| E diele, 02.03.2014, 07:22 PM |
NEKI LULAJ
LUGINA E KRENARISË
Ato ditë
Isha si në endërr
Zjarr pas zjarri e ëndërr pas ëndrre
Në Muzeun e Arteve Historike
Preka me buzë shpatën e stërgjyshit në Vienë
Në shtëpinë e Lidhjes plaku nga Ulqini po kthen
Në qytetin e konsujve të Alfabetit të Manastirit
Gjuha ime po dritëron si hyjneshë e bekuar
U çmalla gjatë në Rrugën e Kombit kreshnik
Dhe pushova në pragun e folesë së Flamurit
Nga duart e Nënës së Shejtë mora bekimin
Në Velani pranë shallit të shekullit të urtë
Bëra betimin
Erdha me Bogdanin në Luginën e Krenarisë
E bartëm gurin e ndarjes nga rrasa e Kosharës
U ndalëm ne Devë e në Gllogjan
Uruam jetëgjatësi dëshmorve në Likoshan
Konakun e bëmë në Kullën e Jasharajve
Në Oborrin e Krenarisë së Kombit
Mbi secilin mermer shkruante nga një epigram
Lavdi atyre që i dhuruan Atdheut
Pajën e shpirtit - testamentin e Skënderbeut
ME DASHURI
Dikurë u mboll fara hyjnore
Në tokën e babës, gjyshit, babëgjyshit
Dhe stërgjyshit plak
E ujitën farën shpirtërore
Me ujin e bekuar o im at
Nga ai fryt u gatuan
Bogdani e Fishta dhe Kadareja
Agani Tereza e Rugova
E shumë e shumë të tjerë
Ajka e kombit urtak la nderë
Kohërat u strukën nën hijet e fisit
Me sytë e shqiponjës e fjalët si flori
Zërin e patën krismë pushke e buzëqeshjen ylber
Mendjen teh shpatë qëndrimin gacë bungu
Kurrë si plaku koha Rilindësit tanë
Ndale o lumë vrapimin ndale o kohë shtegtimin
Ta shuajnë etjen krojet buzë bregut në stom
Jeta ka baticat si deti uturimat e shungullimat
Jemi shkëmbinj të thepisur atje buzë detit Jon
IMAZHE KUJTIMESH
Imazhe mbi shkronja
Zanoret po m’i mbyllin shtigjet e vetmisë
Mbi shtratin e faqeve të librit
E shpirti shpesh po thehet si xham i zifisë
Historia e pasuroi me brumin e lavdisë
Këto po më sjellin kështu si një trok kali
Sa në Krujë Lezhë Vlorë Prishtinë e Janinë
Herë në Prevezë, Preshevë e Jeni Pazar
Mes valëve të Detit të tërbuar bubullimë
Atje mbi gjysmë shekulli zërat po vijnë
67 vjet notojnë katërmijë lulëkuqe gjaku
Në Tivarn e heshtur pa lapidar në monopati
Nuk u ngopa me librin e Barletit
Kur më përforcoi heroizmi i shkodranëve të mi
Përjetimet prekëse të engjëjve që vdiqën si njerëz
Të atyre që qëndruan si truproje të At Zef Plumit
Më solli në Boston Nasho Jorgaqi i pavdekshëm
Që të çmallem me At Fan Nolin e përjetshëm
Dhe me Vatranët e vyer të Nju Jorkut
Imazhe kujtimesh për miqtë e mi
ADOLESHENCË RINIE
U deshëm atëherë
Sepse ishte koha për dashuri
Duke i dhuruar njëri-tjetrit
Buzëqeshjen e brishtë
E diçka më shumë kur ishim të ri
Dje i besuam vetëvetes
Se jemi të pjekur para kohe
Për shtigjet e mundimshme
Që i sjellë jeta bashkë me marshue
Gabuam sa keq ishim mashtrue
Dje ishim shumë të lumtur
Fluturonim si zogjtë e lirë
Në qiellin pa re
Fantazuam papra
Që çerdhen e ëndërrave
Ta bejmë Kala
E jeta ka fantazmat e veta
Me lugetër e muza dhe zana
Që e ndërtuam në kohë studimesh
Na i rrënoi ndarja si një plak
E ti qanë e qanë moj zanë
Unë qeshë e kënaqem
Se tradhëtia më ke pas thënë
Një herë, herët apo vonë
“Pret gjyqin e Dantes”