| E enjte, 20.02.2014, 07:53 PM |
EDLIRA KAME: BOTIME ME
INTERES, JO VETËM PËR TË RRITURIT, POR
DHE PËR FËMIJËT…
Nga Prof. Murat Gecaj
1. Në albumin tim familjar, Edlira, ruaj edhe një fotografi, që ke bërë me mbesën time të dashur, Dorelën, kur ajo kishte mbushur 10 vjet. Për kënaqësinë tonë, atë po e publikojmë, bashkë me këtë
bisedë…Çfarë ndjesish të krijon kjo foto, duke sjellë ndërmend edhe fëmijën tuaj, që tashmë e keni të rritur?
-Te ne vijnë shumë vizitorë e të moshave të ndryshme. Disa janë të njohur dhe të tjerë na shohin për herë të parë. Të gjithë, kur vijnë kanë kureshtje të hyjnë në repartin e prodhimit, për të parë si shtypen librat. Tani, më kujtohet Dorela, ditën kur erdhi në shtypshkronjë… Sytë e qeshur të saj shikonin ngado dhe të linte të kuptoje se kishte kureshtje t’i dëgjonte të shpjeguara me fjalë proceset, që kryheshin këtu. Kështu, e kënaqur me vete, që ka edhe lexues të vegjël, të cilët nuk do ta braktisin kurrë librin, e mora dhe i bëra një “shëtitje” në shtypshkronjë. Kam vërejtur që fëmijët e sotëm kanë prirje të luajnë, më shumë sesa të lexojnë. Por mendoj që është detyra jonë t’i afrojmë ata pranë librit, në mënyrë që të përfitojnë vlerat edukuese dhe të mësojnë sa më shumë nga jeta.
2.Për pyetjen e mësipërme kisha parasysh edhe punën tënde të përditshme, në Shtëpinë Botuese “Edlora”, në parapërgatitjet për botimin e librave të ndryshëm. Pra, çfarë vendi zënë librat për fëmijët, në raport me librat për moshat tjera? Po femrat, a botojnë te ju dhe cilat janë disa nga ato?
-Për të
qenë e sinqertë, në shtypshkronjën tonë
kemi shtypur më shumë libra për moshat e rritura, si rrjedhojë e
kërkesës së klientelës, por nuk përjashtohen edhe librat për fëmijë. Për
grupmoshat e fëmijëve kemi tituj të
ndryshëm, si nga librat që vijnë për t’u shtypur nga shtëpitë e tjera
botuese, ashtu edhe nga e jona. Kanë qenë këta me skica e tregime, me pak ose
shumë faqe, sipas rastit. Herë pas here, janë të shoqëruar edhe me ilustrime, me ngjyra ose
jo. Gjithashtu, ka edhe shkrimtare femra, të cilat i kanë botuar krijimet e
tyre te ne.
3.Mendoj se është e rëndësishme për lexuesit, që të dinë diçka më shumë për Shtëpinë tuaj Botuese, të cilën e keni bashkë me shtypshkronjën… Sa kohë ka, qëkur është hapur ajo dhe, në përgjithësi, cilat janë arritjet e deritanishme?
-Kompania “Edlora”, si fillim, ka funksionuar shtypshkronjë, për gati 16 vjet me radhë. Gjatë gjithë kësaj kohe, kemi shtypur një numër të madh librash, duke përmirësuar gradualisht teknikat e makineritë dhe duke nxjerrë nga duart tona cilësi të krahasueshme me botimet e huaja. Karakteristikë e librave, që shtypen te ne, është qepja me penj. Këtu nuk bëhen kurrë libra vetëm me ngjitje. Përveç librave, kemi shtypur e shtypim produkte të tjera, si: postera, fletëpalosje, gazeta, broshura e revista, nga më të thjeshtat dhe deri tek ato tepër cilësore, përsa i përket letrës e ngjyrave. Veçanti është prodhimi me tirazhe të vogla dhe çmime konkurruese. Dua të shtoj se jemi të parët dhe, tani për tani, të vetmit në Shqipëri që prodhojmë edhe klishetë e magnezit, të cilat përdoren për stampime me varak të ngjyrave të ndryshme.
Siç janë në dijeni edhe krijuesit, bashkëpunëtorë tanë, si në gjininë e poezisë ose prozës etj., në 2-3 vitet e fundit, e nisëm veprimtarinë tonë edhe si shtëpi botimi. Në përgjithësi, ndiejmë kënaqësi se punimet tona dalin cilësore dhe të arrira artistikisht. Stafin e kemi tejet të kualifikuar, por edhe shumë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm për punën. Të gjithë së bashku, përpiqemi për të njëjtat qëllime: cilësi, shpejtësi e frytshmëri, me synimin që t’i kënaqim sa më shumë autorët. Këtu ndihemi një familje e madhe. Megjithatë, pa e tepruar, pohoj këtu se mbijetesa dhe arritjet tona janë rrjedhojë e synimeve, e punës dhe përpjekjeve të Vladimir Kallupit, i cili është presidenti i kompanisë “Edlora”. Kjo ka arritur deri këtu, falë profesionalizmit dhe përvojës së tij 50-vjeçare në fushën e shtypit. Të them të vërtetën, gjatë punës sonë, ka pasur raste që, për shkak të vështirësive, me detyrën që kam në parapërgatitjen e librave të ndryshëm, unë jam “dorëzuar” dhe kam dyshuar, nëse do t’ia dilnim dot. Por kanë qenë guximi, aftësitë drejtuese dhe organizuese, vendosmëria dhe mbështetja e tij e plotë, që na ka çuar drejt arritjes së përfundimeve të dëshiruara.
4. Është kënaqësi për mua të shënoj këtu, se kjo Shtëpi Botuese dhe shtypshkronja, drejtohen me aftësi profesionale, nga miku im i kahershëm, ing. Vladimir Kallupi. Ndoshta, kjo është arsyeja edhe pse kam botuar këtu disa libra, duke mos anashkaluar edhe dashamirësinë e treguar nga vetë ti, Edlira, pasi je “motori” profesional, që i lëvizë dorëshkrimet e autorëve drejt shtypit…Kam vërejtur se te ju gjejnë “strehë të ngrohtë”, për botimin e librave të tyre, jo vetëm të rinjtë e femrat, gjë për të cilën folëm shkurt më lart, por edhe mjaft të moshuar. Lidhur me këtë, dëshiroj të di, se si është vlerësuar puna juaj nga autorët e librave, gjatë këtyre viteve?
-Ju keni të drejtë, kur thoni se këtu te ne, veç të tjerëve, kanë botuar edhe mjaft autorë të moshuar. Kjo ka ardhur nga respekti e vlerësimi i padiskutueshëm, që të gjithë sëbashku kemi për shkrimtarët e publicistët, në përgjithësi e ata të moshuar, në veçanti. Ne gëzohemi që ata na zgjedhin, na pëlqejnë e na vlerësojnë, por dhe natyrshëm krenohemi me mundësitë konkrete, nxitëse e favorizuese, që ofrojmë. Në këtë mënyrë, të gjithë ata, që e dëshirojnë, e kanë sadopak shansin për të botuar, pavarësisht nga mundësitë e tyre të vogla financiare, që tashmë dihen. Sigurisht, na prekë fakti, që shkrimtarët në pension ose ato femra, e kanë tepër të ulët mundësinë financiare dhe i vlerësojmë shumë përpjekjet e tyre. Prandaj me sa na lejojnë mundësitë, përpiqemi që t’u krijojmë atyre sa më shumë lehtësira, si në parapërgatitjen për shtyp, ashtu dhe më tej, në proceset tjera të botimit të librit. Këtë dashamirësi ndaj tyre e tregojnë jo vetëm drejtuesit, por tërë punonjësit tanë, si të shtëpisë botuese dhe të shtypshkronjës. Kështu, i gjithë ky respekt e përkushtim, që ne tregojmë ndaj tyre, pasqyrohet qartë në botimet e ndyshme. Sigurisht na vjen mirë, kur vërejmë që asnjëri nuk e lë pa e shprehur mirënjohjen ndaj nesh, si nëpër faqet e librave, ashtu edhe gjatë përurimit të tyre. Nuk mund ta lë pa e thënë, se këto janë çaste, kur unë e ndiej veten shumë të lumtur.
5. Po për jetën vetjake e familjare, çfarë po na tregon, Edlira?
-E, çfarë mund të them? Kam mbaruar studimet e larta, për kimi. Më pas, jam specializuar në fushën e shtypit. Një pjesë të mirë të kohës sime ma “rrëmben” puna dhe pjesën tjetër ia kushtoj me kënaqësi familjes. Jam e martuar, që prej 20 vjetësh. Familja ime përbëhet nga tre persona: unë, bashkëshorti dhe djali. Të them të vërtetën, praktikisht, unë kujdesem më shumë për ata, duke ua mundësuar gatimin e pastrimin ose kërkesa të tjera. Por, gjithësesi, ndihem e lumtur, që jam pranë e midis tyre. Kjo sepse gjej mbështetje, mirëkuptim, dashuri e ngrohtësi, gjëra të cilat duhet t’i ketë, patjetër, një familje e shëndoshë, që t’i rezistojë rrugës së gjatë dhe të vështirë të jetës. Kam shoqëri të zgjeruar, me të cilët dal e argëtohem, bisedoj, ndaj mendime e debatoj për tema të ndryshme, në mes tyre dhe për letërsinë e artet etj. Gjej kohë, gjithashtu, për prindërit dhe motrën time, por edhe për prindërit e bashkëshortit. Shpesh organizojmë takime të përbashkëta, si në raste festash ose ditëlindjesh, kënaqemi me njëri-tjetrin dhe ndihemi të plotësuar e me fat, që jemi bashkë. Më pëlqen shumë të shkoj për të parë shfaqje të ndryshme artistike, si në teatër, opera, koncerte etj. Ajo, që më lumturon më shumë, janë ditët e bukura e të nxehta të verës, pra kur pushojmë pas punës. Ato i kalojmë pranë detit të kaltër e magjiplotë, së bashku me familjen e shoqërinë.
6. E di që nuk kishe ndonjë dëshirë të veçantë, që të bënim bashkë një bisedë, nisur edhe nga modestia jote…Megjithatë, në fund, a dëshiron të shtosh ndonjë gjë tjetër?
-Dëshiroj ta them këtu që, brenda vetes, kam dy dëshira, të pashprehura deri tani.
E para, është që uroj ta kem fatin dhe forcën për të vazhduar më tej me përkushtimin në punën time të përditëshme, për t’u dhënë shtytje të mëtejshme arritjeve tona, në shtëpinë botuese dhe në shtypshkronjë.
E dyta, duke marrër parasyshë përvojën e fituar, në parapërgatitjen e sa e sa librave dhe në gjini të ndyshme letrare, shpresoj që nuk do të jetë e largët dita, kur do të shkruaj (edhe pse nuk e kam dhunti këtë gjë) për heroin kryesor të jetës sime. E kam fjalën për atë, që më ka mësuar se cilat janë parimet e vetëqenies, më ka këshilluar e mbështetur në çastet më delikate të jetës sime; ma ka treguar se ç’mund të arrijë njeriu, nëqoftëse përpiqet shumë e pa u lodhur; më ka kalitur durimin, vullnetin e guximin dhe më ka udhëhequr me shembullin e tij vetjak. E, ky është Vladimir Kallupi, drejtuesi i punës sime, por njëkohësisht e krenarisht edhe babai im.
-Faleminderit, Edlira, për përgjigjet tua të sakta dhe, pse jo, emocionuese, tani në fund! Nga zemra ju urojmë që të keni gjithnjë arritje të reja, në plotësimin e dëshirave të krijuesve tanë të të gjitha moshave, për botimin e librave të tyre, sa më shpejt e cilësorë! Gjithashtu, paçi kurdoherë gëzime e lumturi, në familjen tuaj të nderuar!
(Për të intersuarit, kontaktet me “Edlora” sh.p.k.-Tiranë, janë: e-mail: edlirakame@hotmail.com; tel.fix: 0035542246919 dhe cel: 00355696700748 e 00355667053182)