5. Ka një kohë të gjatë, që debatet për identitetin shqiptar nuk pushojnë. Cili është opinioni juaj, kanë shqiptarët identitet unik? Për më tepër, a mund të flitet për një kulturë homogjene brenda kombit shqiptar?
Kujtim Shala: Debatet e viteve të fundit për identitetin e shqiptarëve shpejt kanë rrëshqitur në keqkuptime e grindje. Prandaj, kjo pyetje, qoftë edhe për këtë shkak, kërkon disa përcaktime.
Në një shikim të shpejtë, do të vëreni se identitetet ndërtohen, pra janë procese, dhe jo një e dhënë natyrore, hyjnore etj.
Ka nyja që e bëjnë identitetin, që lidhen tek e shumta me periudha të caktuara, por është e vështirë të gjejmë njësi identitare ahistorike. Kjo duket edhe në historinë identitare të shqiptarëve, që lidhet me kulturën, letërsinë, me jetën e vendit, madje me historinë politike.
Homogjenitet vështirë se mund të ketë, meqë ka proces e histori. Megjithatë, mendoj se ka disa përcaktime të provuara, si: shqiptarët janë popull evropian, përcaktim brenda të cilit duhet të përvijohet historia kulturore dhe politike e shqiptarëve; shqiptarët kanë një gjuhë, e cila ka varietet e veta; shqiptarët s’e kanë një fe etj.
Në një shikim të shpejtë, do të vëreni se këto përcaktime apo përkatësi, në periudha e procese të ndryshme, s’e kanë patur një funksion. Kështu, feja në ndonjë rast ka përfaqësuar e mbrojtur edhe identitet etnika nacional, por jo në rastin tjetër, meqë fetë dua të jenë universale.
Më e ndërliqshme, për shkak të natyrës homogjene të saj, çështja duket te raportet e letërsisë shqipe me identitetin, te trajtat e manifestimit, te përfaqësimi apo shenjimi i tij nga vetë letërsia.
6. Meqë jemi tek identiteti, vitin që sapo lamë pas, kudo hapësirave shqiptare, u festua 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkaq, në anën tjetër, kemi një përpjekje të vazhdueshme për afrim me Turqinë. Në këtë sens, ekziston një performancë proturke nëpër institucionet tona. Si intelektual dhe aktivist politik, si vlerësoni ju këtë dhe si i shpjegoni marrëdhëniet turko-shqiptare të viteve të fundit?
Kujtim Shala: Besoj që ndarja e djeshme nuk ka të bëjë me raportet e sotshme. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Kjo na çliron nga ideologjia e djeshme, por dhe nga e sotmja, kur flasim për raportet historike.
Mendoj se është e vështirë të flitet me saktësi për “marrëdhënie turko-shqiptare të viteve të fundit”, nëse me këtë nuk e keni fjalën për raporte administratash. Nëse po, atëherë vërehet një intensifikim raportesh në dekadën e fundit.
Turqia është vend me interesime dhe interesa edhe në rajonin tonë. Ne do duhej ta kuptonim këtë dhe vetë të sillemi me saktësi e qartësi, për të ndërtuar raporte bashkëpunimi, ashtu siç do ta determinonin edhe axhendat tona. Kurdo e me këdo që ndërtojmë partneritet, duhet të jemi partnerë e jo objekt raportesh.
Në anën tjetër, dhe për t’Ju dhënë përgjigje direkte, mendoj se ka një tip paqartësie në raportet e Qeverisë së tanishme të Kosovës me atë të Turqisë, që më parë se me politikën, ka të bëjë me interesa të një natyre tjetër. Ndoshta këto janë interesa individësh.
7.
Kujtim Shala: Jo, s’ndryshohet historia. Mund të rrëshqasë shkrimi i historisë dhe të shmangë të vërtetat, por të vërtetat ngelen ato që janë, për ata që i kanë e i dinë.
Kjo që po them ka të bëjë me vizurën. Për të mos e zgjatur, shkruhen histori politike ngado, por s’bën të shkruhen histori të politizuara a të ideologjizuara si te ne dje e sot. Do të propozoja edhe sot parimin e vyer klasik të shkrimit të historisë pa ideologjinë e të sotmes.
8. Kultura dhe letërsia shqipe, krijohet dhe zhvillohet në disa qendra. Sa janë të unifikuar këto qendra dhe a zhvillohen si një njësi kulture?
Kujtim
Shala:
Sa i takon unifikimit, mendoj se më shumë fitojmë nga variantet tona, sesa nga rrafshimet. Duhet të njihemi në varietetet që na bëjnë, duke nisur nga varietetet gjuhësore, kulturore e politike. E rëndësishme është që të takohemi, se vetëm kështu prodhohet njohja.
9. Si e vlerësoni letërsinë e sotme shqipe, si po zhvillohet ajo, cilat janë kahet dhe çfarë janë format më reprezentuese?
Kujtim Shala: Si një letërsi që rikujton traditën e vet dhe që do të tregojë shenja diferencimi. Gjithë kjo në rrafshin e poetikës e të ideve, të sensibiliteteve, madje të raporteve me etikat dhe politikat.
Letërsia
më e re shqipe ka disa autorë të shenjuar, që shkruajnë letërsi dhe bëjnë
kërkime letrare.
10.
Kujtim Shala: Kërkimet letrare shqipe kanë krijuar një traditë të mirë, të shoqëruar me dijetarë e vepra të rëndësishme. Tradita lexohet përherë, sepse letërsia lexohet përherë. Nuk ka lexime finale, më së shumti ka lexime brezash. Pastaj, duhet ta kemi parasysh se ajo që për ne është bashkëkohësi, për ata që vijnë pas nesh bëhet traditë.
Edhe brezi ynë po ndërton leximin e vet të letërsisë shqipe. Deri më tani ky brez ka dhënë një numër veprash të rëndësishme, që shenjonë leximin e sotëm të letërsisë shqipe. Për të shmangur evidencën e emrave, leximin e tillë e lidh me Shkollën e Prishtinës, një shkollë kjo e dijetarëve të rinj shqiptarë.
11.
Kujtim Shala: Letërsia që shkruhet sot, lexohet sot, në leximet e para e autentike. Vlerësimet e para janë më të vështirat dhe vështirë bëhen. Besoj qe e tillë është kritika që lexon letërsinë që shkruhet sot.
Kritika buron nga letërsia, e vënë në raporte ekzistenciale me të. Ngo kjo kuptojmë se letërsia e përcakton në masë vendimtare kritikën, qoftë si kërkim a metodë, qoftë si vlerë.
12. Të kalojmë të një temë tjetër. Si i vlerësoni marrëdhëniet ndërfetare te shqiptarët?
Kujtim Shala: Si raporte të një tolerance të thellë, ndryshe si do të mund të flisnim për një përkatësi drastike në një fe, që toleron përkatësinë tjetër. Por, duhet të kemi parasysh se raportet ndërmjet feve të shqiptarëve nuk kanë se si përshkruhen jashtë kulturës dhe moralitetit të vendit, që janë autentike, apo dhe jashtë historisë politike.
13. Cili është mendimi juaj për të tendencën e krijimit të kombit kosovar?
Kujtim Shala: Kjo pyetje na kthen te çështja e identitetit dhe te historia e identitetit/identiteteve. Çfarë do të thotë komb, çfarë komb kosovar, jemi në fushë të kulturës apo të politikës? Përgjigjet që u japim këtyre pyetjeve, vërtet do të na çojnë të përgjigja që kërkoni Ju.
Do të doja të bëja një evidencë, e cila besoj ndihmon për të dhënë përgjigje. Ne kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës, që, në radhë të parë, është një shtet shqiptar e që ekziston mbi vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës. Ky është një identitet politik, i cili mund të lakohet më tej ose jo.
Tendencë thoni Ju. Kjo s’ka të bëjë me tendencën, por me jetën e gjallë dhe lakesat që merr ajo. Të jetojmë dhe ta marrim përgjigjen, ne apo të tjerët që do të vijnë pas nesh.
Shënim i redaksisë:
Kujtim Shala është shkrimtar dhe studiues i letërsisë dhe i kulturës. Është profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës. Autor i mbi njëzet librave studimorë dhe gjashtë librave poetikë. Një nga dijetarët e rinj shqiptarë, prijatar i brezit të tij.
Shala është studiues i Fishtës, Konicës, Koliqit, Kutelit, Pashkut, Rugovës etj.
Ka fituar disa çmime të rëndësishme nacionale për veprën poetike dhe për studimet e tij.
Kujtim Shala, po ashtu, është anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe drejtues i Këshillit të Ekspertëve të Shkencës të LDK-së.