| E diele, 02.03.2014, 05:57 PM |
Kthimi te Enveri - Pamundësia për
t’u shkëputur nga e djeshmja?
Nga Ndue Dedaj
Që udhëheqësi komunist gjysmëshekullor nuk është shkëputur prej nesh për asnjë çast në pluralizëm, si të ishte Mesia, kjo nuk është normale.
Nuk është se kjo gjë nuk dihet nga elitat e reja politike, të djathta, apo të majta, të cilat realisht nuk kanë kurrfarë dëshire t’i kthehen e rikthehen Enverit, as si “Faust”, as si “Mefistofel”, por çfarë t’ju bëjnë liderëve të vetëthirrur historikë që nuk bëjnë dot pa këtë kundërvënie formale. Ndërkohë që merita u shkon vetëm atyre që mbushën burgjet politike të regjimit të djeshëm dhe jo atyre që morën flamurin e antikomunizmit pas ‘90-s. Të parët, po! Kundërvënia ideologjike e tyre ishte e vërtetë dhe me një çmim të jashtëzakonshëm politik dhe njerëzor. Kurse qëndrimet e sotme pro dhe kundër udhëheqësit komunist kanë më së shumti vlerë (sh)përdorimi, i shërbejnë përfitimit të pushtetit, pasi për politikanët qëllimi e justifikon mjetin. Në Kuvendin e Shqipërisë ndodhi përplasja e fundit mes liderit shpirtëror të opozitës, zotit Berisha dhe Kryeministrit Rama, me akuza të ndërsjella për raportet e tyre të shkuara me Enverin. Dhe shqiptarët rrinë e dëgjojnë prej njëzet vitesh batuta me hidh e prit me objekt shefin komunist. Mirëpo gjërat nuk janë vetëm këto që duken në afishimin politik propagandistik. Me kohën e “shokut Enver” është e lidhur vepra e shumëkujt dhe nëse bie ajo, bie dhe vepra e tyre, politike, policeske, gjer studimore, sipas kritereve ideologjike etj. Edhe më fort ka gjasë të shqiptohet këtë vit emri i diktatorit, pasi është 70-vjetori i çlirimit të Shqipërisë, siç është publikuar këto ditë një kërkesë nga komunistët e Gjirokastrës për t’i njohur meritat, bile dhe për të kthyer shtatoren e tij të bronztë në sheshin “Skënderbej”. Do të ketë përpjekje për rivlerësim të figurës së tij, mbase dhe nga subjekte politike të besueshme, ani se kjo ngjan e pamundur. Trimërimi i një klani të vjetër për ta nxjerrë portretin e Hoxhës në sfondin e kremtimit të 29 Nëntorit në Tiranë nuk ishte një rastësi, pakujdesi e protokollit shtetëror, apo thjesht nostalgji e disa pleqve.
Problemi
në thelb është filozofik, se ne ende nuk e kemi kuptuar se jemi këtu për të
bërë historinë tonë bashkëkohore dhe jo për të marrë hua për të sotmen arna
politike nga e kaluara. Koha dhe jo bashkëkohësia është ajo që vendos rendin në
punët e historisë. Ne mund të ngremë apo të rrëzojmë buste si të duam, pasi kjo
do të ishte diçka donkishoteske. Thënë shkoqur, na duhet të rrimë larg historisë
së afërme politike, duke u kacafytur për të, pasi jemi të pamundur për t’ia
dalë mbanë. Viti i 100-vjetorit të Pavarësisë ishte rasti kur mund të thuhet se
përgjithësisht u sollëm ashtu si kishte hije me historinë. Në gjykimin e asaj
që është një apo disashekullore mund të jemi të paanshëm, por jo me të djeshmen
e afërme, me të cilën jemi në konflikt interesi, pasi një këmbë e kemi atje dhe
një këmbë këtu. Na duhet të shohim seriozisht në psikologjinë tonë kolektive, e
cila nuk po
Ndoshta tjetër do të ishte pamja shqiptare sot po të kishim bërë lustracionin si vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste, që një pjesë e politikës të dilte në pension. Në psikikën tonë jo vetëm janë ngulitur, por skalitur me daltë bolshevike, klishetë e dalëboje politike, që nuk na lënë të bëjmë përpara, të teprimit me sjelljet tona agresive kundër “armikut” imagjinar politik. Pa u shtyrë më tej në analizën tonë, do të dëshironim që më e pakta sot diçka të kishte ndryshuar: ta linim të djeshmen në dorën e historianëve, shkrimtarëve, kineastëve dhe jo të politikanëve. Një protestë e opozitës ndaj qeverisë nuk është se kishte një pikëtakim me 20 shkurtin, përpos klishesë së vjetëruar për ta përdorur këtë datë për qëllime politike, kur tjetër vëmendje do të kishte pasur ajo ngjarje nëse do të ishte trajtuar në ndonjë film, roman, monografi, apo ekspozitë fotografike. Jo se simbolika e rrëzimit të shtatores së diktatorit nuk ka rëndësinë e saj, por për shqiptarët “busti” i tij kishte rënë më parë, me krijimin e së parës parti opozitare në Shqipëri. Nga ana tjetër, e habitshme është se në media më shumë dalin duke rrëfyer kujtime dhe dëshmi, shpesh “disidente”, ish-kuadro të lartë të regjimit komunist, këtu brenda apo prej vitesh në azil politik në Perëndim, dhe shumë më pak dëshmi kemi nga ish-të dënuarit politikë, që u sakrifikuan për idealet e tyre demokratike. Në disa gazeta dhe ekrane ish-funksionarë të lartë të ushtrisë, policisë të monizmit ligjërojnë pafund, këmbë mbi këmbë, kurse rrallë kemi parë interes të mediave për protagonistë që ishin të mallkuarit e regjimit, banorë të përhershëm të kampeve politike. Për ironi të fatit, në vend të tyre flasin ish-(për)ndjekësit e tyre.
Na duket se Shqipëria shfaqet si komuniste dhe kur ajo mëton të jetë antikomuniste dhe kjo se ku më shumë e ku më pak kemi doza “Enveri” në mendësitë tona. Në psikologjinë tonë social-politike nuk ka ndodhur katarsisi i madh, reflektimi i thellë, pendesa dhe ndjesa, pasi ne jemi një shoqëri që pak ose aspak nxjerrim mësime nga historia. Vetëm brezi i ri nuk e ka këtë defekt “gjenetik” të shekullit XX, ndaj nuk ka arsye që ai të vejë pas ithtarëve nostalgjikë apo urrejtësve. Na duhet më në fund një Shqipëri normale politike dhe ajo nuk mund të krijohet duke u kapur pas xhaketës së Enverit, as për ta mbushur me dekorata e lavdi, as për ta “shqyer” në flamujt e propagandës partiake. Të rinjtë kanë arsye të mos jenë me komplekset e së shkuarës, as emocionalë e as provincialë si etërit e tyre. Është fyerje për këtë vend që të vazhdojë të notojë në ujërat e komunizmit enverist. Vërtet që pati shumë “ara, fabrika, kantiere” të socializmit, siç e thoshte një këngë e kohës, por kishte dhe mjaft “kantiere” mes telash me gjemba si Spaçi e të tjerë, që jo vetëm e bëjnë me njolla të zeza atë kohë, por dhe e rrëzojnë politikisht, si arenë e luftës së klasave dhe e shkatërrimit të dinjitetit të njeriut. Kjo është dhe “shtatorja” e rrëzuar e asaj kohe, jo me 20 shkurt 1991, por qysh nga triumfi i diktaturës së proletariatit me yllin e kuq në ballë, që na la vendin më të varfër, më të izoluar dhe më të prapambetur të Europës, plagë nga të cilat as sot nuk kemi dalë plotësisht. Ndaj nuk është e dinjitetshme të bëjmë lojë me simbolet komuniste, por barrë e historisë që të japë verdiktin e saj, kur të jenë mbushur “nëntë muaj”, apo nëntëdhjetë vite…