Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zog Hysenaj: Rriten çikat… rriten pishat

| E enjte, 27.02.2014, 07:59 PM |


RRITEN ÇIKAT… RRITEN PISHAT

-Cikel poetik-lirik, ekskluziv per në ZSh-

Nga Zog Hysenaj

 

Lërma pak dhe mua

 

Pisha, një dru halor për dekorin lindur,

Ku vashat nën hije ulen dhe pushojnë,

Përqafueshëm duartë rreth saj lidhur,

Shtrihen në hije , lozin dhe pozojnë.

 

Sesi duket vajza sykaltër, syshkruar,

Ngjitur njësh me trupin e asaj pishe,

Sisë sikur i jep asaj, zana orëbekuar,

Dritë përmbi drita, nën fllad ahishte.

 

Duke pirë qumësht gjiri, pisha degët rritë,

Trup prej qumësht sise, jo si tjerat pemë,

Të pijnë zogjtë e malit që këndojnë për ditë,

Të pijnë milingonat nën tokë e në rrënjë.

 

Tek trungu i saj, ajo rrin mbështetë,

E kishte pushtuar me të dy duartë atë ditë,

Nga trupi i saj, trungut i jep jetë,

Nga gjiri i saj, vetë jetës i jep sisë.

 

Mos e thith të tërin, o pisha e shkambit,

Të marr dhe unë, pak jetë prej saj,

Të rritem si kreshnik prej zanës së malit,

Unë për ditë të rritem, pisha le të qaj.

 

O njeri i mirë! lërma pak edhe mua,

Si njeri i kësaj toke, të thithë edhe unë,

Jetë të marr dhe unë, nga sisëbardhat tua,

Të jetoj pranë trungut, ashtu si një trung.

 

Pranë trungut le të jem, edhe unë aty,

Ta përqafojmë bashkë të dy atë pemë,

Zogjtë le të ulen dhe të kendojnë mbi ty

Pemë përmbi pemët, rrit’ prej gjirit tënd.

---------------

 

Rriten çikat…rriten pishat

 

Qyqja-qyqe vetëm

 

Qyqja, kurrë nuk u bë nanë,

Se ajo i bën vezët në folenë e të tjerëve,

I bënte vezët e dilte matanë,

Përjetë ka mbetur “ku-ku"-ja e të mjerëve.

 

Nënë, kurrë s’u bë, se ishte qyqe-vetëm,

E shkretë, që s’ka kënd, as atje as këtu,

Kurrë s’i kërkoi vezët aty ku i çelën,

Zogjtë kurrë si gjeti, përherë bën “kuku”.

 

Kanë pyetur shumë, gjë për të nuk dinë,

Kur çelën vezët, prapë qyqe u bënë,

Qyqja n’rrem të thatë mik zgjodhi vetminë,

As bijat e veta nuk i thërrasin nënë.

 

Thonë, qëmoti e patën provuar,

T’i thërrasin qyqes, ulur përmbi hu,

Pse rri moj motër kaq e vetmuar?

As kokën s’e ktheu, ia bëri: KU-KU.

 

Për këtë pishë, mos më pyet

 

Pse është rritur aq shumë ajo pishë?

Më tha një mik, ulur në hije të saj,

Veç duke i dhënë, i thash, çikat sisë,

Duke bërë dashuri, përzier me vaj.

 

Me të dyja duartë atë e përqafojnë,

Dhe e shtrëngojnë me sa fuqi që kanë,

Gjoksin ia ngulin, lëkurën ia shpojnë,

Gjirin ngjitur lëkurës, sisë ato i dhanë.

 

Prandaj është rritur dhe ka shpuar qiellin,

Ndryshe nga pemët e tjera të pyllit,

Nuk ta lejon syrin që të shohë as Diellin,

Çika n’stup të pishës, shtrydh thithëset gjirit.

 

Për këtë pishë, mos më pyet tjetër herë,

Hidhja sytë Shkugzës, pishave pafund,

Si me orar darkave, muzgu sa të bjerë,

Sesi pozojnë gocat lidhur n’atë trung.

 

Përdredhur rreth saj atë e shtrëngon,

Gjoksin e saj ngjitur në trungun e pemës,

Lëkurës së pishës sisën ia afron,

Me sy e pash qumshtin deri n’majë të degës.

 

E qiellin e shpoi, ajo pishë e Shkugzës

Të duket sikur hije po i bën Gjakovës,

Degët e saj të gjata, por si floktë e çupës,

Thonë se pin përnatë në gjirin e Edonës.

 

- …aaah moj Zanë, t’laça bekue/, një sy pishës një sy mue…!-

 

Andrrën e keqe

 

Andrrën e keqe me gjarpërin kafshues,

Nëna ma tregoi tek pragu i shtëpisë,

Dhimbshëm trishtohet nga gishti tregues,

Për fatin e bijve, në moshë të rinisë.

 

Loti i sezonës së vdekjes u bujti atë ditë,

Që nëna e lëshoi n’shteg të oborrit kur dola,

Kujtimet e vëllezërve e motrave, ia ndezin sytë,

Unë, dhimbjen e saj me vete e mora?

 

Pritjen, nipa e mbesa e lanë varë,

Në përrallën gjysmash lënë, nga lodhja mbrëmë,

Përralla me diell duam, përralla me pranverë,

E shoh që më presin, pritë fëminore më kanë zënë.

 

Presin diellin të lindë të palindurit fëmijë,

Në mëngjeset e Kosovës, me të tjerët të vijnë,

Emrin Diell le ta marrin, Mëngjes, Dardani,

Muzeu, maliherit sot t’ia prekin ftohtësinë.

 

Njëmijë dasma dyerve të rinisë Kosovare presin,

Me pranvera nëpër sy, presin të vijnë luftëtartë,

Nëpër livadhe të gjelbërta e të lira, valle të hedhin,

Djali e vajza me kurora lulesh, gjerdan lirie të artë.

 

Kosova, plot memorial shenjtorësh, djem që lanë nanat,

Luftuan djemtë e vajzat, qëndruan e ranë për liri,

Lëshojani një zë nënës në bjeshkët me zanat,

Sa herë tek vendi i shenjtë i të birit që të vij.

 

Për zana, këndoi që në djep, kur ishte e vogël,

Në bukurinë e mallit, nëna jetës i këndoi,

E nëse ulej, përmallej e lartë ngrinte dorën,

Tek memorial i thanë:

Mos prit, djali do t’vonojë.

 

Nënat, me tufa prej mjegulle, e brezore rudhash balli,

Që nipat e mbesat, jetën e Kosovës ta blegërojnë,

Bisk gjelbërimi çdo nënë Kosove, liruar prej halli,

Në këtë mot 100 vjeçar, ma i pakët loti do t’pikojë.

 

Është koha për të lindë

 

Po i dhembin sytë Gjalicës, në faqen prej Kosovës,

Palcës së kurrizit të Runjës i shkon dhimta,

Kur zjarret e plasaritën krejtë koren e tokës,

Drini është larg, e shi prej qielli s’po bika.

 

Tymi e flaka shqyen edhe dyertë e qiellit,

Gjyle topash, krisma batare, bomba mbi Kosovë,

Bëhu burrë! Në djep i thotë nëna djalit,

Nga djepi i thotë fëmija nënës: të qëndrojë.

 

Ka mote e më shumë, Shkëlzeni zgjat dorën,

Pa hile: ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës - në mes,

Mali idhnak ka mijra vjet që e sheh Kosovën,

S’ka qenë kurrë për dhimtë, kufirin don ta heqë.

 

N’gjinjtë e Rozafës asht’ shterrur qumështi,

Drithma po i shkon nënë-lashtës për shtati,

Qielli po shembet

Vdekja e morti gëdhinë në mëngjese gushti,

A thua në shekuj, në mëri zoti i mbajti.

 

Toka e Kosovës u vadit prej gjaku,

Në flakë u kallën eshtrat e të rënëve për liri,

Një milion eshtra trishtuan varret, kur i lagu,

Trimëritë e lashta në memorje, mbetur n’histori.

 

Kanga e vjetër lëngon dhimtë me za,

Nga goja e lahutarit zëri i kreshnikëve ushton,

Bujarisë së njohur që na lëshoi në prita pa da,

Atyre që vdiqën, përherë u këndon,

 

Atyre që do të vdesin, zëri i moçëm veshin u lëmon?

Është koha për të vdekur rinia e djalit?

Thotë harku 1000 vjeç, apo është koha për të lindur?

Harku rrëshqet me rrëshinë me fije prej bishtit të kalit,

 

Kushtrimin lëshon mbi trupin e drunjtë të lahutës lidhur.

Dhe… Rilindi Kosova, rilindëm dhe Ne,

Ndër shekuj kushtrimi i lahutës thërret me zë,

Më thuaj: kush nuk u gëzua mbi këtë dhe?

S’do të ketë më luftë, hasëm  s’do të ketë më.

 

-28 qershor 2013-

---------------------

ZOG - emri im

 

Qëkur linda ma ngjitën këtë emër timin.

Deri sot e mbaj emrin Zog, që atë ditë,

Pa ditur se të gjithë poetët e botës më njihnin,

Të tjerët do të më njohin, do t’më njohin të gjithë.

 

Këngët, vallet dhe ëndrrat, si zogjtë u hapën,

Nga kafazi nën shoqërinë e zogjve shtegtorë,

Këngës ia morëm zogjtë dhe lanë mesnatën,

Zogj të tjerë në flatrimin e përjetshëm qiellor.

 

Mua-Zog-un, frymëzim i mbarë njerëzimit,

Përpëlitemi të gjithë si zogj me kokë të prerë,

Foletë e zogjve të dashurisë, zemërzgjimit,

Në pemë vallzon një Zog, kur ai zë t’kërcejë.

 

Në atë fushë, ku unë dal përherë,

Të gjitha këto të miat janë, more shokë,

Ndaj dal për të dëgjuar zogjtë në degë,

Edhe zogjtë e vegjël që i kam mbi kokë.

 

Ndërsa trupin n’blozë t’mjegullës vjeshtore,

Afrohem në dritare, si Zog i etur prej mallit,

O, ku e lash at’ Zog të kristaltë që prej dore,

I pyes kah fluturojnë edhe zogjtë e malit.

 

Do të vijmë prapë, ne, zogjtë e larguar,

Me zërin e zogjve, dukej sikur këndonte,

Kryezogu, kur në Shkëlzen vjen pak i vonuar,

Prapë qanë një Zog, petalet e luleve rrëzonte.

 

Zogjtë aty le të mbledhin lule e fije bari

Ca zogjë të humbur udhës të thurin poezi,

Dëgjohet i vetëm një zog nate atypari,

Çukitje gudulisëse, cicërrima t’i bëjnë shoqëri,

Përrreth në fushë ku këndojnë zogjt, dua të vi.

 

Dhe pa pasur krahë Zogu, fluturon si Zog

Çifte zogjsh ngrihen lartë me rrapëllimë,

Çerdhe zogjësh Shqiponje në plep shikon,

Zgjuar si Zogu në djep, na erdhi Zogu ynë.

 

Si lotët në grykë si Zog atij që ia kthen,

Si cicërrima zogjsh ato dëgjoheshin,

I rrëmbeu befas një Zog me një këngë,

Ju drejtova zogjëve, por edhe ata putheshin.

 

Ajo e shtriu dorën tamam sikur një Zog,

Në Rrasë të Zogut, zogjtë në pishë të diellit,

Si çdo mëngjes, me zogjtë në ballkon,

Kalojnë fluturimthi përsëri zogjtë e qiellit.

 

E duan ta prekin me flatra baluken tënde të artë,

Tre zogj vocrrakë strehuar nën harkun e portës,

Dy zogj në kashtën tymjake nuk duken qartë,

T’i ruajë nga unë, zogjët e vet, i duhet shqiponjës.

 

Zogjtë ngrenë foletë e tyre në lisat kur gjelbërojnë,

Pemë me degë dua të bëhem unë, foleza e tyre

Një milion zogj mbi mua le të fluturojnë

T’i lëmë ne zogjtë e natës në të tyren kuisje.

 

Foleza, ku zogjtë e tyre sapo kanë çelë,

I ëmbël zë i zogjëve atë vreshtë kur e pashë,

Zogjtë u sistemuan mbi mua ndër degë,

Me këmbë të mbledhur ai zog, është i sëmurë thashë.

 

I thash zogut të verës, atij Zogut të mirë,

I vogël dhe i bukur, ai zog sa grima,

Pak më lart përmbi telat, Zogu si i ngrirë,

Këndoje pra kangën, këngë me cicërrima,

 

Në kafaz unë e kam parë një zog të lirë?!

Ia thotë këngës ai, Zogu këngëtar,

Për Zogun e këngëtares, sa bukur këndon,

Zogu i saj fluturoi përmbi botën mbarë,

Emërmiri i botës, që mua më lartëson.

 

E si të mos e mbaj unë, këtë të bukur emër,

Kush fëmër s’e kthen kokën, kur ndokush më thërret,

Se e mban në të tërë botë, me vete çdo femër,

E mban si frymëzim si një amanet:

Çdo frymë e kesaj bote paska zogun e vet!

 

-Shtator 2013 në Tiranë-

----------------

Logu u mbulua me borë

 

Sivjet, edhe në këtë dimër po mahnitem

Me pamjet që shoh nga dritarja e dhomës time

Në katin e tretë të kullës:

Ara “log” e mbuluar me borë, që hijeshinë

Ia ka dhënë aq shumë dielli përmbi

Me shkëlqimin si diamante mbi kokrrizat e akullta,

Atë bukuri të rrallë

Po ma hijeshojnë edhe çepurët e ngritur

përpjetë asaj are me dëborën përmbi,

Gunga-gunga të bardha

Si gjinjë femëre më ngjajnë,

E kujt s’ia kujton gjirin ajo pamje

Kur ecën pëmbi borën e ngrirë me hapat

Që formojnë një krismë të qelqët

Sikur po thyen xhama

Nëpër “gjinjtë” e asaj are

E zëri i këmbëve të kalimtarit dëgjohen

Deri në dhomën time,

Që më lë pa mend ajo pamje

Bashkë me dritën, krismat, shkëlqimin,

Akujt e varur nga strehët deri para syve të mi

Që pikojnë nga këto rreze dielli janari

Të këtij dimëri të bukur sivjet,

E bukur edhe pas diellit, por edhe pas erës

Kur fillon të shkrijë dëborën

Tjetër pamje merr logu:

Mbi çepurët

Të cilët dalin mbi siprfaqe si organ burri

Duken kur bora ka shkrirë rreth tyre

E quka-quka duket ajo arë

Tamam ashtu:

Quka me çepurët e ngritur e përrreth

Toka e zezë

Vetëm rreth tyre si të kërleshur...

 

- Geg-hysen 2004 –

---------------------

-Cikli botohet per here te pare ne Zemrashqiptare, fund-shkurti  2014-