| E enjte, 20.02.2014, 08:45 PM |
Barby Komunistja
Nga Kimete Berisha
Tash, ia jep vetes luksin të bëhet edhe komuniste.
Pare ka, pozitë ka, fansa ka, ndër ta e ka pasur fanse edhe ambasadoren amerikane.
Mimoza Kusari ka vendosur ta bëjë përmendore komunistin dhe partizanin e Jugosllavisë Fadil Hoxhën, i cili sipas saj i ka vënë bazat e shtetësisë së Kosovës!
Çka po ndodh me titistët e Gjakovës dhe me enveristët e Ferizajt?
Ferizaj nuk e lë "me vdek" Enver Hoxhën.
E Gjakova "inatçore", e çon nga varri Fadil Hoxhën dhe ua lëkund eshtrat e 5,000 djemëve të rinj shqiptarë që e përgjakën Adriatikun në Masakrën e Tivarit, kur i therrën, i vranë e i masakruan si kafshët e egra.
Fadil Hoxha dyshohet si bashkëfajtor i Masakrës së Tivarit!
Regjimi jugosllav, i ka vrarë 5,000 shqiptarë në Tivar, e nuk e ka vrarë edhe Fadil Hoxhën, por e ka shpërblyer me postet më të larta, prej Kryetarit të Kosovës e teposhtë!
Barby kukulla e neokomunizmit të pashllallur jugosllav, në vend se ta bëjë një memorial për Viktimat e Masakrës së Tivarit, ajo e bën një përmendore për bashkëfajtorin e masakrës së Tivarit.
Masakra e Tivarit u mbajt fshehur nga historia për gjysmë shekulli. Varreza masive e Masakres së Tivarit është zbuluar më 17 shtator 1996.
Dhe, ende nuk ka zënë vend në historinë shqiptare.
Sekretin e krimit masiv, e ruajti edhe Fadil Hoxha.
Së paku të kishte treguar më herët.
Edhe i
vdekur komunisti
Le ta bëjë edhe personazh kukulle Fadil Hoxhën, e t'ua shpërndaj fëmijëve të luajnë me të. Le t'ia ngrejë një permendore në oborrin e shtëpisë së saj, mbasi që i ka ardhur dita.
Ambasadorja Amerikane, për herë të parë u çudit me Mimozën, kur ia pa duke i rrahur damari komunist!
Busti nuk e ndryshon historinë. As të vërtetën nuk e blen me pare.
Kot e ka Mimoza.
Viktimat e Tivarit do t'i paraqiten në ëndërr.
Dhe, jo veç viktimat e Tivarit.
Të gjithë shqiptarët që ishin viktimë e komunizmit të kohës së Fadil Hoxhës do të të ndjekin në ëndërr!