| E marte, 04.03.2014, 09:10 PM |
Zbulimi i një enigme
Nga Bedri Blloshmi
Ndëshkimi që mori Ali Bardhi mesa duket fati nuk ishte i kënaqur. Fatin nuk ka fuqi askush për ta ndryshuar ashtu siç ndodhi dhe më pas. Për ta ditur të vërtetën apo për ta zbuluar, një ditë u nisa për në morgun e Elbasanit. Kërkova dhe e gjeta personin që mbante çelësat e cadavrave. Ja shpjegova problemin, ai ma preu shkurt “Këtu nuk ka asnjë lloj shënimi në këto vite që kërkoni juve, rregjistrat që janë këtu janë që nga 2005 e këtej. Megjithatë shko tek kjo godina këtu përballë se ke drejtoreshën”. U takuam, biseduam, por nuk mësova asgjë mbi fatin ogurzi të Aliut.
Shpesh
pyes veten: Çfarë donte Ali Bardhi në fshatin Kokrevë të Librazhdit? Me kë
shkoi Aliu atje? Nëse ishte nisur për tu arratisur pse duhej të varej?
Unë Ali
Bardhin e kam pasur shumë shok, kemi qenë gati 5 vjet në një brigadë
skllevërish dhe punonim në zonën më vdekjeprurëse se zonat e tjera, zona e
dytë. Ishte një djalë shumë i mirë, besnik më shumë seç duhej, i sinqertë, gjithmonë i qeshur dhe shumë
shakaxhi. Prandaj dua të di gjithçka, kemi detyrim moral për djem të tillë. Ka
shumë gjasa që të jetë një nga ato lojrat e famshme të sigurimit. Por nga ana
tjetër dhe po të qe kështu shokët e Aliut që e provokuan , e dërguan deri në
një fshat të thellë të Librazhdit, mbasi kanë bërë lojën e sigurimit, duhet të
ishin në burg. Nëpër burgje merrej vesh çdo gjë që ndodhte jashtë apo çdo lojë
që bënte sigurimi famëkeq. Nuk e di se çfarë ka ndodhur. Më mirë se kushdo
tjetër vetëm Aliu dhe sigurimi e dinë se çfarë ka ndodhur, asnjëra palë nuk
flet, duan ta ruajnë këtë të vërtetë të pazbuluar. Megjithatë unë nuk do ndalem
me kërkimet për ta thënë se çfarë ka ndodhur me djaloshin Ali Bardhi. Veç
arkivave të përgjakur të sigurimit do vazhdoj të kërkoj në prokurori dosjen e
Aliut 22 korrik 1983 ditën që u zbulua nga bariu në përroin aty pranë një lisi
shekullor. Do ju bëj thirrje dhe banuesve të fshatit që patjetër duhet ta
mbajnë mend këtë tragjedi, me patjetër u është ngulur në kujtesë dhe s’kanë pse
mos të flasin tani, frika është futur në folenë e vet. Flisni dhe tregoni kush
e di dhe kujton këtë ngjarje.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
“KOLEGJI USHTARAK”
Nr.135 i Regj.Themeltar
Nr.130 i Vendimit
V E N D I M
NË EMËR TË POPULLIT
Këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lartë,i formuar nën kryesinë e :
Aranit Çelës Kryetar i Gjykatës së Lartë
me anëtarë: Ali Zenko Anëtar i Gjykasë së Lartë
Ismet Bare Anëtar i Gjykatës së Lartë
në seancën e hapët gjyqsore me datë 21.IX.1976 mori në shqyrtim çështjen nr.135 që I përket të gjykuarit:
Ali Bardhi,i biri i Osmanit dhe i Behijes,dtl.1955 lindur në katundin Kozic të rrethit Elbasan, me origjinë shoqërore,fshatar i varfër,në gjëndje shoqërore ushtar,pa parti, me arsim 6-vjeçar, i pa martuar ,i padënuar më parë,efektiv i Rep.nr.3700 Tiranë.
I AKUZUAR:
Ai ka agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor ,dmth se ka kryer krimin e parashikuar nga neni 73/1 te K.P .
Me vendimin nr.96 datë 3.IX.1976 gjykata e rrethit të Tiranës e ka deklaruar të gjykuarin fajtor dhe në bazë të nenit 73/1 I K.P e ka dënuar me 5(pesë) vjet heqje lirie ,duke i filluar vuajtja e dënimit nga data 24.V.1976.
Kundër këtij vendimi është ankuar i gjykuari,i cili ka parashikuar këto shkaqe për prishjen e tij:
Është e vërtetë se shprehjet e mija janë armiqësore,por ato janë nxjerrë pa paramendim. Unë nuk kam pasur pakë naqësi ndaj partisë dhe udhëheqësit e saj. Nuk kam pas qëllim armiqësor q ë jam shprehur në atë mënyrë.
PËR KËTO ARSYE
Këshilli gjyqësor i kolegjit ushtarak të Gjykatës së Lrtë në mbështetje të pikës 1 të Nenit 313 të K.Pr.P.
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit Nr.96 datë 3.IX.1976 të Gjykatës së rrethit Tiranë ( kolegji ushtarak )
Tiranë,më
ANËTAR ANËTAR KRYESUESI
(A.Zenko) (I.Bara) (A.Çela)
LIBRAZHDI
Më datën 22.07.1984 , në vendin e quajtur Përroi I Jajkut, afër fshatit Kokrevë në një ah u gjet I varur Ali Osmani Bardhi, vjeç 29 , banues në fshatin Kazie të Peqinit, kooperativiat. Shkaku nuk dihet. Çështja hetohet.
Kryetari
Baudin Kazani