| E shtune, 15.03.2014, 09:46 PM |
Imamët e xhihadit dhe liria fetare
(që duhet kufizuar)
Nga Alfred Lela
Togfjalëshi liri dhe harmoni fetare i përdorur shpesh, dhe të shumtën e herëve pa u ndalur te shumëkuptimësia e tij, kërkon një shtjellim më vete pas ngjarjeve të fundit ku strukturat e shtetit kanë arrestuar disa imamë dhe ndjekës të tyre. Sipas njërit prej tyre, siç raportonte Top Channel, toleranca fetare është një kurth kundër islamit. Atë që imami ilegal (i papranuar dhe pacertifikuar nga Komuniteti Mysliman shqiptar) nuk e thoshte, por e përcillte me anë të qëndrimit të vet, ‘kurthi’ i lirisë së besimit pra, është ndoshta edhe thelbi i së gjithës.
Imami në fjalë, e me sa duket disa mijëra ndjekës të frymës së tij, po të gjykosh nga numri prej 2490 vetësh që u bënë pëlqyes të një faqeje në fb që kërkonte lirimin e të arrestuarve, në togfjalëshin liri fetare kanë të shenjtë fenë. Besoj, miliona shqiptarë të tjerë, përfshirë autorin e këtyre radhëve, në këtë kombinacion do të zgjidhnin lirinë.
Pa lirinë bien të gjitha: fjala, feja, lëvizja e ndoshta jeta vetë. Ato pushojnë së qeni njerëzore sepse nuk janë të lira. Nuk mund të zgjidhen, e nëse nuk mund të zgjidhen, ato janë një detyrim.
Detyrimin nuk ua duam, zotërinjve. Aq shumë e kundërshtojmë sa duhet që ata të mësohen apo detyrohen të zgjedhin lirinë. Ata, sigurisht mund të zgjedhin fenë në vend të lirisë dhe të jetojnë në kushtet e vetëkufizimeve, por si murgj, jo si kryqtarë (gjysmëhënëtarë në këtë rast).
Por, a është kthyer liria dhe toleranca fetare, apo më tej harmonia ndërmjet religjioneve, në një kurth? Në fakt, dhe në njëfarë mënyre, po. Pse dhe si? Në fillimi me anë të ceremonializimit të bashkëjetesës fetare ndër shqiptarë; me atë të përsëritjes së palodhur e shterpë që i ka dhënë njëfarë veneracioni të panevojshëm ose dhe të dëmshëm. Politika dhe media kanë barrën e fajit në këtë vetësugjestion të shoqërisë shqiptare. Ne jemi tolerantë fetarë krahasuar me kë? Iranin, Arabinë saudite, Afganistanin?
Ne kemi rënë në kurthin e një miti të ngritur nga udhëtarë të huaj duke filluar që nga fillimshekulli i shkuar dhe pas një ndërprerjeje 50-vjeçare ateiste, ku Zoti dhe feja u përjashtuan, i jemi rikthyer mitit, të ndihmuar nga një lloj propagande perëndimore në kuadër të luftës së qytetërimeve duke i treguar shqiptarët me gisht si shembull të asaj se shoqëritë shumëkonfesionale me shumicë myslimane funksionojnë. Qoftë edhe për të ngulitur tezën se Perëndimi nuk është në luftë me islamin.
Nëpër
mjegullën e kësaj harmonie të supozuar dhe lirie të shpërdoruar, por jo vetëm
të saj; edhe të oportunizmit të shqiptarit; edhe të mjerimit të tij financiar e
pse jo shpirtëror, ka hyrë megjithë gamiljen e madhe, gungaçe e të shëmtuar,
edhe një import i padëshiruar për shumicën e shoqërisë shqiptare: islami
agresiv i botës arabe. Përkthime të këtij lloj islami, një alien i
paidentifikueshëm krahasuar me muhamedanizmin tradicional shqiptar, janë edhe
imamët, xhamitë dhe besimtarët e ndërkryer të periferive të Tiranës,
Pogradecit, Elbasanit e Librazhdit të cilët rekrutonin shqiptarët si nizamë për
përtej urës së Qabesë.
Shteti ka për detyrë të mbrojë Komunitetin Mysliman dhe myslimanizmin shqiptar nga sekte të importuara, të frymëzuara dhe të financuara nga burime okulte të botës arabe. Liria dhe toleranca fetare duhen kufizuar aty ku feja përpiqet të kufizojë lirinë e të tjerëve.
Mund të
kemi parapëlqimet tona mes kishës, xhamisë, sinagogës apo tempullit. Por, liria
vjen para të gjithave.