Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hazir Mehmeti: Orë letrare festive në Budapest

| E diele, 16.02.2014, 09:11 PM |


Orë letrare festive në Budapest

Kremtohet Dita e Pavarësisë së Kosovës në Hungari

Nga Hazir Mehmeti, Budapest

“...bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur ta bëjmë të mundur...”. “Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë...”. “...Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë...”. Nënshtetasi sllovak që e ndien vetën shqiptar dhe veproi deri në sakrificë për kauzën shqiptare.

Në kryeqytetin e bukur hungarez nën përkujdesjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, u organizua orë letrare artistike në kuadër të shënimit të gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Mbrëmja festive e pasur me program të larmishëm kulturo-artistik ishte nën patronatin e z.Sami Ukellit, ambasador i Kosovës në Hungari. Manifestimin e nderoi me praninë e tij z.Ibrahim Makolli, ministër për diasporë. Të pranishëm ishin edhe znj. Mira Hoxha, ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Hungari; Z.Iljaz Feta, këshilltar në Ambasadën e Maqedonisë në Hungari;  Dr.Etleva Lala, drejtoreshë në Katedrën e Albanologjisë në Budapest;  z. Kurt Gostentschnigg, shkrimtar dhe përkthyes;  z.Kamil Weiner, mysafir nga Sllovakia, një aktivist dhe shkrimtar i cili së fundi shkruan edhe në gjuhën shqipe;  Z. Driton Smakaj, veprimtar, krijues, ideator dhe koordinues në realizimin e orës letrare me krijues nga Austria.  Paraqitje e programit u bë me sukses nga znj. Jehona Muja-Sukaj.

Në fjalën e tij përshëndetëse ministri, z.Ibrahim Makolli, mes tjerash tha:” Ku flet arti, politika heshtë, kudo që jemi do angazhohemi, pavarësisht se herë-herë edhe do të lodhemi e mërzitemi, por asnjëherë dhe në asnjë moment të mos e humbim besimin, ne si komb kemi mundësi. Por ajo që nevojitet është t’i bëjmë bashkë të gjitha pjesët e trupit të shpërndarë gjithandej botës. Dhe, duke i bërë bashkë do të arrijmë që ajo që sot na duket e pamundur, ta bëjmë të mundur dhe të realizueshme, sepse në të kundërtën edhe ajo që sot na duket e mundur, nëse nuk bëhemi bashkë, nëse nuk i mobilizojmë kapacitetet tona sikur i kemi mobilizuar në një kohë, atëherë edhe e mundura do të bëhet e  pamundur. Gëzuar Dita e Pavarësisë! Shkrimtarëve suksese në artin e tyre! Edhe njëherë, sikur edhe herëve tjera kur jemi takuar, e shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Diasporës për të qenë afër në secilin moment në plotësimin e shumë nevojave që ne kemi brenda dhe jashtë.” Znj.Mira Hoxha, ambasadore e Shqipërisë në Hungari në fjalën e saj mes tjerash tha: “Dyert e ambasadave janë të hapura si gjithnjë. Nuk është hera e parë që ne organizojmë mbrëmje artistike. I përgëzoj Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve dhe të gjithëve, urime pavarësia e Republikës së Kosovës.  Ju krijuesit e artistët jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë. Imazhi i juaj është imazhi më i mirë i Shqipërisë. Ju faleminderit dhe jetë të gjatë Kosovës”.Fjalën e rastit e mbajti nikoqiri i mbrëmjes z.Sami Ukelli, ambasador i Republikës së Kosovës në Hungari. “Krijuesit dhe të pranishmit tjerë i falënderoj shumë, të cilët kanë gjetur kohe të vijnë këtë mbrëmje. Po ashtu e falënderojmë ministrinë, z. Ibrahim Makolli. Ardhja e juaj nga Austria kur dihet se ju vini pas angazhimit tuaj ditor në vendet e punës atje, na nderon në veçanti. Ne po festojmë ndër të parët sonte duke e nisur kështu shënimin gjashtë vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Jemi shtet i ri por me ministri të diasporës, kjo tregon për përkushtimin tonë përgjithësisht për mërgatën tonë kudo që gjendet. Shpresoj se edhe Republika e Shqipërisë do ketë një dikaster të ngjashëm për koordinim më të mirë rreth mërgatës edhe me ministrinë tonë të diasporës, kjo edhe po ndodhë.”

Në emër të LShKSh “Aleksandër Moisiu” përshëndeti kryetari i saj, poeti Besim Xhelili. “ Krijues të bashkuar arrijnë më shumë, nga ky cak i yni tani në shoqatën tonë kemi një numër të kënaqshëm krijuesish, mes tyre edhe nga Hungaria z.Driton Smakaj. Jemi të hapur edhe për shkrimtarë e krijues tjerë nga vendet tjera për rreth nesh. E filluam disa veta, kurse tani kemi 27 shkrimtarë e krijues tjerë arti të përfaqësuar me veprat e tyre. Në pikturë prizrenasi Gazmend Freitag, momentalisht me pikturat e tij në Verona të Italisë i cili nga atje ju përshëndetë. Krijuesit  rrjedhin nga të gjitha viset etnike shqiptare me artin e tyre kanë treguar vlera arti edhe para kombeve tjera.” Z.Anton Marku prezantoj botimin e antologjisë së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri, i botuar në dy gjuhë, shqip dhe gjermanisht. Nga krijimtaria e tyre lexuan poezi Anton Marku, Besim Xhelili, Kurt Gostentschnigg,  Mërgim Osmani. Z. Kamil Weiner, përkthyes, regjisor e publicist në fjalën e tij në një shqipe të rrjedhshme mes tjerash tha: “Jam themelues i shoqatës “Besa” në Sllovaki e cila nxori edhe revistën mujore në shqip “Besa”, ku shkruhej për problemet e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi në trojet tona. Kisha bashkëpunëtor të gazetës kroat, slloven e nga kombe tjera ku trajtoheshin problemet e Kosovës dhe shqiptarëve. Isha gjatë gjithë kohës së luftës në Kosovë si prijës i gazetarëve sllovak dhe çek. Kam përkthye disa vepra të autorëve shqiptarë në sllovakisht dhe të atyre sllovak në shqip” z.Weiner lexoi dy poezi në gjuhën shqipe. Ai mes tjerash tha: “Ne duhet të jetojmë për Shqipërinë e jo të vdesim për Shqipërinë”. Poeti shkodran Ragip Dragusha e entuziazmoi publikun me poezitë e tij “Breshka” dhe “Zana e Malit” duke i interpretuar ato bukur dhe me plotë pasion, për çka publiku e shpërbleu me duartrokitje të gjata. Mbrëmjen e ndihmuan edhe afaristë shqiptarë të suksesshëm, mes tyre edhe z.Lutfi Kabashi i cili shtroi darkë pritje për mysafirët.