| E shtune, 22.02.2014, 07:55 PM |
TË LARTËSOHEMI DUKE U PËRKULUR PARA GJIGANTËVE TË KOMBIT...
(Në kuadër të 101 vjetorit të lindjes së Prof. Dr. Isuf Luzajt; 21 shkurt 1913 – 21 shkurt 2014)
NGA ZYBA HYSEN HYSA
Sa herë kthehemi pas në vite, sa herë që lexojmë historinë e sa herë kërkojmë rrënjët e historisë sonë kombëtare... ngado që shkojmë me mend, përsëri vijmë e qëndrojmë mbi Kaninë për të prekur shenjtërinë e baltës së saj, ku lindi dhe u rrit mbretëresha, e shoqja e luftëtarit të madh të Evropës, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, është altari i princeshës së Kaninës, Rugjina Balsha, e cila ka mbetur simbol i qëndresës dhe i krenarisë kombëtare, model i pavdekshëm i femrës shqiptare, aty takojmë figura të shquara, burra me emër si princi Gjergj Araniti, një luftëtar i madh që kundërshtoi dhe fitoi ndaj ushtrive të Perandorisë Aziatike, duke u barazçmuar nga Evropa si një Skënderbe i dytë, Andrea Vrana, një fisnik i shekullit XIII, Gjegju Sinan Pasha, sanxhakbej i Vlorës dhe i Kaninës, Hadër Resul Kanina (Murati), Sinan Pashë Vlorës, kryeministrit shqiptar gjatë sundimit të sulltan Bajazitit të dytë në shekullin e XV, i Ferit Pashë Vlorës, kryeministri shqiptar në vitin 1902 – 1908, Ismail Qemali, prijësi i Shqipërisë dhe i krijimit të shtetit të parë shqiptar në 28 nëntor 1912, Abaz Nuri Hamzaraj, i cili themeloi “Shoqërinë e gjuhës shqipe” dhe hapi shkollën shqipe në Kaninë, më 1902, Elmaz Xhaferri, anëtar i “Komisionit përgatitor për shpalljen e Pavarësisë”, Zini Abaz Kanina, një nga katër firmëtarët e pavarësisë... kështu, lindja e një personaliteti të jashtëzakonshëm, siç ishte Prof. Dr. Isuf Luzaj, nuk ishte as e rrallë dhe as befasuese, por ishte në vazhdën e burimit të gjakut të pastër shqiptar që më shumë se çdo gjë tjetër në botë deshën lirinë dhe mëvetësinë kombëtare.
Isuf Luzaj për nga fuqia intelektuale dhe krijuese i kalon caqet e një njeriu të zakonshëm, kjo bën të kuptojmë se ai ka pasur bekimin e perëndisë e duhet të besojmë fjalëve të së bijës Elisabetës, kur thotë: “Gjyshja ime kishte lindur nëntë fëmijë dhe të nëntë i kishin vdekur. Atëherë gjyshi dërgoi në Mekë para për ta kënduar e që andej i sollën një letër ku i thuhej: “Nusen e ke me barrë dhe e ka djalë. Kur të lindi do ta prisni mbi këtë tabaka e t’i vendosni emrin Isuf...”
E pra, vetëm pak muaj mes zjarrit ngazëllues që ndezi Ismail Qemali me shpalljen e Pavarësisë, lindi në Kaninë më 21 shkurt 1913 Isuf Muhamet Luzaj nga një fis i hershëm prej 500 e ca vjet më parë i ngulur në Kaninë.
“Kur
vendi ynë ishte i pushtuar, - tregon
Çoban Fejzo, - Nexhat Pashaj, një shqiptar, që në atë kohë kishte funksione në
qeverinë turke, solli nga Turqia një hoxhë, por shqiptar dhe e nguli në këtë
lagje. Në atë kohë edhe kalanë e kishin pushtuar turqit dhe qyteza filloi të
shpërndahej dhe të ngriheshin lagjet e vjetra të fshatit, hoxha lindi tre djem;
Shakon, Llanon dhe Muratin, nga Shakua lindën fiset Fejze, Llano ose Alirajt
dhe po nga Shakaj lindën dhe Luzi, që sot i themi Luzaj, kështu lagjja ku ka
jetuar familja Luzaj nga Hoxha e ka marrë emrin Hoxhollaj... ‘
Kur detin rrëmbejmë me vështrim, ndalojmë në Sazan, ku Isufi do të thoshte se ngjan “me një vigan të kërrusur, dënuar nga Dodona të qëndrojë gjysmë brenda - gjysmë sipër detit...”, ngopemi gjer në dehje nga hiret e tij, sikur të kemi pirë verë shekullore, më pas kthejmë krahët detit për të përcjellë bukurinë hyjnore, pushtojmë me sy pllajën e gjelbër me një peizazh po aq magjik që na detyron të ngremë kokën për t’i prekur me vështrim deri majën më të lartë, ku na shfaqet krenare mbi kodrinë një fortesë e hershme, që ne e thërrasim me gojën plot “Kalaja e Kaninës”... por në prekjen e parë vështrimi ynë përqafohet me rrënojat e një shtëpie, ku në 1920 do të prishej nga bombardimet italiane, por ajo edhe sot e kësaj dite, ashtu si kalaja e Kaninës, si një gërmadhë me hir selvie, qëndron për të rrëfyer histori, historinë e birit të saj, Isuf Luzajt. Aty, në atë shtëpi, ku dritaret putheshin çdo mëngjes me valët e detit e çdo mbrëmje reflektonin portokallinë e perëndimit të diellit që linte mbi det, aty, në këtë magji peizazhi, gërshetuar me një kulturë të gjerë familjare, sa fetare, po aq atdhetare, filloi të hidhte hapat e para një gjeni, të mësonte ritet e para të kulturës së fesë islame nga Mulla Muhamet, babai i tij, ku vetë Prof. Dr. Isuf Luzaj do të shkruante: “Fetar gjer në eshtër, i thellë si deti,/ E fike zërin me lutje Profetit;/ Më shtrëngove kokën fort në kraharuar./ Ta dëgjova pëshpëritjen: “Vazhdo mësimin,/ Zbuloje dhe ndiqe gjurmë për gjurmë mendimin,/ Kurseje kohën: nat’ e ditë duke shkruar!”, aty, pra në Kaninën e historisë, mori dhe mësimet e para, ku mësoi të shkruante dhe të lexonte gjuhën e mëmës, atë gjuhë që kurrë nuk e harroi e me atë gjuhë shkroi pafundësisht poezi, prozë, filozofi, histori... hodhi shpirtin në letër, për ta kthyer dritë për brezat që do të vijnë.
Më 1926 ai mbaroi shkollën fillore dhe më 1933 përfundoi Gjimnazin e Shtetit, Dega Normale, Shkodër. Në vitin 1933 e pse ishte një nxënës i shkëlqyer, nuk përfitoi bursë nga shteti, ndaj detyrohet të dalë ilegalisht nga atdheu. U regjistrua në Sorbonë, ku studioi deri në nëntor 1935 ndërpreu studimet, për arsye financiare, kthehet në Atdhe dhe në vitin 1936 emërohet mësues i gjuhës frëngjishte në Normalen e Elbasanit (Janar – Korrik), ku për pak kohë lë punën se nuk pranoi të puthte dorën e beut të Elbasanit dhe emërohet më pas mësues i gjuhës frëngjishte në Liceun e Korçës, periudhë që punuan bashkë me ish diktatorin Enver Hoxha, ku organizojnë demonstratën e parë, ku Isufi kundërshton policinë duke thënë që studentët nuk kërkojnë komunizmin, por liri dhe demokraci dhe nga 1938 – 1939 si mësues i letërsisë në Institutin Tregtar, Vlorë, punë që e braktisi me ardhjen e Italisë fashiste. Këtu vlen të përmendet fakti, që ai ka qenë mik me Mujo Ulqinakun, i cili ka banuar disa vjet të Ujin e Ftohtë tek shtëpia e tij, ndaj nuk duket i çuditshëm fakti që më 7 prill ai bashkë me çetën e Sevasterit me komandant Rrapo Çelon e patriotë tjerë do të luftonte në Mol kundër zbarkimit fashist, ashtu si dhe Mujo Ulqinaku, më pas ai nuk pranoi që në shkollë të heqë flamurin shqiptar dhe të vendoste atë italian, si dhe nuk pranoi që të bëheshin përshëndetje fashiste.
Lëvizja kombëtare ishte gjithëpërfshirëse, çdo gjë bëhej kombëtarisht dhe e koordinuar, kështu më 28 Nëntor 1939 krijon në Vlorë Shoqërinë “Mbrojtja Kombëtare” me Aristidh Rrucin, Ali Beqirin, Alush Runën , Rrapo Çelon etj, më 1939 – 1940 organizon rininë qytetare dhe studentë të Institutit Tregtar Vlorë, Gjimnazin e Shtetit Tiranë, Gjimnazin e shtetit Shkodër në demonstrata anti – italiane dhe në 1940 formon Partinë Social – Demokrate
“Isuf
Luzaj është një figurë emblematike e kulturës dhe e politikës shqiptare. Ai
është luftëtar i madh i lirisë, luftëtar i madh i Atdheut, kur u desh të
rrëmbejë armën e mori atë, kur u desh të rrëmbejë penën, rrëmbeu dhe penën. Ai
i dha kohës, pikërisht atë që donte ajo.
Biografia e Isuf Luzajt, është biografi e vendit të tij, e historisë tonë moderne... Është e mrekullueshme ta thuash, që ai shiti nga pasuria e tij, shiti tokë, shiti ullinj për t’i shndërruar ato në kulturë, për t’i shndërruar ato në investim për vendin, kur ai kishte aq shumë nevojë. Mbaroi në Sorbonne, mori dy doktoratura atje, doktoraturën në filozofi dhe në letërsi. U kthye t’i shërbente vendit, punoi në arsim, në Lice e gjimnaze të ndryshme të vendit...” (Visar Zhiti ; Intervistë për librin “Isuf Luzaj në Biografinë e Kombit”)
Duke lexuar jetën dhe veprën e patriotëve më të shquar të vendit tonë, vihet re se të gjithë kanë provuar burgjet si këtu në vendin tonë, të burgosur nga pushtuesit (për fat të keq, edhe nga shteti ynë) si dhe në burgjet larg Atdheut në Turqi, Serbi, Greqi, Itali dhe me dhembje në shpirt themi: “Kur kemi pasur ndonjëherë qeveri shqiptare?
Vetëm qeveria e Ismail Qemalit dhe e Fan Nolit nuk vranë e nuk burgosën shqiptarë, por për fat të keq, vetë drejtuesit e shtetit patën fat tragjik (Ismail Qemali u helmua, Fan Noli provoi mërgim të përhershëm si Isuf Luzaj dhe shokët e tij, u burgosën, u vranë, apo detyruan të ikin larg Atdheut.
Me fillimin e shfaqjeve te tij në shtyp dhe aktiviteti i tij për evoluim shoqëror dhe kundër regjimit të fashizmit në Shqipëri, nga viti 1937, deri në vitin 1942, provoi kaluarin në të gjitha ato lloje burgjesh që nga Shqipëria deri në përtej detit në Itali, kështu në 1941 arrestohet bashkë me 12 studentë të tregtares së Vlorës që organizonte Duro Kreshpani dhe burgoset në Durrës prej nga transferohet në burgun e Napolit dhe më vonë në ishullin e Ventotenes dhe në 1942 për arsye shëndetësore, dërgohet në kështjellën Cortona d’Arezzo, ku takohet me Ali Këlcyrën dhe harton Dekalogun e Organizatës “Ballit Kombëtar”, ku ai propozoi të hynte dhe pika e 7: “Organizata e Ballit Kombëtar do të zbulojë vlerat e vërteta, do t’i edukojë njerëzit pa marrë parasysh besimin, krahinën ose partinë politike.”
“Krahas intelektualëve më të mëdhenj të vendit, me Mit’hat Frashërin, Stavro Skëndin, Musine Kokalarin, Safet Butkën, organizoi protesta kundër pushtimit, shkruan poezi, vendi kishte nevojë për poezi dhe ai ia dha dhe poezinë e tij, ku u internua e u burgos për to, shkon në Ventotene i internuar, ku njohu personalitete te mëdhenj të Evropës, të Italisë, institucionalistë të mëdhenj , si Alessandro (Sandro) Pertinin, Spinelin, të cilët mbahen si ideator të Evropës së Bashkuar. Altiero Spinelli, në kujtimet e tij thotë se ka njohur shqiptarë dhe veçon Zai Fundon, i cili ishte shok, mik idealesh i dashurisë për atdhe dhe me Isuf Luzajn. Do të thosha, se po të rrëmojmë më shumë në këtë Evropë të Bashkuar, që po e lakmojmë që është kaq e bukur, ka diçka nga vizioni, nga hiret, nga dëshirat e shqiptarëve atje... (Visar Zhiti; intervistë dhënë për librin “Isuf Luzaj në Biografinë e Kombit”)
22 Maj 1939 “Nata e parë e burgut më qe e tmerrshme, - do kujtonte Isuf Luzaj. - Kur dëgjova për të parën herë që gardiani më mbylli derën për së jashtmi, kur pashë që më hodhi bukën nga vrima si një qen, kur kuptova që më shikonte nga vrima se çfarë bëja, kur më pruri ujë në një teneqe të vjetër e një kuti të vjetër për nevojat fiziologjike, qe me të vërtetë një poshtërsi kundrejt jetës” dhe më vonë do krijonte: “Po, o Zot i madh/ Zot i adhuruar/ Kur shoh gjurmët nga kam udhëtuar/ Çuditem me shpirtin, si i pati duruar / Gjithë padrejtësitë që erdhën kundra meje/ Asnjë mirënjohje, as mendje, as feje/ Kur u dhashë bukë, më qëlluan me gurë/ I nxora nga deti, më hodhën në lumë/ I përqafova, më ndukën me dhëmbë/ U shërova plagët, më shtytën me këmbë/ U dhashë dashuri, më dhanë hidhërim, Kam qenë i bindur, i dashur, i urtë/ Kam ndezur në ballë fener diturie/ Ngado më shpuri çdo furi stuhie/ Kam edukuar breza rinie/ I sinqertë në paqë, mëshironjës në luftë/ O Zot i madh/ Zot i adhuruar...”
Në
qershor, Të vitit 1942 lirohet nga burgu i Kortonës dhe hyri në atdhe, shumë i
sëmurë nga vuajtjet dhe në tetor 1942
“Isuf luzaj nuk është thjesht një emër, është në një farë mënyre, pjesë e një fenomeni politik dhe shoqëror shqiptar që kulmin e arriti gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, sidomos në angazhimin e tij me Ballin Kombëtar duke pasur një periudhë jete interesante përpara dhe po kaq interesante pas, e cila ka qenë dhe pjesa e pa zbuluar e tij. Praktikisht është një prej atyre intelektualëve të diplomuar jashtë, të cilët tentuan të ngenë Shqipërinë e viteve ’30, pra fundviteve ’30, në një shoqëri të emancipuar, një shoqëri të shkolluar dhe ishin ndër pionierët e parë që mendonin dhe besonin, se ecja përpara e një vendi bëhej përmes krijimit të një elite universitare.
Vetë ishte diplomuar në Francë, ishte prej atyre njerëzve që kishte një vizion, pra ishte një filozof, sigurisht në fillimet e tij në vitet ’30 që po tentonte të përshtaste, ose t’i aplikonte idetë e tij në shoqërinë shqiptare, pikërisht për këtë arsye u angazhua me forcat e Ballit Kombëtar, ku hyri nga angazhimi i tij shoqëror në një angazhim politik, nga ajo që ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë...” (Blendi Fevziu; Intervistë dhën ë për librin “Isuf Luzaj në Biografinë e Kombit”)
Në 1 – 3 gusht 1943 Isuf Luzaj bashkë me 12 delegatë përfaqësues të Organizatës së Ballit Kombëtar dhe 12 tjerë të Frontit Nacionalclirimtar, morën pjesë në Kongresin e Mukjes dhe mbron tezën e Kosovës dhe të Çamërisë për t’u bashkangjitur Shqipërisë në Shqipërinë Etnike “Konferenca e Mukjes, - do shkruante Isuf Luzaj, në vitin 1943, është ngjarja pa të cilën është vështirë të flitet për historinë e asaj kohe. Ata që morën pjesë në të, me të vërtetë ishin përfaqësues të popullit. Në të merrnin pjesë edhe kosovarët, edhe çamët, edhe komandantët e forcave të armatosura... 12 përfaqësues kishte Balli, e po aq kishte edhe Partia Komuniste... Merrnin pjesë mijëra veta, do kujtonte prof. Dr Isuf Luzaj, - Në shesh ishin vendosur 24 veta, ndërsa të tjerët rrinin anash. U bisedua tërë ditën çështja e Kosovës dhe më në fund komunistët dërguan kasnecin që merrte urdhra nga Enver Hoxha: u pranua Marrëveshja. Kur u mor vendimi i përbashkët nga përfaqësuesit e Ballit dhe PK, që Kosova të jetë pjesë e Shqipërisë Etnike, jehuan kodrat e fushat nga duartrokitjet e turmës, së cilës nuk i shihej fundi. Gëzim më të madh në jetë nuk kam pasur. Më vonë, siç e dini, nga presioni i komunistëve jugosllavë, komunistët shqiptarë na e kthyen shpinën”.
“Ai ka qenë me Balli Kombëtar, ka qenë përfaqësues në Mukje dhe ka mbajtur atje një kumtesë interesante “Kosova dhe Shqipëria Etnike” dhe Mit’hat Frashëri e ka pëlqyer shumë.... “ (Xhevat Beqaraj; Intervistë për librin “Isuf Luzaj në biografinë e kombit”)
Kur çeta nacionaliste e Kaninës, mori pjesë në luftën e Drashovicës, kundër garnizonit gjerman, në shtator 1943 si dhe në luftën e Gjormit më vonë, pas vrasjes së të riut Hazis Sharra me urdhër nga KQ të PKSH më 7 tetor 1943, doli hapur tradhtia komuniste e shpalli vëllavrasjen, luftën civile në Shqipëri, luftë që do vazhdonte që nga ajo ditë e në vazhdim dhe po të shikojmë biografinë e firmëtarëve të kësaj Marrëveshje që u zhvillua në Mukje, të gjithë janë vrarë, ballistë e komunistë, apo pa parti; burgosur, internuar, apo detyruar të arratisen në mërgim, fat të cilin e pati dhe Isuf Luzaj që më 28 nëntor 1944, bashkë me shoqëruesit Ifraimin, vëllanë e tij të vetëm, Hydaiun kushëririn e tij dhe shoqërues tjerë si Ali Mane Aliu nga Shkoza, Sulejman Tahiri nga Kanina dhe Safet Liko nga Trevllazeri ... bile para se të ikte nga Shqipëria ai ka mbajtur një fjalim në Shkodër, ku u dha shpresë se me ndihmën e aleatëve do të ktheheshin për të shpëtuar Shqipërinë... dhe gjithë jetën Kosova dhe Çamëria, gjithë trojet tona etnike shqiptare mbetën më mendjen dhe zemrën e tij shqetësim i përhershëm.
Kur ishte në spital i thotë së bijës, Elisabetës: “Unë besoj që Kosova do jetë e lirë, por unë nuk do jem gjallë, ndaj kur Kosova të bashkohet me Shqipërinë, eja bijë tek varri e më thuaj...”(Elisabeta Kuci (Luzaj): Intervistë për librin “Isuf Luzaj në biografinë e kombit”)
Prof. Isuf Luzaj më 1945 iku nga Shqipëria ne Austri e më pas shkoi në Itali. Aty e arrestuan duke dyshuar, siç thotë ai, “se kisha vrarë gjeneral Xaninin, i cili kishte vrarë Qazim Koculin”. U bë gjyqi dhe e dënuan me vdekje. Pastaj u shpall amnistia dhe i falën të gjithë ata që ishin të dënuar me vdekje.
“Nga viti 1945 – 1948, Isuf Luzaj ka punuar mësues i Latinishtes në seminarin Brescia, Itali, më 1948 emigron në Argjentinë, si përkthyes në Ministrinë e Arsimit: Frengjisht, Italisht, Latinisht, në gjuhën spanjolle, librash arsimorë, etj. Në të njëjtën kohë hartonte lajmet e natës “Radio Evropa”, në gazetën “La Prensa”, dy turne punë, 16 orë ditë e natë. Në vitin 1954 fiton me vota të plota doktoraturë në Filozofi dhe në 1957 fiton po me vota të plota doktoraturë në Letërsi dhe nga viti 1957 – 1965 punon si profesor i Filozofisë “Shekulli XX – të, në Universitetin e Buenos Aires, Argjentinë, më pas, në vitin 1960 emërohet Drejtor i Institutit Frëng për Studimet e Larta subvencionuar nga Shteti Francez dhe në vitin 1961 – 1965 si Këshilltar i Direktoriumit të Ministrisë së Arsimit, Argjentinë: Për hartimin e Programeve Akademike, për Universitetin e Argjentinës.
Në vitin 1965 ai merr Medalje nderi në Universitetin e Argjentinës, për kontribut pozitiv në USA dhe në vitin 1965 emigron në SHBA, ku fiton me konkurs: Profesor i Filozofisë Frënge të dhënë në gjuhën Frëngjishte në Universitetin e Shtetit Neë – Hampshire.
Në vitin 1966 jep provimet në Harvard University për njohjen e diplomave frënge dhe argjentinase dhe fiton të tri diplomat, të njohura nga Ministria e Arsimit Federal të Washington DC.(DISI)
Gjatë
viteve 1967 - 1968 emërohet Titullar Katedre, në Universitetin e New –
Hampshire: Filozofi e Përgjithshme. Për arsye shëndetësore të klimës së ftohtë,
jep dorëheqjen, në 1968 – 1970 punon si Profesor i Letërsisë Frënge në
Në vitin 1980 del në Pension, por në vitet 1980 – 1990 – Riemërohet Titullar Katedre të Filozofisë në Universitetin e Illinois. Programon dhe drejton profesorë të Filozofisë.
Në vitin 1990 Universiteti i Shtetit të Indianës i jep medalje nderi, për shërbim të jashtëzakonshëm akademik. Në ceremoninë e rastit merrnin pjesë Governor i Indianës; Ministri i Arsimit dhe Presidenti REGAN.” 1990 – 2000 – 20 dhjetor jep dorëheqjen për arsye moshe dhe shëndetësore. (Marrë nga “Ditari i Përpjekjes” Dorëshkrim, ruhet nga e bija, Elisabeta)
“Amerika dihet që është vendi i të gjitha racave, i të gjitha gjuhëve, i të gjitha feve dhe në Amerikë pati fatin që nga viti 1965 të vejë nga Argjentina dhe arriti të jetë profesor në universitet dhe të japi filozofi dhe arrin që të marrë një dekoratë dhe këtë dekoratë “Profesor i Amerikës” ia dorëzoi vetë Regani dhe këtu është një moment për mua shumë interesant, se Regani duke i vendosur dekoratën i thotë Isufit me shaka, sepse Regan ka qenë një president që kishte një humor të hollë, por përdorte dhe shumë fjalë popullore dhe i thotë Isufit: “Unë kam mësuar kush je dhe kam mësuar prej teje.” Isufi ia ndërpret fjalën, si Isuf që ishte një çikë shpërthyes, i thotë: “I lutem Zotit që këto që mendoj unë të mos jenë të vërteta, sepse e vërteta është që unë kam mësuar nga ju dhe jo ju nga unë.” Regani e pëlqen këtë shprehje lakonike, buzëqesh dhe duartroket Isufin. Kjo si bashkëkombës të Isufit na bën krenarë.
Ai ka një amanet për këtë dekoratë. Ai ka pasur dy dëshira amanet, për mendimin tim; të vijë të varroset në Kaninë, edhe kur pushteti nuk ishte përmbysur dhe në çastet e më vonshme e la këtë amanet dhe e sollën. Kur mori dekoratën, kishte një dëshirë – amanet, që kjo dekoratë të vendosej në muzeun e Tiranës “Mbase në muzeun e Tiranës gjendet një gozhdë, ku mund të varet kjo dekoratë.” Mendimi im, është që ata që merren me panteonin e kulturës sonë kombëtare, mbasi të njohin se kush është Isufi, besoj se do ta plotësojnë këtë amanet, sepse më shumë i bëhet nder kulturës sonë kombëtare, se sa vetë Isufit...” (Xhevat Beqaraj)
Nëse do
ta krahasonim letërsinë shqiptare me një orkestër, ku çdo vegël muzikore ka
rëndësinë e saj, Isuf luzaj do ishte një nga veglat muzikore që shpesh luajnë
vetëm dhe do të fitonte më shumë duartrokitje, sesa kur do luante gjithë
orkestra... kur lexon Isufin, humb nga realiteti, nuk e sheh veten mes turmës,
por ballë për ballë me autorin, i cili flet me gjuhën e një kulture të gjerë botërore
të bluar më nge në mullirin e mendjes së tij prej një shqiptari me kualitet
brilant e të duket vetja në oazën më të bukur të dijes njerëzore. Në
krijimtarinë e Isufit hyn, por kur
“Botimin e parë e ka publikuar në vitin 1938 me vëllimin poetik “Rrëfime”, Dhori Kote, Korcë, Vargje lirike, konfiskohet libri dhe burgoset autori, 94 ditë. Në gjyq, kryegjykatësi, Çoba, shkodran, refuzon akuzën e censurës që vjersha “Neroni", bën aluzion për mbretin Zog dhe në vitin 1946 botoi “Ideologji e falimentuar si interpretim materialist i Historisë”. Librezë 180 faqe, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë.
Më 1954
boton novelën “Lumenjtë Zbresin të Kuq” (Los Rios Rotos), Editoriali Ultraviar:
Argjentinë,
Përveç
këtyre botimeve ai gjate viteve 1954 – 1965 merr pjesë në kongreset anti –
komuniste botërore si përfaqësues i 76 shoqërive të komuniteteve të popujve nën
perden e hekurt refugjatë në:
Kongreset celebrohen në: Brazil, Buenos – Aires, Aipës, Peru, Guatemala, Colombia, Taluan, Tokio, Filipinas, Neë York, këtu, Kryetari i Bashkisë Laguardia, i dorëzon medaljen: “Eisen Haver For Liberty” si dhe gjatë viteve 1955 – 1990 – Merr pjesë në Kongreset Botërore të Filozofisë në Buenos Aries, Lima, Rio Dezhaneiro, Paris, Bonn, Londër, Romë, Madrid, Athinë, New York, përfundon në Universitetin e Buenos Aries, Indianës, Illinois, ku referatet e tij botoheshin ne shtyp dhe ne broshura.
Në vitet
1954 – 1965 – Bashkëpunon me gazetat: “La Nacion” dhe “La Prens” të
1990 – 23 dhjetor. Shoqëria e Gazetarëve të Amerikës, i jep medalje nderi për ato punime, 94 artikuj përkatës të: Edistemollogjia e Materializmit Historik. Ia dërgon medaljen governori Illmsisit Thompson.” (Marrë nga “Ditari i Përpjekjes”, dorëshkrim, ruhet nga e bija, Elisabeta)
“Unë them vetëm kaq: Njeri më të madh, intelektual kalibri si Isif Luzaj, Shqipëria i ka jashtëzakonisht të rrallë dhe do ta rendisja në grupin e atyre që janë pak më të hershëm po nëse duhet të themi për një vazhdues të Sami Frashrit, apo të dikujt tjetër ishte Isuf luzaj, nuk kishte të dytë, një njeri jashtëzakonisht i madh...” (Idajet Beqiri; intervistë për librin “Isuf Luzaj në Biografinë e Kombit”)
Ka sot me mbi 100 tituj, por ndër ta 32 vëllime në dorëshkrim në shqip mbi: “Historinë e Shqipërisë”, “Origjinën Prehistorike”, “Lufta e Vlorës 1920”, “Probleme Filozofike”, “Paleontologji”, “Ditari Metafizik”, “Poezi Lirike”, “Poemë Heroi – Komik”, “Përpjekja e tonë”, “Poezi Ekzistencialiste”, “Morali Shkollor”, “Psikollogjitë e Popullit Shqiptar, “”Rilindja Shqiptare në Shekullin XXI”, “Falimenti i Marksizmit”, “Sëmundja e politikës ndërkombëtare në këtë shekull (1900 – 1990)”, “Faje dhe Fajtorë”, “Tmerre dhe Viktimë”, “Armët e popujve”.
“Isufi, sipas listës që kam unë, të cilën ma ka dërguar në 1996, në listë ka 100 tituj. Isufi është i çuditshëm, se asnjë nuk mund të flasë me saktësi për librat e Isufit... Për mendimin tim, Isufi është një korpus i tërë librash, një bibliotekë e tërë me libra dhe Isufi nuk përballohet as me një njeri, as me dy njerëz, as me tre njerëz. Librat e Isufit duhen ndarë me gjini, sepse ai ka për historinë, ai ka për gjuhën, ai ka për gjenezën Iliro - Thrake që të cilën e përmend gjithmonë, por edhe kritikon, se Isufi është i papajtueshëm, Isufi është me të vërtetën, të vërtetën e adhuron, Isufi thotë: “Kur të shkruhet historia të shkruhet me vërtetësi, kundër kujtdo, më këdo, edhe kundër meje, edhe kundër interesit të përgjithshëm po qe e nevojshme, edhe kundër një pjese të Atdheut, duhet thënë e vërteta, vetëm e vërteta, se nëpërmjet së vërtetës, ne do të mësojmë dhe duhet të themi më shumë të ligat e historisë se sa të mirat e saj. Një burrë shteti që udhëheq, duhet t’i njohë vendit të vet më shumë të metat, veset, se sa virtytet, një burrë shteti i vërtetë duhet të njohë më shumë rreziqet që mund të vijnë se sa të kremtet...” Për të vërtetën e thotë kështu: “E para pas Zotit, vjen e vërteta, kush është me të vërtetën, është më afër Zotit.” (Xhevat Beqaraj: Interviste për librin “Isuf Luzaj në biografinë e Kombit”)
Prof. Dr. Isuf Luzaj u ndëshkua nga komunistët megjithëse kontribuoi dhe e deshi Shqipërinë më shumë, por ndryshe nga ata. Edhe në kushte të vështira madje tepër të vështira Prof. Dr. Isuf Luzaj nuk pushoi së luftuari për çështjen kombëtare shqiptare. Ai jo vetëm ka qenë misionari i parë i Ballit Kombëtar, por dhe një ndër themeluesit e Partisë Social – Demokrate shqiptare bashke me Musine Kokalarin, Skënder Muço, Ymer Quku... ai kurrë nuk e quante kundërshtarin politik, si armikun e tij, por armik quante atë që ishte në kundërshtim të interesave kombëtare, ndaj dhe ai ia tha në sy Enver Hoxhës: "Jam i sigurte, ju do ta fitoni këtë lufte... Unë nuk kam frike dhe as turp siç thua ti, shok i mire, por nuk bashkohem me ty. Unë kam turp nga ndërgjegjja ime qe nuk beson ne ideologjinë Marksiste - Leniniste, si zhvillimi me i mire i jetës se popujve"
Dëshmi janë një seri dokumentesh historike e letërkëmbime me personalitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare si: Fan Noli, Sharl de Gol, Alcide de Gasperi, Palmiro Toliati, Alessandro Pertini, Stanislav Mikolajçik, gjeneral Anders Vladislav. Pa harruar letërkëmbimin me njerëz të shquar të kulturës e të letrave si Neruda, Borges. Kalvari i shkencëtarit mërgimtar vazhdon. Në Argjentinë, fati e ndihmoi të bëhet mik i afërt me poetin e madh Jorge Luis Borges, bashkëpunëtor i filozofit Sartrit, por e pse kishte qëndrim kritik ndaj doktrinës filozofike të kolegut të tij famëmadh dhe angazhimit të tij politik e intelektual, Sartri dhe Luzaj kanë vazhduar të kenë raporte të mira kolegjiale e miqësore. Në një fusnotë të librit “Ekzistenca dhe Boshësia”, Luzaj shkruan: ” Gjatë vizitave të Sartrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pata nderin të funksionoja si përkthyes i 18 Konferencave të tij në Universitetet e Indianës, Kolumbia dhe Harvard...
“Neruda i dërgoi një letër Isufit dhe thotë: “I admiruari im, Borges më dërgoi librin tënd bashkë me fjalët më të mira. Ne dhe pse s’pajtohemi në fe dhe në pikëpamje politike, na pajton gjuha e përbashkët, gjuha poetike dhe libri yt është vlerë për shkrimtarët latino – amerikanë.” Neruda dhe Borges janë figura kaq të mëdha, ndaj është një vlerësim goxha i madh. Edhe Noli e vlerësonte. Isufi thotë “Unë e kam takuar tre herë Nolin” Isufi merrte pjesë në shumë kongrese ndërkombëtare filozofike, për luftën kundër komunizmit... dhe Noli i dërgon një letër, ku i drejtohet me fjalët “O lap”, jo “o lab”, por siç shqiptohej fjala këtu. Nga Noli ky ka njohur edhe Faik Konicën, edhe e vlerëson. Fan Noli thotë kështu: “Faiku është i vetmi njeri i kulturës sonë afër gjeniut, jo gjeni, siç është Isufi, sepse ishte dembel, Faiku flinte 12 – 14 orë gjumë...” Ai ka disa vjersha për të qenit Iliro – Thrak, një vjershë pastaj më të bukur nga ana artistike, ku thotë “Përtacia Iliro – Thrake na ka lënë mbrapa...”
Pastaj ai ka pasur lidhje me personalitete të mëdha, me Toliatin komunist, pas Luftës së Dytë Botërore, për njohjen e Shqipërisë në OKB, ka me Degonin, me një mori personalitete botërore. (Xhevat Beqaraj)
Nëse në Kaninë në kohën e sundimit osman ka qenë një njeri i zgjuar që nga turqit u quajt “Velo Mendja”, me bindje themi, që Kanina e ringjalli një bir për të marrë emrin “Isuf Mendja”, jo vetëm nga zgjuarsia e lindur, por me plot kuptimin e fjalës mendje, me një mendje të ndriçuar nga dituria... ai ka qenë truri i lëvizjes nacionaliste jo vetëm për krahinën e Vlorës, por gjithë Kombit. Drita e mendjes së tij u përhap kudo dhe tërhoqi vëmendjen e opinionin shqiptar e deri armiqve më të betuar të kombit tonë Stalinit dhe Titos.
Në vitet 1946 - 1950, Stalini i kërkoi qeverisë italiane, kthimin në atdhe, për t’iu nënshtruar “gjyqit të popullit për krime lufte, kjo jo se Isuf Luzaj ishte vërtet kriminel lufte, por se ishte një politikan idealist, antikomunist dhe patriot, një personalitet i zoti për të orientuar, drejtuar, luftuar për liri e bashkim kombëtar, ndaj ai mbeti “i rrezikshëm” përherë e asnjëherë nuk u dha e drejta të kthehej në atdhe. Isuf Luzaj nuk ishte vetëm i mençur, por me një shpirt sa luftarak, ne të njëjtën kohë po aq të butë e të dhembshur, deri në fëmijëror, se vetëm një njeri me shpirt të tillë, nuk do të hiqte kurrë dorë prej aspiratës së lirisë së kombit të vet... ai ishte krenarë për origjinën e tij Iliro – Trake dhe kishte besim se një ditë shqiptarët do bashkoheshin dhe do radhiten me popujt e tjerë të Evropës, ai jetoi me mallin dhe brengën e Kombit të vet , ndaj shprehet:
“Sa më shumë vuaja, aq më shumë më forcohej besimi që pata në lirinë e popullit tim, sa më shumë gjendesha i vetmuar, aq më shumë jetoja në mes të racës sime...” dhe “Ashtu, sigurisht, një ditë do të vijë,/ Një djalë shqiptari, prej mëme shqiptare. Ndoshta i panjohur as në fshatin e tij/ Do ujdisë pikëpjekje me histori fatbardhë,/ Në një çast të papritur do bëjë mrekulli,/ Do ta ngrejë në këmbë racën tonë krenare,/ Do ta vërë në radhë në mes të Evropës,/ Shembull e pasqyrë, për popujt e botës,/ Të binden, të besojnë që ka Perëndi...” (Topografi Labçe”)
Biografia e Isuf Luzajt, është biografia e vendit tonë këto 100 vjet, është historia moderne e Shqipërisë, një histori që ka ekzistuar, por e mohuar nga diktatura komuniste, Isuf luzaj është modeli i së ardhmes së kombit tonë përmes dritës së diturisë... se Isuf Luzaj kurrë nuk reshti së renduri drejt së panjohurës, misterit... pas asaj që ndrit përtej errësirës, por që duhet guxim dhe dritë përtej dritës ti shkosh pranë për ta prekur... Kjo e bën Isuf Luzajn të pavdekshëm në thesarin e kulturës sonë elite kombëtare.
“Tani që vepra e tij është pothuaj e pa zbardhur, me përjashtim të amanetit të tij për t’u prehur në Shqipëri që është realizuar, vepra e tij mbetet e pazbardhur. Me sa di unë pjesa më e madhe ndodhet në shtëpinë e tij në SHBA dhe u takon medieve, institucioneve, universiteteve dhe kërkuesve që të hedhin sa më shumë dritë mbi veprën e tij.
Pa dyshim, ishte i një plejade njerëzish studiuesish, intelektualësh, të cilëve u thye në gjysmë jeta dhe vepra për arsye të Luftës së Dytë Botërore, që u ndoqën pas një fataliteti që ishte fataliteti i luftës së ftohtë, por ai pati fatin që në fund të vërtetonte vërtetësinë dhe drejtësinë e kauzës së tij.” (Blendi Fevziu)
“Ai kishte lënë dorëshkrimet, librat që janë botuar një pjesë, la edhe testament, plus që na e tha edhe me gojë që duhet të varrosem në vendin tim, mundësisht në Kaninë dhe kështu e varrosëm në Kaninë para 13 vjetësh. Natën e parë u di, siç është zakoni, se ne jemi familje hoxhe, në xhami, të nesërmen e sollëm tek Pallati i Kulturës “Labëria” Aty bënë homazhe nja dy orë, pastaj kemi ikur me makina e çuam në Kaninë. Siç më thanë, kur makina e parë arriti në varreza, makina e fundit ishte tek Bishti i Kalldrëmit, kaq shumë njerëz kishte atë ditë... Ky varrim madhështor tregoi se babai kishte lënë gjurmët e tij, ai nuk i përkiste vetëm familjes, ai i përkiste Kombit me ato punë që kishte bërë ai... Mesazhi ynë, është mesazhi i babait që thoshte: “Të lihen mëritë, gjakderdhjet, mosmarrëveshjet dhe të krijohet një shtet me të vërtetë demokratik, se deri sot, as e majta, as e djathta nuk janë në ato shina që kërkon kombi ynë.” Qeveritë duhet të venë në vendin që meritojnë personalitetet shqiptare, këtu nuk kam parasysh vetëm të babait, por ka shumë tjerë që meritojnë të marrin vendin që u takon.” (Muhamet Luzaj (i biri): Intervistë dhënë për librin “Isuf Luzaj në Biografinë e Kombit”)
Isuf luzaj na ka lënë amanet Shqipërinë Etnike, por një Shqipëri me mendje të ndriçuar, ndaj dhe shkroi një jetë e na porosit: “Dua që librat e mi, t’i lexojë rinia shqiptare e shekullit XXI” Nëse Prometheu u bëri dhuratë njerëzve zjarrin, Prof. Dr. Isuf Luzaj na bën dhuratë dritën e diturisë për të parë udhën e Bashkimit dhe Përparimit tonë Kombëtar.
Ç’është një zë, që nga Kanina,/ Herë si këngë… herë si vaj…/ Një gurë varr, që nga kodrina,/ Farfurinë si një fanarë…!/ Ngjanë si flakët përmbi male,/ Në çdo mal, kur Skënderbeu/ Do sulmonte… ndizte zjarre,/ Zjarr e flakë mëmëdheu!/ Çdo gur i kalasë trime,/ Iso mbanë… kënga shpërtheu,/ Lart gurë varri ndrin me dridhje,/ Brenda varrit... Prometheu!”