| E diele, 09.02.2014, 08:55 PM |
Vaçe Zela (7 prill 1939-29 nëntor
1944)
Nga Kastriot Myftaraj
Vaçe Zela
vdiq fizikisht në 6 shkurt 2014, por ditëvdekja e saj artistike është 29
nëntori 1944. Në këtë ditë të vendosjes së diktaturës komuniste që e izoloi
Shqipërinë, Vaçja praktikisht u
Diktatori komunist Enver Hoxha me djallëzinë e tij, duke e ditur krimin që kishte bërë ndaj artistëve si Vaçe Zela, sajoi për të gjoja një sukses ndërkombëtar duke e çuar të këndonte në skena të rreme, siç ishte rasti i festivalit të Bashkisë së Dizhonit në Francë, ku merrnin pjesë grupe folklorike amatore nga Europa dhe Afrika. Vaçes nuk iu dha mundësia që të bënte një karrierë të vërtetë ndërkombëtare si këngëtare profesioniste. Ekuivalenti i Vaçe Zelës në Jugosllavinë e Titos ishte Tereza Kesovija, një këngëtare kroate, e cila ishte gjashtë muaj më e madhe se Vaçja si moshë. Tereza Kesovijën Titoja e lejoi që në moshën 24 vjeçare të shkonte të këndonte në Itali, dhe në dy vitet në vazhdim ajo shkoi dhe këndoi në Gjermaninë Perëndimore, Zvicër, Danimarkë, Norvegji, Suedi, Finlandë. Vetëm në dy vite Tereza Kesovija shkoi në aq shumë vende sa Vaçe Zela nuk do të shkonte deri në 1991.
Në 1965, kur Tereza Kesovija ishte 27 vjeç, ajo u vendos me banim në Francë, ku u bë një këngëtare e njohur dhe nisi një karrierë europiane. Ajo shkonte shpesh edhe në Jugosllavi për koncerte dhe për pushime, madje në 1972 ishte ajo që përfaqësoi Jugosllavinë në Eurosong. Nëse Tereza Kesovija do të kishte pasur zërin e Vaçe Zelës ajo do të kishte pasur sukses më të madh. Në fillim të viteve tetëdhjetë, kur Vaçe Zela praktikisht e ndërpreu karrierën e saj, Tereza Kesovija vazhdonte të këndonte në skena gjithandej botës. Është e sëmurë thuhej si nën zë për Vaçe Zelën. Sëmundja e Vaçe Zelës ishte e ngjashme me atë të një bilbili që e kanë futur në një bunker. Tereza Kesovija vazhdoi të korrë sukses në skenat botërore gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, vazhdoi të këndojë në vitet nëntëdhjetë, në dekadën e parë të shekullit të ri, dhe vazhdon të këndojë ende. Kurse Vaçja kishte tre dekada që ishte zhytur në melankoli.
Sot u mbajtën ceremonitë zyrtare të nderimit të Vaçe Zelës, nën drejtimin e vetë Kryeministrit Rama, por që në fakt ishin ceremonitë e poshtërimit të saj. U thanë shumë fjalë për Vaçen, por e vërteta për të nuk u tha. Se ata që ishin tubuar kinse për ta nderuar Vaçen e duan ish-diktaturën komuniste dhe posaçërisht Enver Hoxhën, shumë më tepër se Vaçe Zelën. Ideja qëndrore e të gjithë atyre që u thanë për Vaçen ishte se sa fat të madh pati Vaçja që u rrit dhe i jetoi në kohën e Enver Hoxhës vitet kur duhet të lulëzonte talenti i saj. Në këtë ceremoni Vaçja u përdhos edhe një herë nga mediokrit të cilët gjendeshin atje për të thënë se ata ishin në atë ngjarje. Një ish-ushtarak bufon që artikulon marrëzinë e vet në faqen e parafundit të Gazetës “Zëri i Popullit”, duke folur me ton ushtarak tha se Vaçja që lindi në ditën e parë të pushtimit këndoi këngët e dëshmorëve dhe heronjve që luftuan që të çlirohej Shqipëria dhe të këndonte Vaçja aq bukur nëpër skena. Por më keq se ç’ u izolua Vaçja në Shqipërinë “e çliruar” nuk do të ishte izoluar në Shqipërinë e pushtuar, sikur pushtimi të kishte vazhduar deri në 1991. Se në kohën e pushtimit italian dhe gjerman shqiptarët mund të udhëtonin lirisht në gjithë Europën.
Kryeministri
Rama ishte kryepërdhosësi i Vaçe Zelës në këtë ceremoni. Ai bëri gjithçka që të
dukej se ishte veçanërisht i preokupuar për mbarëvajtjen e funeralit. Së bashku
me Fate Fantastikun që i rrinte pas, Edi Rama shkoi në Teatrin e Operës dhe
Baletit rreth orës 19 të ditës së djeshme për të parë përgatitjet për homazhet.
Ishte menduar që homazhet të bëheshin në holl. Edi Rama urdhëroi që ato të
bëheshin në sallën e koncerteve nga ku duhet të hiqeshin të gjitha karriget.
Rreth mesnatës Rama shkoi përsëri për të mbikqyrur punimet. Në një momen kur
Edi dhe Fatja po rrinin ulur dhe po bisedonin, dikush nga ata që drejtonin
punimet kërkoi që të vinte shpejt një elektricist. Fatja u cua instinktivisht
në këmbë, por Edi Rama e kapi për mënge dhe e uli përsëri në vend.
Ajo që bëri diktatura komuniste me Vaçen i ngjan asaj monstrës prej betoni që ka bërë i ati i Edi Ramës, Kristaq Rama në Varrezat e Dëshmorëve, dhe që e quajnë “Nënë Shqipëri”, ndonëse në dorën e ngritur lart mban vetëm yllin sovjetik dhe jo simbolin kombëtar që është shqiponja dykrenore. Edhe diktatura e mori vajzën e talentuar Vaçe Zela dhe e keqpërdori talentin e saj në atë masë sa sot nëse kërkon që të bësh një album me këngë joideologjike të Vaçes, e ke të pamundur që ta bësh këtë gjë, se janë shumë të pakta këngët joideologjike që ka kënduar ajo. Pra, Vaçe Zela nuk u privua thjesht nga karriera e madhe ndërkombëtare që meritonte, ajo u privua edhe nga karriera normale që duhet të bënte cdo këngëtare e talentuar.
Unë jam i bindur se Edi Rama pavarësisht nga fjalët që tha për Vaçen, e urren atë, se ai si artist i dështuar urren çdo artist të talentuar, aq më tepër një supertalent natyral si Vaçja. Vaçe Zela dhe Edi Rama në fakt janë anë të së njëjtës medalje të trishtuar të diktaturës komuniste. Vaçe Zelën nuk e pranuan në Liceun Artistik në Tiranë, megjithë talentin e saj evident. Kjo ndodhi se diktatura komunist kishte plan edhe talentet që duhet të nxirrte çdo rreth. Në vitin kur konkuroi Vaçja nga Lushnja kishte shkuar dikush tjetër, dhe përgjithësisht shkonin njerëz që kishin mbështetjen e nomenklaturës komuniste, ose që i përkisnin kësaj. Shembull për këtë është Edi Rama që u pranua në Liceun ku u refuzua Vaçja vetëm se ishte djali i skulptorit të oborrit të Diktatorit, Kristaq Ramës. Vaçja ishte aq e përmbajtur sa nuk e tha kurrë se cila femër mediokre nga Lushnja shkoi në vend të saj në Lice. Vaçja nuk e bëri dot as shkollën e lartë (Konservatorin) për këngëtare, çka do të thotë se talenti i saj nuk u përpunua siç duhet. Ne nuk e dimë sesi do të kishte qenë një Vaçe me konservator. Në 1957, kur ishte Vaçja 18 vjeç, shkonin studentë shqiptarë në shkollat e larta të vendeve komuniste, por që kishin shkolla muzikore me traditë të madhe, si Rusia, Çekosllovakia, Hungaria, Polonia, Gjermania Lindore etj. Vaçes nuk iu dha e drejta për të shkuar në këto shkolla. Por talenti i Vaçes ishte aq evident kështu që ajo u bë gjithsesi këngëtare. Por atë e çuan ironikisht në Estradën e Ushtarit, ndonëse më pas nga turpi thanë se e dërguan në Ansamblin e Ushtrisë.
Vacja do të ishte bërë një artiste e madhe edhe nëse në Shqipëri nuk do të ishte vendosur regjimi komunist. Edi Rama, përkundrazi nuk mund të ishte bërë artist dhe profesor në një universitet arti nëse në Shqipëri nuk do të ishte vendosur regjimi komunist. Edi Rama është i vetëdijshëm se karriera e tij është e ngritur mbi krimin ndaj Vaçe Zelës, se mbi këtë krim është e ngritur karriera artistike e Kristaq Ramës, nënprodukt i së cilës është karriera artisitike e Edit. Edi Rama i vërtetë nuk është ai që shtiret sikur e ka përjetuar thellë zërin e Vaces, duke thënë fjalë të tilla si ajo qe tha ne fjalimin e tij se ai e ndiqte tre ditë festivalin e këngës në kohën e komunizmit vetëm për tre minutat që do të këndonte Vace Zela. Nëse do të kishte qenë kështu, Kryeministri në pritjen që dha për artistët në nëntor do të kishte kërcyer duke kënduar një këngë të Vaçes dhe jo tahllavanë e Naplonit. Shumë pak vetë e dinë se ate natë, Kryeministri pasi këndoi vargjet: “E kush kërcen Naplonin,/nusja me gjithë dhonrin”, tha: “Nusja është Shqipëria, dhëndrri jam unë!” Paralajmërim orgurzi po të kihen parasysh precedentët e këtij dhëndrri të shumëfishtë me nuset.
Nuk është dhe aq rastësi që Vaçe Zela vdiq pikërisht në 6 shkurt. Kjo ditë gjëmëmadhe duhet të jetë ngulitur thellë në subkonshin e saj për shkak të fjalimit të përbindshëm që mbajti në këtë ditë Enver Hoxha dhe që i hiqte Vaçes së cdo shpresë se edhe për të do të hapej rruga e karrierës artistike ndërkombëtare. Ata që i bënë homazhe qeveritare Vaçes në fakt donin ta përdornin 6 shkurtin e 2014-ës për të pastruar e 6 shkurtin 1967-ës. Vaçja vdiq në mënyrë domethënëse në vitin jubile, sic quhej në kohën e diktaturës komuniste, të 70 vjetorit të clirimit, por pa e arritur këtë ditë. Se ajo, e lindura në 7 prill 1939, ishte viktima e madhe e 29 nëntorit 1944.