| E merkure, 12.02.2014, 08:14 PM |
Haxhi Muhaxheri
1. LUMENJTË E ZEMRËS
Ditët rendin mbi njëra tjetrën
E dashuria më përvelon
Fjalë e pathënë keqas më tretet
Edhe pse në shpirt ngahera më vlon
Mendjen ma lexon moj lehtas si në përrallë
E mallin e fshehur heshtja jote e kall
Një frymëzim i dehur seç më rrjedhë damarëve
E lumenjtë e zemrës ndizën flakë
Kur një ditë prapë bashkë të jemi
Diellin vjedhurazi do e fus në gji
Vargjet në letër do të përligjen
Në këngën qëkurthi filluar për ty
2. LEGJENDA PËR DASHURINË
Në malin e harrimit
Ndrit një yll
Që shëron
Plaget e shpirtit
Në thellësinë e zemrës
Mbin një trëndafil
Rreze e fshehur për ty
Në rrugët
Që humbëm
Shkruhen
Legjenda për dashurinë
3. YJET DO NA KENË ZILI
Edhe pse udhët na janë ndarë
Ne bashkë jemi
E dashur
Frymojmë nën të njëtin qiell
I njëjti diell na ngrohë
Moj
Në ëndrra shpesh takohemi
E dashurisë
I japim shpirt
Orët po luten për ne
Të gjitha nyjet
Do të zgjidhen
Prapë kemi për ta lozur
Vallën e Psherëtimave
E yjet do na kenë zili
Haxhi Muhaxheri lindi më 4 qershor 1967 në Kosuriq të Pejës - Kosovë. Shkollën fillore e ka kryer në Gllogjan të Pejës, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet (letersi dhe gjuhe) i ka vijuar në Univesitetin e Prishtinës. Haxhi Muhaxheri ka qenë kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, editor i Shtëpsë Botuese "Pena", kryeredaktorë dhe bashkëpunëtorë i disa revistave dhe gazetave.
Veç gazetarise, shkruan edhe poezi, tregime dhe kritike letrare. Haxhiu ka marrë çmimet e para për poezi në Takimet e Gjeçovit në Zym dhe në Sofra poetike në Drenas. Është themelues dhe udhëheqes i Portalit "Ora shqiptare" dhe i Revistës elektronike "AlbPlanet".
Që nga viti 1999, jeton dhe krijon në Austri