| E premte, 14.03.2014, 08:31 PM |
IRENA GJONI NË NJË INTERVISTË PËR TË PËRDITSHMEN KOSOVARE “BOTA SOT”, DHËNË GAZETARES SË RTK 1, VERA PELAJ
1. Përshëndetje zj. Irena! Kënaqësi që t’ju kem të ftuarën time! Do të ishte me interes që përgjatë kësaj interviste të njiheshin lexuesit me disa aspekte të profilit tuaj krijues. Thonë se emri që mban njeriu lidhet deri diku edhe me vetë thelbin e personin. A ju përshtatet edhe ju kjo gjë?
Përshëndetje edhe për ju! Faleminderit për ftesën dhe po kaq kënaqësi është edhe për mua të jem e intervistuara juaj! Emri është përballja e parë e çdo njeriu në çdo situatë përgjatë jetës. Dhe është një simbiozë emër – individualitet, emër me të cilin të thërrasin, por edhe “emër” që tregon sa aftësi ke pasur për të lënë një gjurmë sado të vogël përmes asaj që përfaqëson (njeri – profesionist), përgjatë rrugëtimit tënd në jetë. Në aspektin e parë, emri im më pëlqen shumë. Më ka pagëzuar im at duke më quajtur Irena, duke u nisur nga shumë arsye (si më ka rrëfyer). Një ndër to, sepse kishte ëndrra të mëdhaja për fëmijën e parë (që isha unë) dhe donte një emër që bartte një kuptim të veçantë. Në mitologji njihet si hyjnesha Irenë. Sipas Hesiodit, ajo personifikon paqen dhe ishte bija e Zeusit dhe e Temidës. Ajo paraqitet në trajtën e një gruaje me fizionomi të ëmbël që mbante bririn e bollëkut në njërën dorë dhe një degë ulliri në tjetrën. Sa për konceptin e dytë të “emrit”, koha është gjykuesi më i mirë. Kryesore është që unë gjithmonë të përcjell më të mirën e vetes sime në çdo aspekt.
2. Jeni autore e disa librave të botuar në poezi dhe në prozë. Ju personalisht ku e ndieni veten më mirë gjatë krijimit, në poezi apo në prozë?
Shpesh më bëhet kjo pyetje dhe është normale kur përpara lexuesve janë të prezantuar librat e mi si me poezi, ashtu edhe me prozë. Dhe gjithmonë jam koherente në mendimin tim duke u përpjekur të përcjell disa aspekte. Procesi laboratorik i krijimit është i çuditshëm brenda shpirtit dhe prania e muzave po kaq magjike dhe e pashpjegueshme. Të dyja janë pjesë të fluides, të nënndërgjegjies, të ajrit, të tingullit, të gjuhës. Që nuk dihet dhe ndihet kur vjen, por veç kur është gatitur gjithçka, mund të jetë e perceptueshme. Dhe ky proces lind brenda unit, përcillet përtej tij për te lexuesi e për t’u rikthyer përsëri brenda vetes në një formë riciklike. Pra kur lexuesi merr në dorë krijimin, ajo çka lexon përmes gjuhës nuk është vetëm materializimi i mendimit, por edhe pafundësi e shpirtit njerëzor. Kjo është udha e krijimit, apo e zbulimit të vetvetes, e krijimit e rikrijimit të gjithësisë dhe universeve te ndryshme (njerëzore, ose jo) përmes fjalës. Asnjëherë nuk them tani do shkruaj poezi e pastaj do shkruaj prozë, sepse tani gjendem me komode për të lëvruar këtë apo atë lloj letrar. Perceptimi i realiteteve, (në mënyrë të vullnetshme, apo të pavullnetshe), përvoja e akumuluar, talenti i lindur, forca të pashpjegueshme hyjnore, aftësia e trillit pleksen së bashku duke u përthyer në prizmit artistik për t’u shfaqur përtej tij me pamjen delikate e plot finesë të poezisë, ose pamjen fisnike e sharmante të prozës. Me të dyja ndihem e kompletuar dhe e plotësuar.
3. Gjithashtu jeni doktoruar në Letërsi e keni botuar edhe libra studimorë. Çfarë ka ndikuar që ju keni marrë orientimin drejt Letërsisë dhe nuk keni bërë një zgjedhje tjetër, duke pasur parasysh që jeni brezi që i keni fituar me konkurs të drejtat e studimit?
Brenda vetes ndihem me fat që Letërsia është njëherësh profesion dhe pasion për mua, një kombinim i rrallë që të ofron shumë sadisfaksion. Dhe kjo ndoshta jo rastësisht, por kanë ndikuar shumë edhe rrënjët e mia familjare. Jam e lindur nga dy prindër intelektualë që ma kanë kultivuar që herët dashurinë për librin. Jam mëkuar me librin dhe jam rritur duke qenë e rrethuar prej tyre si në kuptimin fizik dhe simbolik. Kam trashëguar një bibliotekë shumë të madhe e të pasur ku në vite humbisja mes tyre ku dhe dhuratat më të çmuara kanë qenë librat. Një ndikim shumë të madh ka pasur në veçanti im at Minella Gjoni, një studiues i njohur në Shqipëri, që ka lënë gjurmë me botimin e nëntë librave studimorë dhe me shumë të tjerë të pabotuar ende që i ka lënë në dorëshkrim. Ndikimi ka ardhur natyrshëm falë kësaj klime dhe ndoshta falë intuitës së tim ati që ka kuptuar që herët ndonjë prirje timen në këtë fushë. Megjithatë, orientimi është tjetër gjë, ndërsa zgjedhjet kanë qenë të miat. Për të shkruar prozë e poezi të nevojitet më tepër talenti të cilin ose e ke, ose nuk e ke, pra nuk mund të bësh diçka të sforcuar, sado dëshirë të kesh. Ndërsa puna studimore kërkon një impenjim të vazhdueshëm. Dhe për këtë të nevojitet formim i përditshëm dhe investim maksimal intelektual për të qenë i suksesshëm.
4. Sa ndiheni e vlerësuar ju personalisht me poezinë tuaj dhe me letërsinë tonë, kur jeni në prezantime të ndryshme jashtë vendit?
Kam pasur rastin të marr pjesë në shumë manifestime poetike jashtë vendit. Ajo që kam vërejtur është një lloj interesimi i veçantë për letërsinë shqipe. Madje të shohin sa si prezantim i një zëri a uni individual në poezi, aq edhe pjesë të së tërës letërsi shqipe. Nëse më parë në bisedat me miq krijues, ata përmendnin një apo dy emra të vetmit që njihnin përmes leximeve nga autorët shqiptarë, tanimë rendisin me kënaqësi shumë emra të mirë krijuesish shqiptarë që i kanë lexuar në gjuhët e tyre respektive ku janë përkthyer dhe shprehin vlerësime pozitive për krijimtarinë e tyre. Pjesë e këtyre vlerësimeve jam ndjerë edhe me poezinë time e cila në disa prej kompeticioneve është shpërblyer edhe me çmime. Edhe kur nuk kanë qenë me bazë konkurimi, është shprehur interes që poezia ime të mbërrinte te lexuesit e tyre përmes përkthimeve. Dhe për këtë jam ndjerë mirë. Se tek e fundit, ajo që ka më shumë rëndësi, është që poezia dhe letërsia në përgjithësi, të gjejë rrugën për te sa më shumë lexues, pavarësisht kombësive.
5. Për poezinë tuaj është thënë që keni sjellur gjetje origjinale në frymën e poezisë moderne. Është ky rezultat i talentit tuaj apo faktit që frymëzoheni pranë detit?
E theksova edhe pak më lart, që kur lexuesi merr në dorë krijimin, ajo çka lexon përmes gjuhës, nuk është vetëm materializimi i mendimit, por edhe pafundësi e shpirtit njerëzor. Poezia është edhe frymë, edhe ajër, edhe zjarr, edhe ujë, edhe tokë, edhe qiell, edhe e njohur, edhe det, edhe mister, edhe galaktikë, edhe univers, edhe gjithçka. Por me këto elementë “përballen” të gjithë. Megjithatë, jo të gjithë i perceptojnë njëlloj vizualisht, shpirtërisht, emocionalisht. Aftësia e poetit për të parë aty ku nuk shihet, për të ndier aty ku nuk ndihet, për të krijuar asociacione idesh, aromash, ndjesish, aty ku nuk mund ta rrokë dot logjika njerëzore, bëjnë diferencën e sjellin bukur ato që ju i keni evidentuar si gjetje origjinale. Gjithmonë e kam konceptuar poezinë si një gërshetim mes talentit, inteligjencës dhe frymëzimit (muzës). Diçka midis të egrës e të kultivuarës. Pra frymëzimi që evidentoni ju më sipër, nuk mund të ekzistojë i veçuar, madje as në praninë e detit, i cili në vetvete e bart natyrshëm poetiken. Unë detin e shoh si një pjesë të rëndësishme të vendlindjes. Dhe mes poetit e vendlindjes janë mijëra fije të dukshme e të padukshme, të ndërgjegjshme e të pandërgjegjshme, në afërsi apo në distanca mijëra kilometrash dritë, që i mbajnë të lidhura fort e kurrë të pazgjidhshme, pavarësisht kohës që ikën. Thellësitë jonike të detit janë brenda meje me misterin e thellë e të pazbuluar të së ardhmes.
6. Poezia është gjini elitare.
Janë ndoshta pak ata që e lexojnë, por edhe pak ata që e kuptojnë. Ia vlen ta
shkruash poezinë në ditët e sotme?
Gjithmonë e kam konsideruar poezinë si lloj letrar elitar, ashtu si e përmendët dhe ju. Jo kushdo mund ta shijojë. Megjithatë, është ndër llojet letrare më të lashta dhe ka mundur të mbijetojë shekujve, por gjithmonë me kurorën e mbretëreshës. Poezia është frymëmarrja shpirtërore dhe do t’ia vlente të shkruhej, edhe sikur të kishte vetëm një lexues në botë.
7. Nga njohësit e mirëfilltë të poezisë, jeni çmuar për vlerat që i keni sjellë poezisë shqipe. Me këto vlerësime, ndjeni përgjegjësi edhe më të madhe ta ngrini nivelin e poezisë, apo thjesht shkruani për qejfin tuaj?
Ju falenderoj që përmes pyetjes suaj, keni sjellë edhe mendimin vlerësues të kritikës për poezinë time. Kur vlerësohesh prej kritikës ndihesh mirë, por gjithmonë kam vërejtur se ndien një sadisfaksion shumë më të madh, kur pëlqehesh më shumë nga lexuesit. Normal që këto më bëjnë të ndihem më e përgjegjshme në raportet lexues – krijues. Por këtu fillon edhe dyzimi që krijuesi nuk duhet ta shndërrojë në qëllim në vetvete që domosdoshmërisht t’u pëlqejë të tjerëve. Gjithmonë kam menduar që krijimi ndodh përtej krijuesit kur krijohen situatat e mpleksjet që përmenda më lart, si një dorë Zoti që ti nuk ia ndërron dot drejtimin, por mund t’ia zbukurosh, apo t’ia shëmtosh udhën. Dhe motivi im ka qenë: Poezia nuk duhet të ndjejë se si shkëlqen hëna në natën pa re (pra, t’ju pëlqejë të gjithëve), por si dhemb drita e hënës kur reflektohet në një xham të thyer. (t’ju pëlqejë atyre që dinë ta shijojnë poezinë).
8. Në Kosovë jeni shpesh e pranishme si e ftuar në konferencave shkencore dhe në manifestime poetike. Këtu keni marrë disa çmime letrare të rëndësishme. Poezia “Perënditë kanë etje”, ta solli çmimin e parë te “Pena e flakës”, që u mbajt në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2013”, në Gjilan. Po kështu jeni vlerësuar edhe në Vushtri në “Takimin e poeteshave shqiptare” 2012 me poezinë “Atdheu” që më pas ishte edhe pjesë e antologjisë me 100 poezitë për atdheun nga 100 poetët më të mirë shqiptarë në 100 vjet. Si jeni ndier për këto çmime që iu dhanë në Kosovë?
9. Duke pasur parasysh trevat shqiptare dhe organizimet e tilla poetike, çka mendoni për nivelin e organizimit të tyre? A do të duhej që manifestimet poetike të mbaheshin edhe më shpesh në nivel kombëtar, apo mjaftojnë këto që janë?
Në trevat shqiptare organizohen shumë manifestime poetike. Si në çdo fushë tjetër, edhe këtu nivelet e prezantimit janë të ndryshme. Për të qenë e sinqertë, pak janë ato më cilësoret. Masiviteti shpeshherë e dëmton poezinë. Nuk mendoj se duhet të mbahen më shumë, apo më shpesh manifestime të tilla. Kryesore është që të ketë kreativitet në konceptimin e tyre dhe prurje poetike me një nivel të lartë artistik.
10. Zonja Irena, jeni poete dhe studiuese. Duke u marrë me këto sfera, njëra krijim e tjetra studim, në çfarë stadi e shihni ju letërsinë shqipe sot?
Do të
duheshin studime të tëra për të bërë një
analizë të detajuar dhe të argumentuar më së miri të ecurisë së
letërsisë së disa dekadave dhe për të përcaktuar se në çfarë stadi është
letërsia shqipe sot. Pak rreshta të kësaj interviste nuk mjaftojnë. Megjithatë,
në tërësi, në konceptin tim unë e shoh letërsinë si një proces. Në këtë evoluim
rrugës ka dhe skarcitete.
11. Çka tani, pas këtyre suskeseve? Në vazhdim do të kemi nga ju poezi, prozë apo studim, në duart tona?
Gjithmonë kam nëpër duar shumë projekte si në planin artistik dhe studimor. Në prioritetet e mia tashmë është dhe përgatitja për botim e librave, kryesisht studimor që ka lënë në dorëshkrim babai im Minella Gjoni. Është detyrë, obligim, dashuri, amanet për ta bërë këtë dhe gjithë puna kërkimore studimore dhe letrare e një jete, të mos ngelen vetëm pronë e familjes, por të shkojnë te lexuesi i gjerë. Por nuk do të mungojnë edhe surpriza nga krijimtaria ime, me dëshirën për t’u prezantuar sa më dinjitoze. Kryesore për të gjetur rrugën për të shkuar bukur te lexuesi.
12. Diçka për fund të kësaj bisede?
Ju falenderoj shumë për këtë komunikim të këndshëm! Shpresoj që këtë lloj ajri ta ketë ndier edhe lexuesi juaj që e ka përcjellë këtë intervistë! Uroj shumë suksese për ju dhe për ta duke shpresuar që të shihemi shumë shpejt në Kosovë me lajme të mira!
CV e shkurtër
Irena Gjoni ka lindur në Sarandë. Doktore e shkencave në letërsi. Aktualisht është lektore e jashtme në Universitet dhe mësuese në gjimnaz. Është anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë së Sarandës, nënkryetare e shoqatës “Klubi i krijuesve jonianë” dhe redaktore e redaksisë së revistës “Arti jonik”.
Që prej
viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe
shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm në gjuhë shqipe e në gjuhë
të huaj. Është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë
vendit.
LIBRA TË BOTUAR TË IRENA GJONIT
1. Tatuazh në shpirt të detit poezi 2003
2. Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare studimor 2008
3. Gjysma dashurish vëllim me fiksione 2010
4. Maja malesh e magmë jonike poezi 2011
5. Poetry poezi 2013 (Me cikle poezish në shqip, anglisht, frëngjisht, kroatisht, rumanisht, greqisht, turqisht, italisht)