| E enjte, 13.02.2014, 07:50 PM |
DËSHMORËT JANË KUJTESA MË E NDRITUR E JETËS NJERËZORE
Rajmonda Maleçka : “Mbollën gjak, mbijnë këngë”- I, botuar nga “Edlora” – Tiranë
Nga Milazim KADRIU
Në librin
me poezi kushtuar dëshmorëve të kombit “Mbollën gjak, mbijnë këngë”-me
përkushtim,” Kur trimëritë këndohen, jetojnë gjatë ...”, Rajmonda Maleçka u ka
kushtuar poezi 300 dëshmorëve që ranë në të tri luftërat e fundit çlirimtare.
Dëshmorët e përfshirë në këtë libër janë nga Kosova, Shqipëria, Kosova lindore
(Lugina e Preshevës), nga Maqedonia, një nga
Ndjenja e krenarisë kombëtare, shpirti i papërkulur i njerëzve të Kosovës, qëndresa dhe rezistenca e pathyeshme e tyre ndaj dhunës së ushtruar nga regjimet antishqiptare nëpër histori, janë dominuese në frymën poetike të autores së këtij libri. Dëshmorët janë burim i krenarisë dhe i lavdisë kombëtare, realitet madhështor dhe inspirim poetik. Ata bëhen kujtesë historike, motiv i fuqishëm letrar dhe shprehje e mallit dhe e dhembjes së thellë njerëzore. Në përshkrimin e këtyre figurave, hyjnë ritmet e trimërisë, qëndresës dhe sakrificës, të cilat përshkohen me tone elegjiake, melankolike dhe krenare. Këto aspekte sajimi të imazheve artistike, artikulohen me mjeshtëri në përshkrim e këtyre figurave të përmasave kombëtare.
Dëshmorët e kombit ishin rreze dielli, në qiellin e errët shqiptar. Ata ishin bijtë dhe bijat e kësaj toke që me heroizmin e vet shkruan faqen më të ndritshme të historisë sonë. Flaka vullkanike e lirisë e ndezur në zemrat e tyre u bë frymëzim dhe zgjoi botën artistike të krijuesve e me këtë rast edhe të Rajmonda Maleçkës, që të reflektojë poetikisht në ndriçimin e këtyre figurave legjendare, të cilat janë më meritorët që ne sot jetojmë të lirë në Republikën e Kosovës.
Zëri i kësaj poeteje u bë artikulim i dëshirave të kolektivitetit për të pasur nderim dhe admirim ndaj dëshmorëve , të cilët u bënë gur themel i lirisë së Kosovës.
Autorja ka arritur të prezantojnë një pamje realiste për 300 dëshmorët e që është prezantim edhe për të gjithë dëshmorët e kombit. Ajo përshkruan fuqishëm portretet, tiparet dhe gjithë veprimtarinë atdhetare të tyre që do të jetë inspirim për gjeneratat e ardhshme që ta ruajnë atë që ata e arritën me luftën dhe jetën e tyre.
Poezitë e shkruar në këtë libër nuk dallojnë shumë nga njëra – tjetra për nga stili dhe natyra e ndërtimit të tyre dhe bashkohen mes vete në subjektin e përbashkët : - dëshmorët dhe sakrifica sublime për lirinë e Kosovës.
Poetesha shfaqet si udhëtare e përkujtimit të dëshmorëve për në rrugën e lirisë. Ata na vijnë nga të gjitha anët e hartës etnike shqiptare, na vijnë me ngjyrime të ndryshme të përjetimit të luftës, dhembjes, sakrificës, mallit, krenarisë, qëndresës, përkujtimit dhe lutjes. Në këto poezi është shfaqur mirë ndenja e përjetimit të luftës nga afërsia në nën qiellin e Kosovës, flaka e së cilës ka shënuar pashlyeshëm etapën e përbashkët të jetës në një kohë me dëshmorët, por jo edhe fatin e madhështinë e njëjtë me ta.
Qëndresa, rezistenca dhe lufta e dëshmorëve është artikulimi më i mirë i patriotëve sypatrembur që ruajtën traditën e pushkës nga stërgjyshërit e tyre, duke u bërë vetë vazhdimësia fisnike e dëshmorëve të parë. Vështrimi i vrasjeve dhe dhunës etnike mbi shqiptarin e Kosovës është i përshkruar edhe nga prizmi i largësisë së afërt, duke ardhur si pamundësi e pjesëmarrjes në rezistencë, por jo edhe në dhembjen e ndarjes dhe krenarinë e kombit.
Në raport me të ardhmen, dëshmorët janë kujtesa më e ndritur e jetës njerëzore, jo vetëm shqiptare ngase liria nganjëherë shprehet si parim universal i jetës njerëzore, që s’do shlyhet nga qenia kombëtare asnjëherë, janë subjekti i falënderuar fuqishëm në faqet e kohës, janë ditari i së djeshmes, i lexuar me respekt, dhe janë bardhësia shpirtërore, morale dhe njerëzore për të cilët shqiptarët gjithmonë do t’i luten Zotit.
Figura e dëshmorit na ilustrohet përmes emrave që bartin kuptime sublime në kontekstin nacional shqiptar. Është plisi që bart bardhësinë shqiptare, është çiftelia që bart këngë e refrene sublime për Shqipërinë, krenarinë, traditën dhe edukimin patriotik. Është pushka, trajta materiale më e përflakur dhe më e rëndë e reflektuar nga shpirti liridashës dhe trimëror i dëshmorëve.
Të shkruash për dëshmorët në fakt nuk do të thotë asgjë tjetër, veçse të përkulesh para vepër së tyre monumentale, që është bërë për ne dhe kështu do të jetë edhe për brezat e ardhshëm shqiptarë.
Këto poezi nuk mund të lexohen pa ndjenje pikëllimi, nuk mund të lexohen pa ndjenje të mburrjes, asaj mburrjes që quhet historike. Të gjitha këto poezi të shkruara për këta dëshmorë të përfshirë në këtë libër, por edhe të gjithë ata që nuk janë përfshirë, në mënyrë të vetëdijshme janë nisur në rrugën e vetëflijimit, të gjithë ata kanë lënë dikë e diçka pa menduar a i lënë përkohësisht a për gjithmonë dhe kapën armën e hynë në luftë për çlirimin e Kosovës. Duhej të derdhej gjak, që masa e gjerë e popullit tonë në Kosovë, të bindej se liria nuk mund të vinte as duke iu lutur Zotit dhe perëndimit dhe me as premtime mashtruese.
Që të njihet sa më mirë ajo kohë e lavdishme duhet që krahas ngritjes te varrezave të dëshmorëve, busteve, monumenteve, përmendoreve, pllakateve përkujtimore etj, të botohen edhe libra me qëllim të ngulitjes sa më shumë të përfytyrimit të luftës që ngjau, për ti krijuar dhe për ti lënë një gjurmë sa më të thellë në kujtesën e njerëzve, jo vetëm tash por edhe me të ardhmen .
Librat e tillë e mundin harresën për të kaluarën, e sidomos për luftën e lavdishme të UÇK-së . Edhe këto poezi në këtë libër si dhe librat e tjerë, ua siguron dëshmorëve dëshminë e përjetësisë së tyre. Dëshmorët vinë në të sotmen dhe do të kujtohen në të nesërmen. Me këto poezi u bëhet nderim dëshmorëve për të kaluarën e lavdishme, por duke mos pretenduar në asnjë moment se nuk është i mundshëm shpagimi . Nderimi është për të kaluarën, respekti për të sotmen dhe të ardhmen. Libri ofron edhe dëshmi për mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë çlirimtare, të luftës të cilën e imponoj dhuna shekullore që u ushtrua mbi këtë popull.
Dalja në dritë e librave për dëshmorët, në kohen kur qarqet e caktuara anti shqiptare po bëjnë përpjekje ta satanizojnë luftën e drejt çlirimtare,është një kundër përgjigje e moralshme kundër këtyre qarqeve dhe të gjithë atyre, që pretendojnë ti zhvlerësojnë përpjekjet çlirimtare të popullit shqiptar,si dhe gjakun e derdhur rrëke për liri, drejtësi e barazi shoqërore. Këtë libër me poezi për dëshmorët sigurisht se do ta mirëpresin lexuesit e sidomos liri bërsitë dhe liridashësit që mund ti hasim anë e kënd trojeve shqiptare. Me leximin e këtyre poezive krijohet përfytyrimi për heroizmin, atdhedashurinë, virtytet, trimëritë e figurave me përmasa kombëtare të UÇK – së, në luftë të pa barabartë me një pushtues terrorist e kanibalist, i cili e ka sulmuar Kosovën dhe shqiptarët,me terror e krime në vepër si dhe me urrejtje patologjike në shpirt. Dëshmorët të cilëve u kushtohen këto poezi, po edhe ata të cilët do të përfshihen në librat tjerë, i përkasin kësaj kohe të lindur për mundime, heroizëm e mos përkulje. E patën fatin të përgjaken, sepse nuk e pranuan nënshtrimin, tjetërsimin as asimilimin. Autorja e këtij libri madhështorë meriton respekt për punën e mundimshme e vlerë të pa krahasueshme për prezantimin e dëshmorëve dhe të kësaj historie të re krenare.
Cilido prej këtyre dëshmorëve simbolizon feniksin e lirisë, që rilind dhe do të rilind nga hiri i tij i shenjtë, në çdo kohë e në çdo cep të Shqipërisë Etnike. Dëshmorët në përgjithësi jo vetëm të luftës së fundit janë dëshmia, krenaria e vula historike e lirisë së Kosovës që na frymëzon për vepra të mrekullueshme letrare e historike.
Ky libër është i mirëseardhur për të gjithë ne, për atdheun e për çdo pjesëtarë kombi që e do dhe e shijon lirinë e ardhur nga lufta çlirimtare dhe nga gjaku i derdhur i këtyre dëshmorëve. Këta bijë të popullit shqiptarë dëbuan nga vendi i tyre bishat karpatiane në pranverën e vitit 1999 ku fal gjakut të tyre Kosova sot e gëzon lirin. Në këto poezi janë skalitur kujtimet më të mira për dëshmorët, të cilët kishin ëndërr çlirimin e vendit dhe bashkimin kombëtarë.
Edhe ky libër mendojmë se do të shkëlqen ne mesin e shumë librave të tjerë kushtuar dëshmorëve, atyre që nuk kursyen asgjë nga vetja për çlirimin e vendit. Këto poezi kanë vlerën më të madhe sepse e kanë burimin nga zemra.