| E marte, 11.02.2014, 08:11 PM |
POEZI NGA QAZIM SHEHU
ZOGJTË
Avionët imitojnë zogjtë a zogjtë avionët
Më tepër se zogj avionë ka.
Prandaj pranvera vjen vonë,
Dhe shiu me tërbim ra.
Si plojë në lojë, në destinacione,
Me krahë duralumini të ftohtë,
Atje ku ajri i rralluar fryn me fronte,
Duket shkojnë të trembin zogjtë.
Të vijnë drejt nesh, po zogjtë nuk vijnë,
Ikin përtej ,më larg se demonët,
Në vend të tyre mbi shtëpitë
Na ulen e na çmendin avionët…
ARRATIA
Vete tjetër për të kërkuar,
Nga vetja ime u arratisa,
Edhe pse larg kisha shkuar,
Veten e parë dot s`e bitisa.
Ajo ishte aty, një akuarium i ngrohtë,
Me copa të vjetra të shembëllimit,
Dhe më thoshte se e kisha kot,
S`arratisesh dot përmes trishtimit….
SHTËPIA NË FSHAT
Kanatat e portës së madhe mbërthehen
Nga heshtja.
Një vandak gjethesh të thara afroi vjeshta.
Pas tyre ajo, e thjeshta shtëpi,
Ëndrra përtyp çdo natë,
Të ndizet një dritë në shkallare,
Dikush për erën të hapë një dritare.
Ëndërron pret…kush s`po vjen,
Njerëzit humbën çelsat arrative
Vetëm era kuis si qen
tjegulla rrëzon prej çative…
SHIU TROKET PA NDËRPRERË
Në xhamin e qorruar,
Shiu troket pa ndërprerë,
Si t`i kenë hedhur ujë të valuar,
Më duket këtë herë,
Ti je larg apo ngjitur lart,
Si në Kopshte të Babilonisë,
Ky shi ritmin e ikjes dot se mat,
Një sekret s`mundet të mërmërisë.
Ndonëse ngulmon e ngulmon,
Si kujtesa ime e lodhur,
Me frymën time një perde avulli çon
Drejt peizazhit tënd të ftohur…