Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Thani Naqo: Nëse unë vonohem

| E premte, 14.02.2014, 06:35 PM |


Thani Naqo

 

NËSE UNË VONOHEM?

 

Nëse unë vonohem, bëj durim,

Më mbaj në mendje edhe në gjumë.

Ëndrra do ndjellë një rrugë me kthim,

Të shohish gjurmët kur ika unë.

 

Nëse vonohem pi pakëz verë,

Nga gota ime që ti e mbush rrafsh.

Unë natën vij e, si çdo herë,

Me ajrin do hyj e s-kam pse trokas.

 

Nëse unë vonohem gjer në mëngjes,

I kallkanuar diku kam mbetur.

Mes pyllit zjarrin a, gjetkë e ndez,

Me verë ngjyej bukën e thekur.

 

Nëse vonohem e, ti s-ke durim,

Pije gotën e zhytu në gjumë.

Në pafsh ëndërr me rrugë pa kthim,

Një shekull do pres të vish tek unë.

 

13, Shkurt, 2014