Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agim Bajrami: Revistë me fytyrën e letërsisë

| E hene, 17.03.2014, 08:29 PM |


NJË REVISTË ME FYTYRËN E LETËRSISË SONË

NGA AGIM BAJRAMI

Për 6 vjet, për një revistë letrare janë edhe pak, por edhe shumë. Janë pak sepse letërsia shqiptare me një traditë të hershme dhe autentike, por edhe me mijëra krijues nga gjithë trevat shqiptare në mungesën totale të një shtypi të specializuar letrar e ka të vështirë të shuajnë urinë e tyre botuese me atë numër faqesh të kufizuara që ka një reviste e vetme si “Obelisku” e cila mbahet vetëm me sakrifica të një botuesi të talentuar si Roland Lushi dhe pa asnjë ndihmë sado simbolike nga shteti apo sponsorë privat. “Obelisku” ka ditur të mbijetojë në një kohë kur shumë organe simotra si ajo, i kanë mbyllur me kohë dyert e tyre. Sa herë që kam trokitur ne dyert e kësaj redaksie dhe kam biseduar me krijues të moshave dhe vlerave të ndryshme, vlerësimet e tyre pozitive nuk kanë munguar asnjëherë. Sepse botuesi Roland Lushi dhe Obelisku asnjëherë nuk kanë reshtur se mbajtur dyert hapur për ta, për të folur me zërat e tyre, duke u bërë kështu një strehë dhe tribunë propaganduese dhe vlerësuese. Në shkrimet e herëpashershme te saj qoftë editoriale, qoftë krijimtari e mirëfilltë letrare nuk kanë munguar edhe vëzhgime të holla dhe prurje estetike, për ta orientuar letërsinë tonë në ato shtigje dhe trendi të cilat i kërkon koha dhe realiteti ynë i përditshëm.

Emra si Moikom Zeqo, Skënder Rusi, Nikolla Spathari, Bahri Myftari, Sulejman Mato, Demir Gjergji, Shpend Topallaj, Agim Pepa, Kolec Traboini, Alma Begaj, Lida Laze, Fatmir Musai, Albert Zholi e tjerë që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin ndihmesën e tyre. Jetojmë në një kohë kur liria e mendimit dhe e shpërfaqjes së koncepteve dhe prirjeve letrare i ka hapur gjithkujt oreksin e të shkruarit. Me qindra e qindra janë ata që mbushin faqe e libra të pafundmë. Në pak fjalë është një përrua i vërtet që tenton të thotë fjalën e tij shpesh herë në ujëra të turbullta, dhe me kërcunj të kalbur. Aftësia e tyre për të depërtuar nëpër organe dhe media e për të propaganduar përçartjet e tyre, ka qenë dhe mbetet e vetmja vlerë e tyre. Në të kundërt revista “Obelisk” është një bllok i tyre. Fjala e botuesit Roland Lushi, ndërmjet editorialeve të shumtë e ka shprehur qartë prirjen dhe konceptin artistik të saj. Vetë prania dhe niveli i lakmueshëm i kësaj reviste janë një tregues i qartë i asaj se ajo në qendër të politikës botuese ka vendosur si gur themeli vlerën artistike, dhe jo politikën e “qokave”.

Më kanë mbetur në mëndje botimet e shumta e ekskluzive për Dritëro Agollin, Ali Podrimjen, Faslli Halitin, Musa Vyshkën, Milianov Kallupin, Pandeli Koçin, Skënder Rusin, Riza Lahin, Vangjush Zikon e tjerë. Shkollat e tyre poetike kanë dhënë një kontribut të veçantë e të patjetërsueshëm në vite e vite edhe në faqet e kësaj reviste letrare. Por revista nuk është mjaftuar vetëm me botimet e saj standarde. Tubimet e herëpashershme me poetë dhe shkrimtarë të ndryshëm, në raste festash, apo përvjetorësh kanë arritur të mbushin disi atë vakum aktivitetesh që duhet të organizonin organizma dhe institucione të specializuara letrare.

Edhe këtë vit revista, duke bërë bilancin e saj të botimeve, ka çuar më tej këtë traditë. U gëzova se në çmimet e fituara për këtë vit ishin renditur emrat e miqve të mi Vladimir Muça, Alma Begaj, Pëllumb Gorica, Drita Lushi, Ilir Paja, Arjan Kallço. Janë këta emra dhe të tjerë si këta që krijimet e tyre po evidentojnë një profil dhe vizion të tyrin si në trajtimin e temave të ditës ashtu edhe në shpërfaqjen e ndjesive të tyre shpirtërore. Inkurajimi i krijimtarisë së tyre është një tjetër vlerë dhe atribut i kësaj reviste në tregun e madh të të botimeve tona letrare. Ja përse shumë krijues provojnë të tjera ndjenja dhe emocione kur e gjejnë veten të pasqyruar në faqet e saj, dhe dita e daljes së Obeliskut në librari e pika shitje gazetash është një ditë e shumëpritur. Revista po hyn në vitin e saj të shtatë. Më e plotë, më kërkuese dhe me një fytyrë më origjinale. Të njëjtë me profilet më të bukura të letërsisë sonë më të mire. Urime!