| E enjte, 06.02.2014, 08:22 PM |
Poezi rumune
Dumitru Tâlvescu
MAGJI STUHIE
(Farmec de vânt)
Ndryshe po rrahin erërat, ja
Trishtimi është një hap i gabuar
Muaj me rradhë fytyra e saj s’ka buzëqeshur
Fshihen ngadalë, kujtimet e bukura.
Nganjëherë, vetëm një reze dëbon brengat
Fjala mugullon nga fjala
Drita e bardhë, shpërthen
Nga fjalitë
Që veshin, pastaj
Fjalë të vjetra me kuptime të reja.
Vetëm rruga është e pafatshme
E trishtë dhe e pambrojtur
E rrahur nga erërat, në pambarim.
KUJTIME TË GËZUARA
(Amintiri vesele)
Kam fuqi për përkëdheljen e
Gjurmëve të puthjeve të motshme
Të harruara si në një libër në raft.
Mund ta kundroj feksin e lumturisë
Shikimin tënd dukshmërisht të rrudhur .
Kur koha të magjeps ironikisht
Shëmbëlltyrat, me hije, ndjehem
Se jam fitimtari i ditës shterpe
Mes iluzioneve pronar, por më kot
Kaloj një vit pastaj dhe tjetrin...
Në albume duket se s’jam ai që isha!
DET I TRISHTË
(Mare trist?)
Rëra e zezë, guacat e bardha, breg i shkëputur,
Nga gjerësia, natë e ditë, i heshtur
Vala e azdisur shpërndan pëshpëritje
Ndaj tjetrit që vjen, qoftë ditë a natë.
Një tjetër faqe në librin e detit
Në kapituj, fryti i pafajësisë
Me risi marine
Duke patur aroma fine.
Në breg, letra e shishe të zbrazta
Gjurmë hapash
Kujtime të braktisura
Tufë të azdisura të rinjsh
Puthje e hije të vjedhura
Dhe shënime
Të zalisura në mendime
Për kohët e shkuara
Që këngëtojnë...
I vetmuar, poeti kundron detin.
I rritur mbi poema
Pregadit shtigjet
E një lindjeje pa frikë
Se do të bashkohet horizonti.
PËRMALLIM
(De dor)
T’i dëgjova shputat, me veshët
Shihja gjurmët e hapave tu duke parë
Si po presin lindjen e rrugës së drejtë.
Qesh i mallkuar nga to, të pres
Të rrjedhin së bashku hapat tu
Së bashku me dëgjimin tim
Në një kohë iluzore e të rëndë
Gjithmonë të paparashikueshme.
NOSTALGJIA E TË DASHURËS
(Nostalgia iubitei)
Të fshijmë si në shkollë buzëqeshjet e gjata
Të kulluara mbi duar, në faqe e në lotë
Rrëshqitja e butë e ngrohtë e përmallimit
Të pakaluar në kujtime e mungesë vuajtjesh
Hija, thirrja, e përhirta e ngjitur në retinë
Hapat e saj të kundruar vetëm përpas
Trupi i ndezur në fustan të kuq, rrugës së shkretë
Ku as zemra nuk po troket,
Ajri i saj prej një vere me erëtimë bajamesh
I degdisur mes gërshetave mënjanë
Hapi e zëri i saj dhe sytë
Të zhytur në kundërmim sorkadhesh, të dehin
Përfytyrimin e saj drejt rrugës së kujtimeve
Ku as vendi e as gjendja
S’mund të ndalojnë përgjasimin
Në thellësi duke ulëritur...
FLUTRA NË STOMAK
(Fluturi în stomac)
Ja nisjet e të njëjtave emocione
Krenare e me gjeste të ngadalshme
Që i kundrojnë bashkëshortët.
Mendimet e mira mbështeten mbi supe
Me gërsheta duke e mveshur zemrën
Në mesditë, buzëqeshin me ëmbëlsi
Sytë e njerëzve ende po shndrisin.
LOJË
(Joc)
Je fshehur si në një zgërbonjë!
Sytë kundrojnë me një vështrim sorkadhesh
Puthja e kullosës kur vjeshta po degdiset
E proshk perëdnimin duke i thënë të shkojë
Gjëmime të ditës, të ngjitur mbi kuaj të bardhë.
PËRMALLIM
(Dor)
Heshtjet e larta ku janë?
Të degdisura fushave apo në pushim?
(Apo çapëlojnë nën therra?)
Vetëm mendimet më kthehen në shtëpi
Përzjerje iluzionesh e fërgëllimë shpresash.
Dita po derdh brenga të përhirta
Shpirtërat duke i shoshitur me vështirësi.
Sa ëndrra po lind moj dashuri
Dhe sa përmallime më kërkojnë mua?
PRITJA E DIMRIT MË DYSH
(Întâmpinarea iernii în doi)
Stuhia i ngriu buzëqeshjet, ëndrrat
E lëvarura në fushë kah bregu i ditës
Po mbledh dëborën te këmbët.
Shikoja se si po zhyteshin horizontet
Fijet e dëborës duke recituar hymne
Dhe ngrenin harfe e ngrehnin kordha
Pranë puthjeve tona të nxehta...
Shkrihej me mahnitje dëbora
Pranë mahnitjeve tona...
Dhe atëherë isha!
Kurse qielli në terrin e tij buzëqeshte.
PAVDEKËSI
(Nemurire)
Koha po ngatërrohej me ditët
I gëlltiste pa i përtyrur
Kujdes vetëm ndaj netëve
Nga to shpresonin një gjest përgjasimi
Duke e zbutur dhe etjen me ëndrrat e tyre.
TRANSFORMIM
(Transformare)
Prekja e saj e bardhë
Me gishtërinj të gjatë.
Shikimi i saj i qartë
Mbi mendime vetëm heshtje të vonuara
Lind përmallime ndërmjet iluzionesh.
Zëri i saj po zbret mes degëve
Si një lojë nërmjet mështeknave
Dhe mbaron në gjethishte
Ngadalë e qetë. Unë poashtu.
DUKEN KUAJT E BARDHË
(Apar caii albi)
Trile të gëzuara, po lind sërish pylli
Mes drurëve, duke mbëltuar mahnitjen
Mes mendimeve me fije të bardha
E bashkuam perëndimin mes reve.
Në lëndina ku sutat e zeza pjellin
Vijnë kuajt e bardhë e kullosin së bashku.
TË KËRKOJ
(Te caut)
Fjalët e pathëna buzëqeshin mes shikimesh,
Sytë tu s’e mashtrojnë flatrimin e kuajve të bardhë,
Ata janë të lumtur duke kërkuar në dritën e daljes,
Ku t’i kullosin përherë të rinjtë mendimet e tyre,
Duke ëmbëlsuar iluzionet kur faniten perëndimet.
Ngjyra e tyre është vetëm një paqartësi,
Përndryshe, sytë tu e miklojnë pyetjen time inerte.
PAQARTËSI
(Incertitudini)
Të jesh prore pranë, jo brenda, mahnitje e madhe!
Thuajse stinët nuk ekzistojnë fare për ty!
Artist i përgjumur me metafora në penë.
Qartësinë e dëborës mos e prek
Lëri rrugët e palindura si vend fluturimi,
Dhe hartën e hapave që do të vijnë,
Mendime degdisëse të panumërta, dhe ato të qarta,
Gurrë psherëtimash, prekja e rëndë e shikimeve të saj.
Thuajse s’do të vijnë ditë të tjera të bardha,
Fërgëllimë shpresash shpeshtake të palindura,
Drejt buzëqeshjes së palindur, shkrepje shpeshtake,
Kah buzëqeshja e palindur e shikimit,
Sytë më shumë se shikimi,
Në lartësi duke u ngjitur, duke heshtur e harruar,
Vendin ku po tubohen ëndrrat.
Unë, ai gjithmonë pranë teje e jo brenda,
Kërkoj përgjasimin në dhembjen e tij
Kuptimin e stinëve të paplleshme,
Flatrimin e zogjve memecë kah altaret e vjetra
Prej nga vestalet mbledhin vetminë si një jehonë.
MUZG
(Amurg)
Muzgjet janë bakërzuar më kotë,
Nuk ka kurreshtarë që t’i shohin.
Tani koha po fshihet nën shtratin e kullosës,
Duke u degdisur nëpër tufishta, trishtime që pyesin
Për kuptimin e tyre brigjeve, kur humnera i gëlltit
Duke i thithur me mëri, si një pasqyrë e thatë.
Atje rrinë të fshehura ngjyrat e natës,
Duke luajtur tinëzisht, me yje në psherëtimë.
Madje dhe kujtimet ndalen një çast, në mendime
Para se të hidhen në valë, pranë degëve.
SIHASTËR*
(Sihastru)
Sërish është hëna e hidhur, qielli plot yje
Me një zbraztirë gjigantike, e mbulon botën me to.
Shtroj rrugëve të zbrazta, gjurmë hapash, të kaltërt
Dhe sjell, prore më pranë, dëshira, mes sihastrësh.
Nga vendi ku lindin përgjigje, apo pyetje të pathëna
Tuboj, drejt perëndimit, dhembje e ndruajtje të fshehta,
Kolendra* ngricash që fshehin në boshllëk asgjësinë.
Duke stërpikur mbi pyje, drita si askush tjetër.
________
*Sihastër - Njeri i tërhequr nga bota në kohë lutjesh. Figurativisht, person
që jeton i izoluar, i tërhequr nga shoqëria, apo një plak që jeton në vetmi.
*Kolendra – këngë të Krishtlindjeve.
ILUZION DIMRI
(Iluzie de iarn?)
Mjegull është, ta presish me sakicë,
Apo me sopatën për drurë,
Mbi dëborë bën shenjë,
Mendimi i degdisur, pa një cak,
Si një arushë, kureshtare dhe e ashpër,
Dhe bien mendimi në humnerën e tij
Me mendimet e tjera, si në mbarim.
Në shpirt iluzionet tentojnë të të dëbojnë
Madje dhe duan të mugullojnë.
NGRICË
(Ger)
Përroi nuk po lëviz se është i gjerë
I plandosur, i palëvizshëm, i kafshuar
Nga ngrica, e ka fshehur mes gurëve
Nuk ka tani se si ta dehë
Buzëqeshjen e dëborës së pashkrirë
Duke kërkuar gjurmë valësh inerte.
PËR DIMËR
(De iarn?)
Dimri i kërkon kohës durim,
Është ngricë e ftohtë, ora e rëndë mbi shtigje
Përrreth, dëborë e madhe, tepër e trashë
Pat harruar të ikë nga shtëpia.
Koha e ditës përpiqet sërish, të mugullojë,
Dita e qetë, duke paralajmëruar pranverën.
Me përkëdhelje, fryn mbi pisha një erë e lehtë,
Duke zgjuar ngadalë, nga gjumi i tyre
Pesë suta dhe një sorkadhe.
ILUZION
(Iluzie)
Sot psherëtijnë kujtimet,
Nuk po gugasin, të gëzuara,
Ndërmjet reve,
Zbresin mbi tokë,
Oficer i doganës te portat e mallit,
Buzëqeshja mugullon mes rrudhave.
I patën tharë rrudhat e fëmijërisë,
Nuk derdhen të qarta, drejt rrjedhës
Është vetëm një zbraztirë e qetë,
Atje ku era e azdisur e mahnitjes,
Lind pa e pavërejtur, iluzione përmallimi.
ËNDËRR
(Vis)
Poezia madje është një kënd
I mirë atdheu!
Një vend ku lulet nuk ngurrojnë
Të çelin edhe në rrugë,
Vend që i mungojnë trishtimet,
Shenjë e mirëseardhur,
Për të zbardhur agimet.
PËRBËRJA
(F?cerea)
Mendimet ende të pashprehura përgjojnë,
Presin shtigjet e parrahura nga ëndrrat,
Shikime ende të papërshtatshme për shitje,
Duke shpresuar, së bashku, të lindin,
Në qoshe rrugësh ku hijet faniten
Për të mbledhur e kullotur bërthama drite.
Më ka kapluar malli për dritë, veneroj i heshtur
Ditë e natë, mes iluzioneve, i degdisur.
MEDITIM
(Medita?ie)
I dëboj mendimet si do edha,
Them përralla pastaj, për hyjnitë.
Pasqyra të bardha në mesditë,
Duke kërkuar një cak, të dëborës,
Stërkuqen largësitë,
Me shkëlqime tejmatanë horizonteve,
Duke thënë thjesht, mirëdita!
Pa ngazëllime të përkëdhelura.
PËR PËRPJEKJEN PËR TË MË RIGJETUR
(Despre încercarea de a m? reg?si)
Në pyjet pa krahasime,
Uni im i shtrin flatrat,
Duke hijësuar horizontin e pakufishëm,
Që i ndan iluzionet nga drita.
Mbetet i vendosur në mëndje, qetë,
I ngulfatur mes ëndrrash.
E vërteta nuk don të zbresë,
Rruga drejt lartësisë po fluturon,
Uni im është për tepër i rëndë.
I dhembin flatrat.
E PAMUNDUR
(Imposibil)
Mund t’i zbresish mendimet në shuplakë,
T’i numërosh, nëse ke mundësi,
Pastaj t’i ledhatosh ngadalë të gjitha.
Lexuesi në yje nuk të lë,
I kthen ëndrrat në ëndrra,
Shtëpia e tyre, në tjetër qiell.
Kur po zbret,
Flatrat e tyre janë vetëm iluzione
Të buta, vetëm iluzione...
Flatrim i lodhur kurilash,
E kaplon sferën e përmallimit.
Mbi platformën e botës,
Askush nuk shkruan vargje.
I GJITHËFUQISHËM
(Atotputernic)
Po hesht, mor zjarr!
Përse më nxit me flakërime të bardha?
Mendimet e mia ndizen dhe pa ty,
Ato madje skalisin iluzione e degdisen,
Për hijeshi,
Por ti?
PANTHA
Kaloi dhe një ditë, një faqe tjetër
E shkruar në shpresa e mendime më të mira,
Dhe e mbushin librin e jetës me ty,
Me ta, me ne, madje edhe me mua,
Apo me shpresën për përmbushje, të rilindë
Një tjetër ditë, e përgëzuar apo e hidhur,
Apo me zhgënjime të shkreta në shkretëtirë
E vende të lumtura nga të cilat nuk po vjen.
PAQARTËSI YJORE
(Incertitudine astral?)
Vetëm sutat e varfëra, nëpër pyje të shkreta
Humben në mjegull, si gjethet që i bart stuhia
Gjurmët e tyre, të trembura, vënë peceta
Rrugës së kaprojve të verbëruar nga malli. Tani
Qielli i përmbysur në kaltërsi
Zgjedh rrugën e zotit diell
Rrugë e butë,
Me shtigje gjarpëruse
Shenjë e tymit të palindur.
Fshatrat, të skalitura brigjeve të thata, rrugës
Gjallërojnë përmes acarit të shndërruar në shkrumb,
Gjatë ditës e mundin natën, tani.
Minutë pas minute,
I dërgojnë shenja dimrit të shkuar.
IMAZH NGA FSHATI
(Imagine din sat)
Ja, patat! Kanë kuptuar dhe ato
Zërin e përmallimit ta ftojnë.
Shungëllon lugina, nga britmat
Shqetsimet t’i shuajnë.
Kurse lumi, qetë duke rrjedhur, të mundë
Përmallimin e rritur mbi penda e këngëtime.
IMAZH ME KUAJ TË BARDHË
(Imagine cu cai albi)
Kuaj të bardhë, mbrojtës të heshtur, mes ëndrrave
Mbushin shpraztirën mes nesh, me stolisje elegante.
Lëndinat tona nuk po lindin mendime, as fjalë,
Derisa kuajtë e bardhë po e kërkojnë çiftin
Duke ëndrruar kohëra të reja, pa palë.
OBSERVATOR I HARLISUR
(Observator nedumerit)
Vallë, heshtja e butë, e vlagtë, nën vetulla,
Kur po e sjell hijen e saj, pranë?
Çapkën i harlisur me unin tim të ngrohtë,
Ja se si vjen një valë e re iluzionesh! Po zhytem,
Dhe po pres e po kërkoj të përlindem,
Gjurmë të zhytura thellë në shikime,
Përjetimet e hidhura po degdisen.
Hijet po ikin në drejtim të mbrëmjes,
Në pasqyra simetrike, muzgu po i zhyt
Gjurmët e shëmbëlltyrës së saj, lëvizjet
Gjestet e saj, që nga duart e poshtë,
Shikime të harlisura e të fshehta,
Fytyra e levarashtë...
E rrumbullaktë endet me heshtjen,
Nëpër shkretëtirën e hidhur përrreth.
Vetëm kuajtë e bardhë, duke hingëllirë natën
Duke e ftuar në heshtje ditën, më gjashtë.
BIOBIBLIOGRAFI
Dumitru Talvescu u lind në Brashovë të Rumanisë (4 maj 1954). U shkollua andej-këndej, në Deva, Tërgu Zhiu dhe Bukuresht, duke lexuar deri në zalisje, që atëherë e deri më sot. Gjente prehje në trojet e shkrimit, së pari nga dashuria ndaj zonjushes Rodika, pastaj ndaj një tjetre, Liliana, derisa nga mosha e beqarisë s’i interesonte tjetër veçse gërhatjet romantike të një çapkëni të lazdëruar. Kështu pra, nisi të frekuentojë klubin letrar Columna në Tërgu Zhiu, ku kritikonte çdo gjë që mundej, por me një farë dashurie të veçantë e me talent. Vite me rradhë u hodh në luftën e jetës, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët. Nga vitet ’80-të nuk pat shkruar, por e përkujton me dmirim e kënaqësi çastin kur e pat parë emrin në faqet e shtojcës letrare Scanteia Tineretului (Shkëndija e Rinisë), të ditores lokale, Gazeta Gorjului... Dhe ja kështu, nga vitet ’90-të kur iu rikëndell talenti, së pari nëpër gazeta, pastaj nëpër shtëpi botimi, duke nxjerrë në dritë gjashtë libra deri më sot: Viti dhe fëmijët e tij; Shtigje ndërmjet pasqyrave; Pronar iluzionesh (prozë), Observator i pavendosur (poezi). Me Giselën dhe Karrocën me ar, e përgëzon publikun me dy romane mbi jetën e Sëkërëmbit dhe jo vetëm... Dhe lexon gjithmonë, shkruan dhe s’i harron ofshamat ndaj kohëve të këqia që po i përjetojmë, duke u munduar të gjejë më shumë hijeshi përrreth. I vjen mirë... Lexon dhe shkruan... Më 5 qershor të këtij viti nderohet me çmimin e merituar për poezi. Akorduar nga Shoqata Pro Isis në Orështie, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, edicioni 2013. (Përktheu: B. Y.)