Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhavit Gasa: Rrëfim për xhaxhain tim

| E premte, 28.02.2014, 08:52 PM |


RRËFIM PËR XHAXHAIN TIM

Nga Xhavit Gasa

Ishte viti 1978, kohë kur unë po kryeja shërbimin  detyruar ushtarak në fshatin Sopot të krahinës së Zerqanit. Ato ditë kisha një dhimbje të pa ndërprerë të një dhëmballe. I mora leje komandantit të repartit dhe u nisa në këmbë drejt qytezës së vogël të shupenzës ku ndodhej e vetmja qendër dentare në këtë zonë e cila ishte mbi 2 orë larg në këmbë, sigurisht që në atë kohë ishte e vështirë të gjeje ndonjë makinë, dhe rrugëtohej në këmbë. Në klinikën dentare gjeta vetëm dentistin i cili ishte një djalë i ri rreth 25 vjeç. E përshëndeta dhe i tregova arsyen për se kisha ardhur, ai hapi regjistrin dhe më pyeti si quhesha. Sapo i thashë emrin tim, ai e uli stilografin mbi regjistër dhe më pyeti me një buzëqeshje të sinqertë, mos je nga Burgajeti i Matit, çfar e ke Xhep Gasën? Unë u habita menjëherë, dhe ja ktheva shpejt përgjigjen--po, i thashë, nga Burgajeti jam dhe Xhep Gasën e kam xhaxha. Pastaj e pyeta krejt kurreshtje, nga e njeh ti xhaxhain tim, as unë nuk e mbaj mend, sepse kam qenë shumë i vogël kur ai ka vdekur. Është e vërtetë, unë nuk e kam parë as njohur kurrë xhaxhain tuaj, më tha dentisti, dhe pas një pauze të shkurtër ai vazhdoj,--Unë jam nip i Ferat Koçit nga zona e Gollobordës. E ndërpreva në çast, sapo dëgjova këtë emër të njohur për mua,-tani të kuptova drejt, Ferat Koçi ka ndërtuar konakun e Gasajve në Burgajet, dhe im atë e mban në gojë dhe flet me respekt të madh gjithmonë.Unë jam Nazmi Koçi, nipi i Feratit, as unë nuk e mbaj mend gjyshin tim, por babai im më tregon se gjyshi jo vetëm që ka ndërtuar konakun tuaj, por me xhaxhain tuaj është bëra vëlla gjaku byrazer, dhe e ka lënë porosi që kudo të takoni Gasajt i keni vëllezër dhe ti respektoni si të tillë. Nuk e vazhduam më gjatë bisedën sepse erdhën disa klientë për vizitë te denitsti. Unë isha i pari, dhe u ula në karrike për të kontrolluar dhëmbët. Pasi i kontrolloi më dha një recetë për ilaçet e nevojshme, dhe më përcolli deri jashtë në oborrin e qendrës shëndetësore.Të lutem më tha Nazmiu, hajde sa herë të keshë nevojë, jo vetëm kur je i sëmurë, por dhe të bisedojmë si vëllezër...mer leje për disa ditë dhe të shkojmë dhe në Gollobordë.

Po i thashë do të mundohem të vij më shpesh, dhe u ndamë. Unë pa humbur kohë u nisa drejt repartit ushtarak në Sopot, Nazmiu u kthye në klinkë ku e pritnin pacientët për vizitë.Me thënë të drejtën isha i gëzuar për këtë njohje të re, për fjalët e mira që dëgjova për xhaxhain tim, por ndjeja dhe një lloj trishtimi për të ardhmen e kësaj njohje, të kësajë bisede. Sigurishtë që qenja dentist me arsim të lartë e Nazmiut, tregonte se nuk kishte probleme biografie familja Koçi. Kurse ne Gasajt ishim me biografi të keqe.

***

Dhe zanafilla e kësajë ishte xhaxhaj im Rexhep Gasa ose siç e thërisnin shkurt Xhepë.Në kohën e Zogut Gasajt ishin një ndër familjet më të mëdha që jetonin të pa ndarë rreth 40 vetë.Mereshin kryeshit me bujqësi dhe blektori, kishin dhe një dyqan të vogël me artikuj të ndryshëm kryesisht ushqimor.Pas vdekjes së gjyshit tim Bajram Gasa, xhaxhai im Xhepa mori drejtimin e familjes, ndërkohë u zgjodh dhe kryeplak i Burgajetit.Gjatë luftës së dytë botërore Gasajt nuk u rrjeshtuan në asnjë formacion politik. Te konaku i Gasajve vinin dhe nacionalistët dhe partizanët, dera e tyre ishte e hapur për të gjithë ata që luftonin për çlirimin e vendit.Përplasja e parë me luftën për Gasajt ishte në dimrin e 1942-shit. Në orët e vona të natës troket në derë çeta partizane e Dibrës e komanduar nga Haxhi Lleshi, jashtë ishte dëborë e madhe dhe erë e fortë, ata kërkuan ndihmë për strehim dhe kishin mësuar se Xhepa ishte kryeplak, kjo ishte arsyeja që erdhëm i thanë partizanët. Urdhëroni ju tha Xhepa. Me partizanët ishe dhe vetë H Lleshi, do të qëndrojmë 3-4 ditë tha H Lleshi. sa të dëshroni i tha Xhepa, dhe do të qëndroni të gjithë këtu, nuk dua të shpërndaheni në shtëpi të tjera se ju diktojnë italianët, këtu jeni të sigurtë në besën time. Dhe kështu u bë. Në mëngjzin e ditës së dytë, drejt shtëpisë së Gasajve po vinin tre karabinierë, të cilët erdhën të marrestonin Xhepën. Para se ta arrestonin Haxhiu i tha Xhepës se do të largohej me çetën, që të mos bëhej luftë në konakun e tij se digjej konaku e dëmtoheshin njerzit. Jo i tha Xhepa, dikush ka spiunuar se jeni këtu. unë do të pranoj vdekjen dhe nuk hap gojë, as ti mos pyet për njerzit as konakun tim. At-herë po të them një sekret i tha Haxhiu, në rast rreziku, do të kërkoshë nga italianët që shtëpinë tënde ta kontrollojnë karabinierët e pstkomandës së Lisit, ajte kemi njeriun tonë.Xhepën e morën italianët dhe e dërguan në Burrel, atje i thanë që ti ke strehuar çetën e Haxhi Leshit, nëse e ke në shtëpi na trego, ose thuaj drejtimin nga ka shkuar.Xhepa tha që nuk e njoh Haxhi Lleshin as për çetën e tij nuk kam dëgjuar asgjë. Shtërngojani ato pranga urdhëroj karabinierin oficeri italian, se i rrijnë më mirë, dhe ja zgjidhin gjuhën.

Ja shtërnguan prangat, Xhepa nuk foli, vetëm shtërngoj nofullat nga dhimbja.

E shikon cigaren time i tha oficeri, dhe e ndezi me çakmak. Shiko nga dritarja i tha Xhepës, varrin e ke të hapur, kur të mbaroj cigaren nëse nuk na tregon, ty të pret varri.Dhe një paketë të mbarohet, dhe 100 varre të hapësh, unë nuk kam asgjë për të thënë-tha Xhepa...Cigares po i vinte fundi, Xhepa theu heshtjen, ju e keni më të lehtë të njoftoni postkomandën e Lisit, të shkojnë të kontrollojnë shtëpinë, mua këtu më keni, tha Xhepa. Duke parë se Xhepa nuk do të fliste oficeri mori ne telefon postkomandantin e Lisit, dhe urdhëroi të kotrollonin shtëpinë e Xhep Gasës në Burgajet.Vetë komandanti i cili ishte njeri i H Lleshit, shkoj dhe kontrolloj shtëpinë e Xhepës.Përmbysën çdo gjë në shtëpi, Komandanti qëndronte pa lëvizur te një derë e vogël në fund të shkallëve, kjo derë të çonte në podrumin e shtëpisë ku ishin partizanët, dhe nuk binte fort në sy.Pasi karabinierët rapotuan se nuk ka njeri, komandanti i urdhëroi të niseshin drejt Lisit.Kur mori njoftimin oficeri italian në Burrel i tha Xhepës, shpëtove kësaj radhe, erdhe i xhveshur lakuriq, po shkon i veshur, se informatën e kishim të sigurtë që H Lleshi ka qenë në shtëpinë tuaj.Xhepën e liruan dhe shkoj në Burgajet. Atë natë Xhepa e shoqëroj çetën deri në fshatin Kurdari në një bazë tjetër.

Te konaku i Gasajve kanë bërë mbledhje dhe nacionalistët e Matit, me Bilal Kolën e Sali Llanin. Gasajt ishin shtëpi mikpritëse dhe bukdhënë. Pas luftës për arsye ekonomike dhe Gasajt u ndanë në disa familje.Në pushtein e ri të komunistëve Xhepa u zgjodh nënkryetar këshilli i frontit. Në vitin 1952 u arrestua dhe u dërgua në Peshkopi, me akuzën e bashkpunimit me bandat që vepronin në male për rrëzimin e pushtetit popullor. Disa muaj para arrestimit Xhepa dhe vëllai i tij im atë Elmaz Gasa u provokuan nga një agjent sigurimi, duke ju kërkuar ndihmë në lek dhe ushqime në emër të komandës së bandave. Dhe Xhepa dhe Elmazi i dhanë të njejtën përgjigje, nuk mundemi, se nuk kemi lekë as bukë për fëmijët tanë...

Pasi e torturuan disa muaj, duke e lënë gjysëm të xhveshur në ujë të ftohtë dhe pa ushqim Xhepën e liruan dhe e shpallën kulak. Të njejtën gjë bënë dhe me babën tim Elmaz Gasën. Pastaj filloi kalvari i gjatë dhe i vështirë për këta dy familje. Pse nuk shkuat te Haxhi Lleshi pyesnim shpesh babën tonë Elmazin, nuk pranonte Xhepa, nuk kërkohet buka e dhënë thoshte ai. Pas rreth 7 vjetësh që ishin shpall kulak, në Lis vjen Haxhi Lleshi, ishte Kryetar i Presidiumit të Kuvendit popullor. Atë ditë Xhep Gasa tashmë i plakur para kohe dhe i thyer nga hallet, ndodhej në Lis, dhe po qëndronte i vetëm në një cep rruge. Haxhi Lleshi e pa, e njohu dhe ju drejtua duke i thirr, si je Xhep Gasa dhi zgjati dorën Mos ma prek dorën i tha Xhepa, jam i sëmurë me sëmundje gjitëse dhe kam frikë se të infektoj.  Jo i tha Haxhiu se nuk më gjen gjë mua. Xhepa i zgjati kutinë e duhanit, ndize pra një cigare. A ke duhan të fortë siç e ke pas, apo e ke ndryshuar, pyeti Haxhiu. Unë  një lloj duhani mbjell gjithmonë, veç ne pastë ndryshuar toka- ju përgjigj Xhepa.Haxhiu e kuptoj që diçka kishte ndodhur me Xhepën, e përshëndeti dhe u largua. Kur u nis për Tiranë pyeti një ndër shoqëruesit e tij që ishte nga Mati, çfar i ka ndodhur Xhep Gasës, e kanë bërë kulak tha shoqëruesi.

Pas disa muajsh Haxhi Lleshi dërgon një letër frontit të rrehtit Mat dhe ju sugjeron që të rehabilitohet Xhep Gasa. Kjo u bë realitet pas disa muajsh me vonesë. Pas pak vitesh Xhepa vdiq para kohe.Nuk e mposhti mosha, e mposhtën vujatjet.Ai provoj prangat e fashizmit dhe të komunizmit.  Kalvari i luftës së kalasave vazhdoi, emri kulak na qëndroj peshë e rëndë mbi shpatulla, mur ndarës nga dëshira për tu shkolluar, dhe realizuar ëndrat për die e përparim, deri kur u shemb diktatura. Haxhi Lleshi vinte shpesh në Burgajet, në kodrën e sarajeve të Zogut, por derën e Gasajve nuk e shkeli kurrë, megjithëse se në atë derë kishte shkelur në kohë të vështira.Kur erdhi koha e pushtetit të tij, e harroi atë kohë të vështirë.

***

Po rikthehem te viti 1978, aty ku e nisa këtë rrëfim. Unë shkova dhe disa herë të tjera, e takova nipin e Ferat Koçit, gjithmonë ftesave të tij të sinqerta ju shmanga me mirësi, duke ja mbajtur të fshehtë sëmundjen ngjitëse që kisha, nga lufta e egër e klasave.Pas disa mujash u lirova nga ushtria dhe nuk e takova kurrë nipin e Ferat Koçit, njeriut që kishte ndërtuar konakun e Gasajve, dhe ishte bërë vëlla gjaku me Gasajt...