| E merkure, 26.02.2014, 08:33 PM |
Kostaq Duka
Të dua si rilindje
-Korçës-
E dua me mall të përvëluar kur jam larg
i mërzitem i dëshpëruar kur i ri afër.
Qyteti im! Plakë e nuse, nuse e plakë.
Të trembem si vdekja e ngadaltë
të dua si rilindje pas një dimri të egër, të gjatë.
Rock and roll
Rock and roll…
shkrepëtimë stralli a klithmë lirie?!
Gurë
që rrëzohen me rrapëllimë
a dallgë stërmëdha që shkojnë e vijnë?!
Shpirt i trazuar
që shpërthen me lemeri,
a zemër e tronditur
që do më shumë qiell. Më shumë kaltërsi?!
Rock and roll….
Njëherë unë e njëherë ti….
A ishte i varfër
a ishte i pasur nuk, e di.
Kënga thotë: Kisha një këmishë ngjyrë gri
njëherë e vishja unë
njëherë e vishje ti.”
Duan të thonë kjo është këngë korçare
duan të thonë kjo është këngë greke.
Për ta shuar “sherin” po këndoj:
Kisha një këngë kurbeti
lindur gjithë mall e dashuri
njëherë shqip e kendoja unë,
njëherë greqisht e këndoje ti…..
Liberta, freedom
Liberta.
Freedom.
Liri-liri.
Qiell i kaltër, i paanë, bardhësi.
Liberta.
Freedom.
Liri- liri.
Në tërë gjuhët e botës
kjo është kryefjalë.
Të gjitha një sinonim e kanë: Amerikë.
Dua kalin
Kur lanë fshatin
babai i premtoi
ti falte tërë Amerikën, aeroplanin
elefantin e luanin
pishinën, detin, oqeanin.
I premtoi e çfarë si premtoi atij 5-vjeçari.
Por vogëlushi pas gjumit të parë në Amerikë
në zgjim, me sy të përlotur kërkoi kalin.
Shkurt 2014