| E premte, 14.03.2014, 08:54 PM |
DASHURIA MAGJIKE E UNIVERSIT
SHQIPTAR
(Sadije Aliti, Dritë dashurie, Amanda Edit, Bukuresht 2014)
NGA BAKI YMERI
Sadije Aliti e kërkon harmoninë e fshehur të universit dhe mirëkuptimin njerëzor në kontekstin e lirikës së sotme shqipe. Vlen të ripërkujtojmë faktin se, jo vetëm në këtë vëllim bilingv, por edhe në përmbledhjet paraprake, defilon një gamë subjektesh atraktive dhe ekzistenciale, që nga dashuria e vjetër, e deri te mahnitja me pjesën më të shtrenjtë, që s’blihet me para. Autorja vjen para opinionit me vëllimin e nëntë, ku ëndërrimet e saj i mahnit melodia e valëve, livadhi i blertë, gurgullima e kroit të moçëm që mbledh ngjyrat e luleve të shpresës për të thurrur me to kurora dashurie. Sadija shndrit në letrat shqipe me një kthjelltësi mendimesh të cilat i rradhit si në një legjendë, me mollat në kopshtin e ndaluar, që nga ato të Adamit e Evës, e deri te ato të Tetovës. E preferon pavdekshmërinë e buzëqeshjes së Monalizës, shushurimën e gjallë, të dallgëve të liqenit, përplasjen e tyre mbi shkëmb, natën e zgjuar në syrin e saj, shtegtimin e modernizmit të përgojuar, dollitë e ngazëllimit e të pendimit të vonuar.
Poetesha
hapëron në horizontin e realitetit poetic si një zanë
Nuk është hera e parë kur themi se fshehtësia e artit të saj, nuk është panjohshmëri, por bukuri. Qenja e saj poetike shndërrohet në një flijim të mundimshëm, porsi te porosia e Boalosë, apo ajo e Azem Shkrelit, të lindësh e të shuhesh për një fjalë! Ja vetëm një nga shembujt e shumtë! “Mos e kafsho mollën në kopshtin e ndaluar/ Monaliza jote pikturohet e pavdekshme/ Në qenien malësore/ Dreqërit e ditës bredhin qytetit/ Gjurmojnë pëshpëritje/ Ndrydhen ndjenjat Urbanizmit të akullnajave/ Mos e kafsho mollën/ Ëmbëlsia e saj të helmon/ Mbaje Monalizën/ të pavdekshme” (Monaliza). Dhe ja shëndeti me këmbë të lënduara, kur përnjëherë, kërcet optimizmi, në këtë tokë arbërore, ku shtigjet bëhen të shndritshme, si ato të Parajsës!
Në kontekstin e evokuar, shpërthen here pas here edhe ironia, me buzëqeshjen e zgjuar nga gjumi, duke u tretur në pafundësinë e brigjeve të bjeshkës, kur loti e përpiu qeshjen e ngrirë, në shkullin e brishtë. Dhe vazhdon kështu, ritmi i njëjtë i melodisë së jetës, ku shtatbilonja duket, herë e poshtëruar, e here mbretëreshë. Ja pra dhe gurët e kohës ilire, luginat e Sharrit me valltarë të rinj, shkuma e detit që shëmbëllen me mundimet e motrave tona. Autorja ironizon bajraktarizmin, duke parashtruar pyetjen: Sa do të ketë jetëgjatësi, në këtë kohë pabesishë? Ikja nga ligësia “Shërron dashuritë e rebeluara/ Ëndrrat e thyera”, kurse “Lugina e të dashuruarve/ Ruan/ Dosjet e paprishura të sekreteve”.
Duke kaluar nga “Dritë dashurie” te “Dasmë zanash”, kuptojmë se poetesha e ka përvetësuar psikologjinë e lumturisë, sensin e atdhedashurisë: Flamuri, besnikëria, kënga e shpresa.Të jetosh, don të thotë të fillosh: me mirësi, butësi e urtësi. Dasmë zanash, me fjalët besnike, dhe baladat e dashurisë. Në vend të përfundimit, vlen të ripotencojmë faktin se poetesha është qenja më e ndijshme, dhe më e shenjtë e një populli. Fati i saj, është fati i kombit.