Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zog Hysenaj: Emrit tim ia shoh nistoret

| E premte, 21.02.2014, 08:54 PM |


Emrit tim ia shoh nistoret

 

Nga Zog Hysenaj

 

Ajo kreshtë majuc prej guri

Vjeshta e dimra prêt stuhinë

Rrënjtë e saj burim prej uji

Mrizi i Ah-it lis i mbimë.

 

Hije i ban atij burimi

Hije i ban gurrës prej druni

Kur ngjiten gjaja prej vrrini

E rrethojnë me pi ujlugi.

 

Që nxjerr ujë prej zemrës tokës

Hukat fjalë prej kullës sime

Fjalë që vijn prej fundit t’botës

Gurrëujëftoftës moti e mbime.

 

N’rrënjë të ahit kur pushoj

E marr frymë prej frymës bjeshks

I çoj sytë edhe shikoj,

Mendtë po donë me m’dal prej kresë.

 

Kqyri Ah-in, ia shoh lëvoret,

N’stup të tij e shumë lartësue

Emrit tim ia shoh nistoret,

Prej aty po m’ngjasin mue.

 

Po i lexoj ato me mallë

Shpirti im e di sa vuaj,

Ma aty un’ s’muj me dalë

At’herë ulem e nisi t’shkruaj.

 

E kujtoj atbotë t’rinisë

(Them ka shekuj aty rrijnë)

Ta shkruaj emrin me teh t’thiks

Ta lexoj, t’kujtojmë rininë.

 

Mbi l’kur t’tij krejt e vjetrueme

S’e mbaj mend e s’di se kurë,

Vjettë e mia n’to t’numrueme

Me teh brisku i gdhënda n’lëkurë;

 

Tue mendue se i shoh dikur

Qysh at ditë aty jan’ mbetë

Kurrë se bëj unë më at’ rrugë

Ta provoj, a muj me i gjetë.

 

E mbaj mend atë ditë n’mes të ditës

(Për me u ngrit shkrojnat n’lartësi)

Emrin tim me at teh t’thikës,

E kam shkrue o Ah mbi ty.

 

Nistore me buzët rreshkë:

Bor e shi mbi to n’at bjeshkë

Frymë e erë, borë edhe shi

Akullnaja edhe stuhi

Me shumëvitet që i ka përmbi.

 

Kur i shoh, at’herë m’kujtohet

S’ka mundsi kjo koh t’harrohet

S’ka sesi e s’ka se qyshë

At moshëbukur t’mos e dishë.

 

Nuk harroj, në mes bjeshktarve

Hip ndërshej kalit mes barrve,

Kur aty bënim pushimin

Mora briskun e nisa shkrimin.

 

Për kujtim të rinis sime

Shkrova emnin n’at lkur t’nxime

Shkrova datën n’at fmini

Dy nistoret ia lash përmbi.

 

Kur i pash unë herës dytë

U ula e nisa me mendue,

M’u duk vetja se jam rritë

Të plot emrin n’Ah me shkrue.

 

Lidha kalin n’rraj të ahit

Kam pi uj n’at krue t’malit

Kam nis emrin me shkru n’l’vore

”N’Lis të Zogut”, përmendore.

 

Edhe sot kur ia lshoj sytë

Aq lart emri që paska hypë

E shoh veten sa shumë jam rritë

(Jo fort shumë, me harrue t’ritë)

Harroj t’ritë e harroj veten

Kur shoh emrin shyqe vetëm.

 

Rritet lisi, shtohen vitet

Mos me mujt kush me arritë,

Edhe sot vazhdon të rritet

Edhe pse është çoroditë.

 

Qyqe vetëm n’mal asht rritë

I ndrron vitet vit për vit,

Qef po kam me e pa çdo ditë

60 dimra ai i ka pritë.

 

60 vera i ka përcjellë

Qysh se aty emrin e k’mbjellë,

Rrajtë e Ah-it n’tokë shumë thellë

Maja e tij ngjitun me qiell.

 

E puth diellin ditë për ditë

Pijnë ujbore n’rraj të tij

N’prehën t’tij rrijnë dhet’ e dhitë

Pleq e plaka, gra e fëmijë

Sa her rruga u bjen n’skëj t’tij.

 

Rrinë pushojnë sa ja u do zemra

Dhe i lexojnë n’aha do emra,

Midis tyre emrin tim

E pata lanë veç për kujtim.

 

Emra t’tjerë unë i kam shkrue

N’gurë të Rrodhes rrugs’ tuj shkue,

Ulun n’gur rrafsh rahatue

Kush t’kalojnë për me i lexue.

 

N’anë të rrugës n’gur të bjeshkës

Emrin tim e kam skalitë,

Se, t’tan jena bijtë e dekës,

Gurë për guri e kam çukitë.

 

Shkojn bjeshktart në varg t’karvanit

Lexojn emrin e Zog Djalit,

Ngjiten çikat pinë uj t’ftoftë

Zog Sokolin thonë e k’njoftë.

 

Përjetësisht aty me mbetë

Ul kacul me përshendetë,

Bjeshkëtart kur dalin n’bjeshkë

Monumenti im për jetë.

 

Nuk mbarojnë këtu monumentet

(As t’katundit as t’qytet),

As të vrrinit dhe as të bjeshkës,

Me shumë vuajtje i k’ba kto vjet.

 

Për me u ba ma të përjetshme

Përmendore t’shpirtit tim,

Kam shkrue libra n’formë vjershe

Histori mbetur kujtim.

 

E i kam shkrue qysh kam ditë

Se vetë jeta t’bën poet

N’vargje e strofa i kam vargitë

N’libra t’mia amanet.

./.

-Në Bad Noistadt-Gjermani, 17 Shtator 2010-

(Botohet per herë të parë në ZSh, Shkurt 2014)