Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Demë Ahmeti

| E shtune, 22.02.2014, 04:47 PM |


Demë AHMETI

 

SYRI IM I PARË

 

Syri im kur shikon

qepallat bëjnë hije

 

Syri im i bukur

Syri im kaltërosh

 

Ku do ndalesh –

Për të gjetur prehje

Në lugje Malësie.

 

Athua jemi tretur

Horizonteve të mugëta

Brigjeve të praruara…

 

Me gjake fati –

Fsheftësirat e lindjeve

Të purpurta!

 

E unë ju pres me shpresë

Ju pres…

Ju pres…

 

 

SYRI IM I DYTË

 

Kur shikon

Tinëzisht

Ndër grilat e ditëve

Të bardha

Syri im i bukur

Mjaft më derdhe lot!

Pusho!…

 

Ky është Dukagjini

Dhe unë u kalla

Kreshtave.

 

 

SYRI QË PIKON DASHURI

 

Kur drita zbret

nën lisin e mjegulluar

E brigjeve të blerta

kënga rritet si lule

Unë e vizatoja jetën

me tinguj të praruar

 

E ti –

Përcjell flakët

aty ku dikur u ule…

 

 

HESHTJET TONA

 

Kush pret belbëzimin

nga heshtjet tona?

 

Kush lind

n’mes dy buzëve të puthura?

 

Kush lind

n’mes dy vargjeve të vona?

 

Kush dhemb n’shpirt

fort se fjalët e humbura?…

 

 

NË KËTO BJESHKË

 

Në heshtje i vara

Qepallat n’greminë

Për përqafimin

E këngëve tona

E këngëve magjike.

E nëpër

Fletrat e dritës

Njerëzit ushqejnë

Shpirtin me këto

Këngë.

 

 

DASHURIA

 

Një thesar kam

Dashurinë

Një panik më brengos

Thellë –

Frigohem që humb

Atë të shtrenjtën

Atë të shenjtën

Dashurinë!

 

II.

 

Fati i lig

ç’bëri me mua

Të humb njeriun

Që më pat falur dikur

Dashurinë…

Për ZSH: Skënder R. Hoxha