| E hene, 24.02.2014, 07:53 PM |
FJALË DASHURIE ME DAJAK
Nga Ullmar Qvick
Nuk di sa herë kam shkruar për të mirat e popullit shqiptar. Gatishmëria për të përballuar rrezikun, durimi kur u mungon
çdo gjë, bile bukë dhe ujë, kulturën popullore, mikpritjen e pashembullt etj.
Tani erdhi koha të ju jap dajak: Populli shqiptar nuk vlerëson si duhet librin e shkruar.
Një kuti duhani, një kafe bashkë me miqtë, benzinë për veturën, shqiptari paguan.
Për librat? Jo, ata nuk vlejnë, për ta nuk paguhet.
Shqiptari është lexues shumë i dobët. Në bibliotekën e qytetit tim kishin blerë mjaft libra shqip, në vitet 1990 kur erdhën shqiptarët në shumicë. "Këta libra shqip huazohen shumë pak" më tha një punëtore në bibliotekë. Ishin libra me vlerë, por shqiptarët nuk u interesuan. Erdhën disa për të lexuar gazetën "Rilindja", vetëm kaq. Gazeta është në një rang pak më të mirë se libri.
Fatkeqësisht ata që kanë më shumë nevojë për dajak në këtë rast nuk do të lexojnë kushtrimin tim. Ju, miq të dashur, a jeni gati të diskutoni me ta?
Do të ishte mirë nëse shoqatat e intelektualëve shqiptarë, si dhe shoqatat e rendomta shqiptare rreth e rrotull botës do të diskutonin për pozitën e librit në mjedisin shqiptar.
Një popull i cili nuk respekton librin, nuk respekton kulturën e vet. Atëherë nuk vlerëson as identitetin e vet, as kombin.
Zgjohuni, shqiptarë, zgjohuni! Shkruhen dhe botohen shumë libra, me sakrificat e shkrimtarëve, me profesion dhe amatorë, lexohet tepër pak. Shpenzimet mbeten në anën e shkrimtarit. Turp!!! Dhe librat janë mbetur, duke grumbulluar pluhur.
Dashuri do të thotë lëvdata por edhe qortime! Besoj se çdokush do të mendoj me mirëkuptim për fjalët e mia.
Sepse po shkruaj për të mirën tuaj!