| E hene, 03.02.2014, 09:05 PM |
Investimet Turke në suaza
afatgjata nuk janë të sigurta!
Demokracia dhe Islami “së bashku” kanë dështuar në Turqi
Apelet Europiane dhe Amerikane për kujdes në bërjen e biznesit me Turqinë, duhet të vlejnë edhe për ekonomit shqiptare, pasi ne kemi nevojë me shumë se çdo kush tjetër në partneritet të shëndoshë dhe të sigurtë.
Shkruan Ramiz Selimi
Projekti apo besimi nga kryetari i tanishëm Erdogan, se mes forcave politike turke mund të gjendet një mes i artë pajtueshmërie, për të funksionuar demokracia, tani më është konfirmuar si i dështuar. Forcat politike për pushtet ndërmjet konservatorëve islamik të Erdoganit dhe grupeve fetare të islamit ekstrem kanë marr një dimension tjetër, apo komplet të kundërt me demokracinë e vërtet. E siç është e ditur, demokracia e vërtet në Turqi kurrë nuk ka ekzistuar. As në të kaluarën, as në të tashmen, edhe më pak me aktorët e tanishëm politik, por, në as të ardhmen, nuk shihet një dritë në horizont për përmirësime pozitive në drejtim të demokracisë.
Turqia
mbetet një vend i ndarë politikisht , që po thellon gjithnjë e më shumë
mosmarrëveshjet për pushtet.
Pyetja është se çka do të ndodhë me Turqinë në vitet që vinë? Tani më është e sigurt se projekti “shteti dhe feja së bashku” këtu dështuan. Ata kanë dy alternativa, të kalojnë në një shtet fetar, që nuk do të mirëpritej nga bota demokratike, ose të promovojë demokracinë e vërtet, duke ndarë shtetin nga feja. Forcat që do të kishin prioritet vetëm kombin, nuk janë në numër të mjaftueshëm për të qeverisur vendin. Vitet e ardhshme janë shumë të paqarta edhe për investimet ekonomike, që mund të sjellin shumë të papritura. Në këtë turbulencë nuk do të mbesin bizneset e paprekura. Ajo që me shtyri ta shkruaj këtë tekst, janë pikërisht investimet nga ky shtet, që janë në numër me të madh në rajonet shqiptare. Qeveritë shqiptare duhet të jenë syçelë dhe të kenë shumë kujdes në ndarjen e tenderëve për kompanitë turke.
Kjo luftë për pushtet mes forcave islamike fetare, do të thellohet edhe më shumë, sa që i ka mjegulluar kufijtë e realitetit për të ndikuar të demokratizimi, kështu që kjo luftë për pushtet, do ta rrisë korrupsionin, do ti rrisë parregullsitë dhe apetitet për shumë fonde.
Është e vërtet se ekonomia turke në dhjet vitet e fundit kishte rritjen më të madhe ekonomike, por, gjithashtu është e vërtet, se e gjitha kjo është bërë me biznese të palejuara dhe larg formave demokratike, siç ishte rasti në armatimin e Iranit dhe furnizim me substanca atomike. Porosia e fillimit që proklamonte Erdogani për një klasë myslimane të mesme, ka dështuar thellësisht, këtë e vërtetojnë edhe miqtë e deridjeshëm (Amerikanët ), tani kjo shoqëri kërcënon të zhytet në skandalet e veta të korrupsionit.
Protestat e vazhdueshme të vitit të kaluar rrezikojnë të eskalojnë edhe më shumë gjatë këtij viti, do ta kenë të pamundur turqit të menaxhojnë problemin në të cilin vetë janë futur. Zbulimi i skandaleve të korrupsionit dhe të parregullsive bankare që mbajnë lidhje direkt me Iranin në investime, do të jetë pikënisja apo fundi i një shteti “demokratik” të proklamuar nga Erdogani.
Problemet e tanishme janë edhe kundër erës së aleatëve të tij, të cilët vendosen sanksione ndaj Iranit, prandaj aleatët (sidomos amerikanët) janë jashtëzakonisht të dëshpëruar me politikat aktuale turke. Bizneset turke në Kosovë nuk do të mbesin të paprekura nga rrjedhat që do të pasojnë. Apelet për kujdes të ekonomive Europiane dhe Amerikane në bërjen e biznesit me Turqinë duhet të vlejnë edhe për ekonomit shqiptare, pasi ne kemi nevojë me shumë se çdo kush tjetër në partneritet të shëndoshë dhe të sigurtë.
Problemi i Turqisë dhe ndërhyrjet me forcë në shuarjen e protestave, pastaj burgosjet, është parë nga gazetarët dhe ekspertët ekonomik , si e “shtënë” në të gjithë harkun e politikës së Erdoganit. Ai është përvjedhur në veprime gjithnjë e më shumë nga rrjedhat e zakonshme demokratike, por, edhe nga aleatët e tij në muajt e fundit. Kjo kauzë ka të ngjarë të jetë vetëm maja e ajsbergut për mbulimin e dështimit të idesë së tij “Shtet dhe fe së bashku”. Për ndryshe protestat nuk do ta shqetësonin, ai do ti lejonte hetimet për korrupsionin dhe bizneset e parregullta me Iranin. Pengesa e vënë qindra punonjësve të policisë për të penguar prokurorët gjatë hetimeve, tregon qartë, se investimet nga ky shtet në suaza afatgjata janë të pasigurta.
Pushteti i vërtetë në Turqi nuk rrjedhë nga Parlamenti, e as nuk rrjedhë nga populli. Në varësi të interesave të ndryshme, ai është i kontrolluar nga jashtë dhe në interesa individuale të elitave të ndryshme. Pa instalimin e të drejtave themelore, që duhet të jetë pika e fillimit për një " paketë serioze të demokracisë ", nuk mund të ketë biznese të sigurta dhe në suaza afatgjata. Turqia është shembull tipik, se si nuk duhet vepruar në parimin të ndarjes së pushteteve midis sovranit dhe përfaqësimit. Bizneset shqiptare duhet te orientohen nga Europa, sepse aty është ardhmëria e tyre.