Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Mirënjohja e Dr. Matathia për shqiptarët

| E diele, 02.02.2014, 06:22 PM |


Mirënjohja e Dr. Zino Matathia për shqiptarët që i mbrojtën nga Hitleri

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Në ditën ndërkombëtare të Holokaustit famëkeq që kreu masakrën më të madhe botërore duke zhdukur 6 000 000 hebrenj nga Hitleri, po sjellim pranë jush Dr.Zino Matathia.  Dr.Matathia është një nga figurat më të spikatura intelektuale izraelite, i lindur dhe rritur në Shqipëri.

Dr. Matathia cila është historia e familjes suaj, dhe kur kanë ardhur parardhësit tuaj për herë të parë në Shqipëri?

Matathia, Mattatia dhe Matatiau është i njejti mbiemër, në Izrael përdoret dhe si emër, dhe ka kuptimin: "Dhuratë e Zotit".  Matathiat, rrjedhin nga fisi i Hashmonai-ve, që ka jetuar në Judë, në Veriperëndim të Jeruzalemit.  Matatia luftoi kundër Antiokusit IV, në shekullin e dytë para Krishtit.                                                                                    Antiokusi i IV, i detyroi hebrenjtë të paguanin taksa të rënda dhe e ktheu Tempullin e shenjtë të tyre në një tempull të Zeusit, ndaloi të nderohej dita e shtunë, ndaloi cirkumcizionin, fëmija që ishte bërë synet, së bashku me nënën dhe familjarët, dënoheshin me vdekje.  Matathia vrau përfaqësuesin e Antiokusit dhe së bashku me pesë djemtë e tij dhe me shumë pasues, filluan revoltën e armatosur.  Njeri nga djemtë e tij, Jehuda, për aftësitë e tij ushtarake dhe forcën fizike, u quajt Makabi që në hebraisht ka kuptimin "çekiçi". Mbas vdekjes së Matathias qe i biri, që udhëhoqi hebrenjtë drejt fitores, çliroi Jeruzalemin dhe e bëri përsëri Tempullin, Tempullin e Zotit.  Në kujtim të kësaj fitoreje festohet Hanuka-ja, ajo është festa e dritës, fitorja e shpirtit mbi forcat brutale që kërcënonin Izraelin në jetën e tij shoqërore dhe fetare.

Dinastia e tyre, mbretëroi në Judë nga viti 140 B.C. deri në vitin 37 B.C.  Ata restauruan dhe forcuan institucionet politike dhe fetare të Izraelit të lashtë.  Historia e tyre është shkruar në librat e shenjtë hebraikë dhe të krishtera, nga historianë të ndryshëm, por dhe nga një bashkëkohës, Flavius Josephus.  Zbulimet arkeologjike në Izrael, vitet e fundit, kanë nxjerrë në dritë një gur ku është shkruar për revoltën e Makabinjve dhe Hanukanë, guri daton shekullin e dytë para Krishtit.  Ne vitin 37 gjenerali romak Pompeu pushtoi Jeruzalemin dhe vuri mbret Herodin e madh. Në vitin 135 mbas revoltës së Bar KOLBA, perandori Adrian i Romës, ja ndëroi emrin Judës dhe e quajti provincë siriano palestineze.

Legjenda thotë se 2.000 vjet më parë një anije e nisur drejt Romës me një ngarkesë plot e përplot me skllav- hebrej nga Palestina e kishte ndryshuar drejtimin, e detyruar nga stuhia e detit, duke i lëshuar ata në brigjet e Ilirisë.  Romakët nuk bënë përpjekje për t'i kapur skllavët hebrej të ikur dhe menduan se ata do të zhdukeshin sa prej kushteve natyrore aq edhe prej kafshëve të egra.  Sipas të dhënave gojore të familjes Matathia në këtë anije ishin të gjithë pjesëtarët e kësaj familje që po i çonin në Romë, për t'i poshtëruar, të kalonin të lidhur nën harkun e fitores së romakëve dhe se romakët nuk i ndoqën, nga frika e Ilirëve që banonin në këto zona dhe se në atë kohë ishin në luftë me ta.

Enciklopedia Hebraike nuk e përmend legjendën e anijes së humbur, bile nuk i përmend as romaniotët si pasardhës të “Valës së Parë” me përjashtim të kësaj legjende, asnjë fakt tjetër nuk gjëndet për të lidhur “Romën” me “Romaniotët”

Sidoqoftë dihet se familja Matathia ka jetuar në shekuj në brigjet Ilire, sot Greqia veriore dhe prej andej, kanë ardhur në Shqipëri rreth vitit 1850.

Stërgjyshi im Isak Matathia me gruan e tij dhe me të vëllain, Jozefin, ishte i pari nga familja jonë qe ka ardhur në Vlorë, dhe varri i tij ndodhet në fshatin Tragjas.  Dihet me siguri se Matathiat janë Romaniotë sepse ata ishin shqip dhe greqisht folës dhe asnjë nga ata nuk dinte Latino, që përdoresh nga të gjithë ata që e kishin prejardhjen nga Spanja.

Cilat janë disa nga kujtimet e prindërve për mikpritjen e familjeve shqiptare dhe si shpëtuat nga kthetrat e forcave naziste gjermanë?

Familja jonë asnjëherë nuk e ka fshehur identitetin e saj dhe e ka ndjerë vehten si vendas dhe jo “si trup i huaj".  Hebrenjtë shqiptarë gëzonin të drejtat e feve kryesore, pamvarësisht se ishin pakicë.  Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe hebrenjve kanë qenë shume të mira.  Me sa di unë dhe me sa shkruhet dhe nga Harvey Sarner, shumica e hebrenjve shqiptarë, në vitin 1910-1912, shërbyen në ushtrinë shqiptare dhe u lejohej të kryenin ritet e tyre fetare.

Në dokumentat zyrtare përmendet se në vitin 1920 Mateo Matathia, ka luftuar për clirimin e Vlorës nga pushtuesit italian.  Në atë luftë si dhe në evenimentet e mëvonshme, përkrah Mateo Matathisë kanë qenë edhe Nesim Levi e Jozef Kantozi.  Xha Mateo ishte një nga themeluesit e odës së tregëtisë në Vlorë dhe sekretari i saj dhe më vonë antar i Këshillit Bashkiak.  Mateo Matathia, Pepe Levi së bashku me patriotë të tjerë si Ibrahim Shyti, Ali Asllani, Musa Jonuzi, dr Ali Mihali, Jani Minga, Reis Golemi, Kristo Karbunara, Murat Tërbaci, Ahmet Muka, pasuruan bibliotekën e Vlorës.  Per 22 vjet biblioteka e Vlorës ishte në ndërtesën e familjes së Mateo Matathias.  Në nderim të hebrenjve populli i Vlorës ka emërtuar një rrugë "të hebrenjeve", një rrugë  Mateo Matathia dhe një Pepe Levi.  Gjatë Luftës Nacionale Clirimtare, të gjithë hebrenjtë kanë ndihmuar luftën kundër pushtuesve materialisht dhe moralisht, ka pasur partizanë dhe 8 dëshmorë.  Prinderit e mij Ilia Matathia dhe Hrisi Matathia kanë mjekuar partizanë dhe kanë strehuar ilegalë.

Ahmet Zogu u përpoq t'u jepte strehim në Shqipëri të gjithë jahudinjve që do ta dëshironin.  Zogu shpalli liri individuale fetare për shqiptarët.  Kushtetuta e vitit 1928 garantonte se: “Të gjitha fetë dhe besimet nderohen dhe sigurohet liria e praktikimit të tyre. Feja nuk mundet të krijojë në asnjë mënyrë pengesa juridike dhe nuk mund të përdoret për qëllime politike.”  Për herë të parë e të fundit në vitin 1929–1931, u bë regjistrimi i lirë i hebrenjve në Shqiperi, gjë që nuk ishte bërë kurrë më parë as në Europë. U ligjërua që dita e shtunë është ditë pushimi për hebrenjtë, si dhe ju dha e drejta të kenë faltoret e tyre.  Jeta e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës italiane ishte mjaft e zakonshme.  Me sa shihet në atë kohë nuk kishte nevojë për t’u fshehur dhe ditët e shenjta të hebrejve celebroheshin në mënyrë të hapur.  Gjyshi im (nga nëna) Isak Cohen i ka dërguar letër mëkëmbësit të mbretit Jakomonit dhe i kërkonte që shtepia e tij në Durrës, të përdorej dhe për Sinagogë.

Gjendja ndryshoi krejtësisht me pushtimin e Shqipërisë nga nazistët gjerman.  Në bullgari dhe në Maqedoni hebrejtë jo vendës iu dorëzuan gjermanëve.

Sipas tregimeve të prindërve të mij dhe me ato pak që mbaj mend, në kohën e pushtimit të Shqiperise nga ushtria naziste: vitet 1943-1944 hebrenjtë e shqipërisë kanë qenë shumë të rrezikuar, sidomos mbasi gjenerali SS Joseph Fitzhum zëvendësoi gjeneralin Neubacher.

Familja Matathia, gjyshi im, së bashku me djemtë e tij: Zakino, Ilia, Josef, David, me nënën time, Hrisi dhe me mua që isha 4 vjeç kemi ikur nga Vlora dhe jemi fshehur nëpër fshatra te miqtë familjarë si te familja Bano në fshatin Tragjas, Myzafer Kamberi në Kaninë, Idai Sheme Zanaj në Drashovicë, në fshatin Panaja . Po kështu u larguan nga qytetet, jo vetëm pjestarët e familjeve Matathia, por gjithë hebrenjtë e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë.

Familjen tonë dhe gjithë hebrenjtë e Vlorës i ka ndihmuar shume prefekti i asaj kohe Vizhdan Risilija dhe kryetari i bashkisë Myhedin Haxhiu (i arsimuar në Vienë).

Përfundimisht duket se Fitzhum urdhëroi që hebrejtë e Vlorës të arrestoheshin dhe të transportoheshin drejt Reichut bashkë me Gjermanët që tërhiqeshin.  Mbështetur dhe në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësisë hebraike në Shqipëri, Rafael Jakoel dhe Mateo Matathia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë ("Shoah"), iu drejtuan për ndihmë Mehdi Frashërit.  Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit.  Ata shkuan të takonin me ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin.  Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur.  Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve.  Deva ia doli që t'i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve, përkohësisht.

Në të vërtetë, avancimi i partizanëve e prishi këtë plan dhe hebrejtë shpëtuan.

Gjatë bisedave me të afërmit tuaj apo dhe vetë personalisht qoftë dhe njëherë të vetme keni ndjerë ndonjë lloj persekucioni si hebrej?

Në Shqipëri nuk kemi vuajtur asnjëherë antisemitizmin, as nga populli, as nga qeveritë që ai ka patur. Burgimet dhe sekuestrimi i pasurive të fisit tim, nuk ishin antisemitizëm, ishin luftë klasash.  Regjimi i Enver Hoxhës, nuk ishte antisemit, por anti Izraelit,”Izraeli është kobure e imperializmit amerikan” thoshte Enver Hoxha.

Ju jeni një doktor kirurg shumë i njohur, profesionin e mjekut e zgjodhët vetë apo ju ishte imponuar?

Thjesht ishte dëshira e prindërve të mi të cilët me durim arritën të ma transmetonin edhe mua gradualisht. Kur përfundova gjimnazin më doli e drejta e studimit për

histori-gjeografi dhe jam i sigurt se jeta ime do të ishte vërtetë me më pak emocione, por do të kishte kaluar shumë më e qetë. Specialitetin e kirurgjisë e zgjodha vetë.

E dua shumë si degë, me gjithë vështirësitë e saj.

Cilat janë disa nga kujtimet më pikante gjatë operacioneve me pacientët e ndryshëm shqiptarë të cilëve ju keni shpëtuar jetën, apo dhe në klinikat e tjera jashtë vendit ku keni shërbyer?

Mjekësia, në përgjithësi dhe kirurgjia në veçanti, ka për qellim t'ju shpëtojë jetën njerëzve dhe në rastin më të keq t'ju lehtesojë vuajtjet.

Për mua i vetmi kriter për vlerësimin e punës sime ka qënë mirënjohja e njerëzve, e pacientëve, familjarëve dhe shokëve të tyre.  Punë dhe shpëtim jetësh?  Ky është profesioni i kirurgut, kjo është detyra e tij.  Mirënjohja është një nga vetitë më të mira që e zbukuron njeriun, një nga vlerat më të bukura njerëzore që lumturon si atë që e jep, sigurisht dhe atë që i drejtohet. Të them të vërtetën lumturohem kur më thonë një fjalë të mirë, kur më përshëndesin, kur më shtrëngojnë dorën, kur më buzëqeshin dhe më thonë faleminderit.  Në këto 43 vite të punës sime si kirurg, kam operuar me mijëra të sëmurë, por mbaj mend dy ose tre raste i kam humbur dhe gjithmonë kam menduar: "Po ta kisha operuar x ose y ndoshta do të kishte shpëtuar dhe vuaja, vuaja shumë".

I emocionuar dhe shumë krenar kam qenë, kur së bashku me dr.Barjam Balën, në vitin 1999, kam qenë pjesë e spitalit ushtarak Izraelit, në ndihmë të popullit Kosovar.

Keni pasur ndërhyrje nga lart gjatë kohës së regjimit komunist për miqtë e tyre gjatë operacioneve të ndryshme që keni kryer?

Në ndonjë rast dhe ka patur, është normale edhe në atë kohë ka patur ndërhyje për miqtë dhe shokët.  Unë po kujtoj tjetër problem.  Kur punoja në Berat, isha shef i shërbimit spitalor dhe ambulator dhe kryetari i komisionit mjeko ligjor.  Një ditë më thonë se në mbledhjen e këshillit popullor, të komitetit egzekutiv, kryetari i nje kooperative, që ishte dhe hero i punes socialiste tha se Dr.Zino u jep gjithë armiqve të pushtetit popullor punë të lehtë. Ai thoshte të vërtetën, në Berat ishin internuar shumë ”armiq” dhe në familjet e tyre, kishte shumë të moshuar dhe të sëmurë dhe nga komisioni kishin marrë cfarë u takonte në bazë të ligjit.  Të nesërmen shkova te sekretari i parë dhe ja shpjegova shqetsimin tim.  Ai më tha se ti je mjek dhe bëj punën tënde, puno i qetë.

Cila është përvoja juaj si mjek në Izrael, dhe si e shikoni ndryshimin midis spitaleve shqiptare dhe izraelite?  Si e shpjegoni që të gjithë fëmijët e qeveritarëve dhe vetë qeveritarët nuk kurohen në Shqipëri, por shkojnë jashtë saj, a nuk është fort e dhimbshme për një mjek kjo gjendje?

Do ta shtjelloj pyetjen pak më ndryshe.  Nga përvoja e shkollës shqiptare të mjekësisë dhe kirurgjise arrita të marrë jo vetëm licencën e mjekut, por dhe titullin “Specialist në kirurgjinë e përgjithshme” dhe të më njihet grada ”Doktor i shkencave mjekësore” dhe të bëhem antar i shoqatës së mjekëve të Izraelit dhe shoqatës së kirurgëve specialist.

Ndryshimin e nivelit të spitaleve?  Ju i jeni përgjigjur: se ku kurohen qeveritarët dhe fëmijët e tyre.  Ndryshimet jane të tilla sa duhet të bëhen përmirësime në mënyrën e mësimdhënies, ekonomike, etike, sociale etj.  Duke filluar nga më e “Vogla”, lufta kundër korrupsionit dhe që i sëmuri nuk është “Objekt pune” se mjekësia është profesion shkencë dhe art, se duhet dhe shumë dashuri, shumë dashuri për njeriun….

Bashkëshortja juaj është shqiptare ortodokse nuk është me origjinë izraelite, keni pasur pengesa nga familja juaj për t'u martuar?

Vali eshte mirëpritur që ditën e parë nga familja ime.  Ajo ka qenë si bijë për prindërit e mij dhe e ka merituar me dashurinë kujdesin dhe mirësinë e saj për ta.

Sot ju jetoni në Izrael, gazeta NY Times ka shkruar për largimin e Izraelitëve nga Shqipëria, si u pritën atje dhe konkretisht cili është interesimi i izraelitëve për Shqipërinë dhe ndërkohë veprimtaria juaj atje?

Une jetoj në qytetin Karmiel, në Galile, Veriu i Izraelit.  Një qytezë me rreth 50.000 banorë, që siç e përmend kryetari ynë i Bashkisë ka që nga çerdhet deri universitet.

Sa për artikullin e “New York Times” po ju citoj një publikim të Ylli Polovinës: Gazetari i saj Henry Kamm duke iu referuar shkrimit të Tel-Micha Bar-Am në të përditshmen “Jerusalem Journal” me titullin “Hebrenj të gëzuar që vijnë nga një planet tjetër, Shqipëria, shkruan: Dr. Zino Matathia tha : "Ne shpresojmë që Shqipëria së shpejti do të bëhet demokraci...” Gazetari Henry Kamm i “New York Times”, gjithnjë duke iu referuar shkrimit të Tel-Micha Bar-Am në të përditshmen “Jerusalem Journal”, sa herë që e citon nënvizon se Zino Matathia është doktor.  Pastaj i hap vend dukshëm fjalëve të tij se Shqipëria para Luftës së Dytë Botërore ka marrë refugjatë hebrenj nga Gjermania dhe Austria dhe i ka shpëtuar nga shfarosja fashiste.  Këtë artikull “New York Times” e shoqëron me një foto, e cila ka në diçiturë fjalët “Dr. Zino Matathia, një kirurg që erdhi nga Shqipëria”.

Ka një mirënjohje personale, shumë e çmuar, ka mirënjohje kolektive, për një grup personash, gjithashtu shumë e çmuar, por ka dhe nje mirënjohje kombëtare të një kombi për një komb tjetër, kulmi i mirënjohjes, mirënjohja sublime. Une jam i sigurt se kjo lloj mirënjohjeje është tipike në Izrael: mirënjohja e jeudinjve për shqiptarët.

Të gjithë besoj se mendojnë si unë që: dashuria për atdheun është një vlerë, ky është, siç thoshte i ndjeri prof.Llambi Ziçishti :”Facto ipso”.

Shqiptarët janë një popull i veçantë, me shumë vlera, i ndriçuar, me kulturë qytetare, njerëz energjik, plot vitalitet, trima dhe luftëtarë, besnik, shumë besnik, janë dhe njerëz shumë të bukur, qe dinë të gëzojnë, të gëzojnë bukur dhe me finesë.

Janë një përzierje e bukur poetësh dhe luftëtarësh.

Shqiptarët flasin një gjuhë të pasur, elegante, që të përkëdhel shpirtin dhe veshin.

Osho thotë për dashurinë se nuk është lidhje, është të lidhesh, unë këtë e ndjej thellësisht kur bëhet fjalë për dashurinë për Atdheun.

26 Janar, 2014 - Staten Island, New York