Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fatmir Minguli: Më shumë se një antologji analitike

| E premte, 28.02.2014, 07:16 PM |


Më shumë se një antologji analitike

(Refleksione  për librin “Portretizime eseistike” të studjuesit Arsim Halili)

Mos  i ’a  dish rrënjën qysh e ka, kqyrja gjethin ç’farë e ka! (Thënie popullore)

Nga Fatmir Minguli

Sapo u njoha në internet me titullin  e  librit “Portretizime eseistike” të autorit Arsim Halili, botuar në kujdesin e  shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, intuitivisht kuptova se është fjala për një libër serioz mbi letërsinë. Libri i Arsim Halilit është një parakalim modest eseistik  i njëmbëdhjetë figurave të shkrimtarëve, studjuesve dhe intelektualëve shqiptarë nga trojet e Kosovës dhe Maqedonisë. Për hir të analizës sime për këtë libër po përmend emrat e këtyre autorëve, të cilëve Arsimii i ka bërë skanerin e krijimitarisë së tyre. Ata janë: Prof. Dr. Agim Vinca, Prof. Dr. Bajram Kosumi, Ibrahim Kadriu, Mexhid Mehmeti. Prof. Dr. Myrvete Dershaj – Baliu, Ramadan Mehmeti, Sabit Rustemi, Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha, Prof. Dr. Sunaj Raimi.

Struktura e ndërtimit të këtij libri është e veçantë duke e kthyer këtë libër në një antologji tjetërlloj, ndryshe nga disa prej tyre  që vërshojnë librarive të Shqipërisë, Kosovës,Malit të Zi , Maqedonisë e më gjërë. Për çdo autor është ndërtuar një skemë gati e njëjtë por e larmishme, me personalizime të theksuara dhe të ndjeshme deri në detaje. Analizat kritike që paraprijnë këto skema, janë vepër autentike e Arsim Halilit, analiza të cilat janë, pa frikë,   model i të menduarit dhe të shtjelluarit eseistikisht    veprave të autorëve që studjohen në këtë libër. Mendimet e shkrimtarëve dhe personaliteteve të ndryshëm , analizat e biografike të kombinuara me veprat nëpërmjet një sharmi tepër letrar, shpërblimet dhe çertifikimet për secilin autor, botimet e tyre  në atdhe dhe në vende të të tjera, aktivitete jashtë letrare të disa prej tyre e kështu me radhë, të dhënë të tjera me vlera. Që në fillim të librit, vetë autori Halili thotë:

“Guximin e mora të shkruaj, por guximi më i madh është nëse kam thënë atë që është meritore, pa teprime hiperbolike, pa ndonjë paradoks eventual të qëllimshëm.” Pra është thënë qartë, shkurt, kuptueshëm dhe ajo që dallon më shumë në këtë thënie është modestia, ndryshe, sinqeriteti. Kësisoj unë do bëja parabolën, duke e konsideruar vetë Arsim Halilin si autorin e dymbëdhjetë të këtij libri, shifër që të kujton të dymbëdhjetë kalorësit e…

Patjetër që autori ka kaluar ndoshta një siklet në përzgjedhjen e këtyre shkrimtarëve, dhe jo të tjerëve që krijojnë në Kosovë e Maqedoni. Kritika për këtë ka dhe do të ketë. Por ai e ka botuar këtë libër me emrin e tij dhe është thjeshtë vepër e tij dhe as e ndonjë institucioni shtetëror apo  shoqate sociale.. Eshtë rrjedhë e studimeve që ai ka bërë për një kohë të gjatë dhe tani i erdhi koha e t’a hedhë në treg librin e tij. Tregu ka ligjet e tij dhe treguesit  dalin , lindin me kalimin e kohës e do të japë rezultatet.

Antologjitë sot janë me karakter të lire. Janë frut i një pune pasionante e një autori të vetëm, shpesh të pashpërblyer, punë që duhet t’a bëjnë si rregull institute, Akademi, apo grupe autorësh. Por kjo sot është harruar dhe ndodh ajo që një autor bën punën e një Akademie, jo vetëm në rastin e Arsim Halilit, por dhe për shumë studjues të tjerë të letërsisë shqipe. Këtë e bën autori duke studjuar me sqimë të papërsëritshme me shprehjet e veta kur analizon veprat e të njëmbëdhjetëve,shenjë e një kritiku pozitivist. Të kritikosh sot, në letërsi do të thotë të përzgjedhësh. Të kritikosh një libër të një autori do të thotë se ai libër ka vlera dhe ja vlen të merresh me të , të shpalosësh ato pozitivitete që i shërbejnë njerëzve e të lësh mënjanë difektet e vogla që mund të ketë. Një libër që nuk vlen, nuk analizohet fare nga një kritik i zoti në kohët tona. Duhet të kuptojmë se me termin pozitivizëm nuk nënkuptohet lajkatarizmi.

Më vjen mirë të përmend dhe punën e dallueshme që bën poeti dhe përkthyesi i përkorë Baki Ymeri në Bukuresht, që boton herë pas here antologji të motivuara, duke intersektuar autorë shqiptarë  e ata rumunë , gjë që realizon dhe ndërkombëtarizon letërsinë shqipe. Jo më kot, Arsim Halili sjell në këtë libër mendimet e çmuara, krahas personaliteteve shqiptare dhe ato të të huajve si, Stefan Sigg, Jolanda Malamen, Caroline Fetscher, Shaun Byrnes, Ana Husarske, Victor Strerom, Dragosh Ciobanu, Marius Chelaru, Monika Mureshan, Inger Lalandau si dhe agjensinë Reuters.

Dëndësia e informacionit, referencat të tipit shkencor, mendimet e mbledhura me një kujdes të jashtëzakonshëm të çojnë në mendimin e plotë se ky libër është shkruar pa intersea klienteliste. Me shumë të drejtë në fund të këtij libri , i urti Prend Buzhala shkruan për këtë libër: “Ndërkaq, te ky libër autori përpiqet të sjellë risitë e tij të frymës bashkohëse, me gjuhë eseistike e diskurs estetik bashkohës.”

Libri “Portretizime eseistike” është amalgamë e fakteve letrare të të njëmbëdhjetëve shkrimtarë të Kosovës dhe Maqedonisë e përzjerë me thagmën poetike,  duke e çuar librin në një stad krejt të veçantë. Risia e Arsim Halilit  vjen mbas tre librave poetikë, e njërit me intervista e tjetrit me novela. Tendenca e tij për të trajtuar këtë sistem të ri kritike letrare e shkul atë nga trojet poetike, por duke i marrë ato me vete e t’i transplatojë në analiza të hollësishme që lexohen me shumë kënaqësi. Ky fakt më kujton një shënim të shtypit rus të Petërburgut në vitin 1848  për kritikun e madh V.G.Bjelinski: “ Publiku nga ana e tij, i’a lexon kritikat në gazeta apo revista, sikur të ishin vepra të mirfillta  poetike.”

Pa ndrojtje, them se ky libër është i përshtatshëm për tekste alternative në shkollat e mesme e të larta sepse veç vlerave eseistike të letërsisë ngërthen jetën dhe historinë e popullit shqiptar në Kosovë apo Maqedoni. Duke ndërtuar një mikroenciklopedi të lloit Who is who?  do të gjejmë tabllo të peneluara me ngjyra të ndezura dhe që japin profilet e këtyre shkrimtarëve.

Agim Vinca, i cili është midis poetit dhe kritikut , studjuesit të përkorë të problemeve globale të letërsise shqiptare, vjen në këtë libër më se i ekspozuar  ku lexuesi njihet me rrugëtimin e tij sa të gjatë aq dhe të përkorë në krijimtari. Bajram Kosumi , studjuesi i apasionuar i  Fishtës dhe  krijuesi i një letërsie të burgut, si një anatemë e letërsisë të realizmit socialist, udheheqës shtetëror dhe aktivist publik është një shembull i veçantë në jetën e intelektualëve. Ibrahim Kadriu , pedagog, gazetar dhe shkrimtar sjell një stuhi romanesh  me “ letërsi ndryshe si kala e fortifikuar krijuese “ -  siç e përcakton Arsim Halili.

Mexhid Mehmeti , shkrimtari që  me prozat dhe poezinë  kalon përtej kufijve të Kosovës dhe guxon të shkruaj drama të suksesshme, thika me dy presa për shumë shkrimtarë. Bashkë me analizat kritike  ai krijon poliedrin  me emrin “Mexhid Mehmeti” . Studjuesja delikate Myrvete Dreshaj – Baliu , shkrimtare dhe doktore e shkencave filologjike  ka  projektuar dhe ndërtuar kaleidoskopin  me pamjet e femrës model midis familjes, problemeve  të mëdha shoqërore, shkences dhe letërsise.

Nexhat Rexha, është jo vetëm shkrimtar por dhe një rilindës i jetës së sotme të popullit shqiptar midis Prishtinës dhe Shkupit. Shumë antologji të huaja e radhisin ndër faqet e veta. Ramiz Kelmendi ,një bashkëpuntor i  revistave e gazetave të viteve të para 70 – 80, kthehet në “Marathonomak të prozës shqiptare” – përsëri sipas Arsim Halilit, duke trajtuar pothuaj të gjitha llojet e gjinive letrate  duke mos harruar përkthimet e disa korifejve botërorë te letërsisë. Ramadan Mehmeti , të cilit nuk do t’i numurohen vitet e jetës  po do t’i numurohen veprat ku veç romaneve e vëllimeve të tjera nuk do t’i harrohet “Requiem për Mirko Gashin “ ku njihemi me të madhin poet bohem kosovar, simetriku i bohemit tjetër shqipar Frederik Reshpjes.

Sabit Rustemi , poetit që i këndon shpirtit njerëzor, aktivistit të madh dhe organizatorit të paparë gjilanas i cili di të ndërtojë bërthama “institutesh akademike të artit”, vëzhgues i imtësive më të vogla të jetës kosovare, shprehur në të gjithë  librat e tij. Sabile Keçmezi – Basha është  autore e dramës problematike “Hadi”, poezitë e së cilës janë botuar rumanisht në përmbledhjen “Anatomia e dashurisë’ në vitin 2009. Ajo është mjeshtre e perceptimit jo vetëm të problemeve të estetikës por fuqishëm edhe ato të sociologjisë.

Sunaj Raimi, figurë e “çuditshm” krijuesi,  shkrimtar, kantautor, doktor i shkencave sociologjike, ekspert i kulturës antike, njohës i gjuhëve të huaja, hartues i teksteve shkollore. Arsim Halili, duke e bërë këtë libër me analiza të zgjeruara për çdo autor, arrin që të japë edhe çmimet, vlerësimet, që kanë marrë këta autorë gjatë veprimtarisë së tyre. Ai i rendit ato një nga një pa patur shqetësimin se dikush mendon se këto çmime e vlerësime janë dhënë “ashtu e kështu”. Por ai është i bindur se ato janë  fakte sociale, dhënë në aktivitete plot me pjesmarrës duke vendosur kështu fortas kuptimin e shprehjes latine “Libera scripta manet” (ajo që është shkruar mbetet).

Në këtë libër Arsimi ka krijuar mozaikun shumëngjyrësh të shkrimtarëve, poetëve, studjuesve, gazetarëve, vlerat e  veprave te tyre i tejkalojnë “medaljet” e konferencave apo tubimeve ndryshe. Ai ka ditur të bëjë krahasimin me sistemin pindarik dhe ja ka arritur qëllimit.

(Durrës 23. 02. 2014)