Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lulzim Logu: Malet e mia dhe Ivani

| E premte, 31.01.2014, 10:06 PM |


MALET E MIA DHE IVANI…

“I really love Bjeshket e Nemuna and you - the albanians who live in such a harsh conditions with such a hospitality. I shall always remember the tasty hot bread near Liqeni Markaj in the rain…”

NGA LULZIM LOGU

E njoha Ivanin krejt rastësisht disa vite më parë.Ishte mëngjes i hirtë fundvjeshte, mjegulla po ngrihej prej luginës së Valbonës dhe si një zog gjigant me krahë të nderur mbi maja malesh, po pushtonte gjithçka në hapësirë.Vërtet mëngjes, por po errësohej dhe nga çasti në çast pritej të binte dëborë.

Me kokën e mbështetur mbi xhamin e furgonit, ndërsa shkoja në punë, vështroja herë pas here nga alpet dhe me nostalgji kujtoja udhetimin tim më të fundit për në Majën e Hekurave, me grupin tim, pjesë e të cilit kishte qënë dhe Ganiu, kushëriri im, i cili papritur ishte ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Kur ishim ngjitur në majë dhe ai u mbështet në shtyllën e pikës trigonometrike, psherëtiu thellë, u mbush me frymë dhe me sy të trishtuar rroku krejt pejsazhin e mrekullueshëm alpin, pjesët dermuese të të cilit, i kishim shkelur me këmbë së bashku gjatë ekspeditave tona përgjatë njëzetepesëviteve, që nga bjeshka ku kishim kaluar një pjesë të konsiderueshme të fëmijerisë tonë të përbashkët pranë gjysherve tanë të shtrenjtë .

Je lodhur kaq shumë? E pyeta dhe i vura dorën mbi sup, ndërkohë që madhështia e pejsazhit dhe prespektiva e pamjeve më kishin ngazëllyer.

Nuk është lodhja Lul, por diçka tjetër! Dhe tregoi poshtë majës gjithçka shtrihej epike dhe mbresëlënëse, sikur të donte ta largonte tej vazhdimin e shpjegimit të asaj fraze.

Ganiu vdiq në dimër, në një kohë të egër, kur binte borë e akullt, që shtresohej mbi pemë si stalaktite në tavanin e një shpelle, nga ato që sa herë kishim rrezikuar ti eksploronim së bashku, ngjanin si lot të kthjellet të ngrirë mbi faqe, s’mund ta besoja se ai nuk ishte më, kishte ikur befas pa paralajmërim, përveç asaj fraze që ma kishte thënë atje në çatinë e botës…

Më bie zilja e telefonit, shkundem nga kujtimi i shtrenjtë për tim kushëri dhe pasionin tim të pashterur për bjeshkët dhe i pergjigjem telefonuesit  i cili më përshëndet në anglisht, më pyet nëse mundet të takohet me mua në shkollën time, do të mbërrinte atje pas pak.

Quhem Ivan, vij nga Bullgaria, patjetër duhet të takohemi bashkë!

I befasuar dhe i ndikuar sadopak nga zhurma e furgonit të vjetër e përshëndeta të panjohurin dhe i thashë se do ta prisja. Në shkollën time, mëngjesi është paksa i zhurmshëm deri sa ndizen stufat dhe ngrohet disi atmosfera, pastaj deri në pushimin e gjatë kaplon një heshtje koridoreve të saj, heshtje që atë ditë u prish nga hapat e rëndë të një burri të qethur fare shkurt, shtatlartë si malësor, me një çantë të madhe alpinistash në supe, ku padyshim binte në sy dhe një dyshek i mbledhur mirë, që kohëve të fundit ju dallohej turistëve që mbërrinin pa ja ndarë në Tropojë dhe ja mësynin Luginës së Valbonës.

Ky njeri që ngjiste shkallët e shkollës, me një buzëqeshje pafajsie dhe lumturie në buzë, trokiti në klasën time dhe u shfaq gjigand duke zënë krejt kuadratin e saj, ndërkohë që prezantohej dhe kërkonte leje të hynte brenda. Natyrshëm u ul diku në fund të rrjeshtit të parë, në një karrige bosh, u rehatua dhe u shpreh si ndjehej mirë në këtë atmosferë, ku nxënësit kuriozë e rrokën me sy dhe ndiheshin të etur të komunikonin me të edhe në anglisht.

Jam mësues edhe unë në Bullgari, kam studiuar për shkencat politike, e dua këtë profesion shumë, por më shumë dua malet. Jam ngjitur gati në të gjitha malet e njohura të Ballkanit dhe të Evropës, por më mire këto 5 vitet e fundit jam ndjerë kur kam bërë ngjitje ne Alpet shqiptare…Jezerca, Shkelzeni, Maja e Hekurave, Kollata…

Fliste shtruar, ngadalë dhe të bindte se gjithçka thoshte e ndjente dhe dëshironte me shpirt ta besonin, para maleve dhe befasive të ngjitjeve të rrezikshme, sipas tij shfaqej sfida e jetës, vetë mali është si jeta me të perpjetat dhe tatëpjetat e tij, kush e di dhe e ka kuptuar më së miri këtë, ja ndjen shijen asaj dhe ngjitjeve në majat e maleve, ku njeriu provon forcën dhe madhështinë e tij.

Më kishte gjetur , qe një rastësi e çuditshme fatlume fakti që të dy ishim ithtarë të përjetshëm të maleve dhe pyjeve, mund të ndrronim pa dilemë çdo resort turistik dhe çdo plazh të famshëm me një agim dhe zgjim në mal, me një muzg me pafundësi ngjyrash, me britmën rrëngjethëse të një lukunie ujqërish ao me gjurmët tronditëse të një ariu të vetmuar, me hapin e lehtë të dhive të egra që pijnë vesën e mëngjesit, me aromën e parezistueshme të bimëve alpine…

Dua të vish me mua ti ngjitemi Majës së Hekurave, kam mësuar se je një maniak i pandarë i maleve dhe ngjitesh çdo vit, ndaj dua të jem me ty! Më drejtohet kështu ndërsa ngrihet të fotografohet me nxënësit dhe kolegët e mi.

Hedh shikimin tutje mbi male, mjegulla e borës avitet e sigurtë mbi kreshta, më bie ndërmënd se vetëm gjuetarët e guximshëm ngjiten në kohë të tilla në lartësi, kujtoj humnerat dhe shpellat përplot akull, mbaj mend se nëpër borë jam ngjitur deri në Lke t’Ponareve, më tej s’kam mundur nga stuhitë dhe pengimi i mjegullës që populli e ka quajtur “kallukanxhë” për mizorinë e saj në shikimin e duhur në horizont dhe humbjen e mundësisë së orientimit.

Hepohem, tundohem si një adoloshent, njefarë ngazëllimi i brëndshëm rrufeshëm ngrihet nga brendësia ime, më shkon ndërmend miku im i udhëtimeve për gati çerekshekulli majave, Shaban Zenelaj, që e thërrasim Baci, gati pranoj, por në sekondën e fundit fiton momenti i maturisë mbi rebelimin djaloshar dhe e zhgënjej Ivanin i cili me sa dukej edhe nga informacioni që kishte marrë, besonte se kishte gjetur bashkëudhëtarin, mikun e rrugës dhe bashkëbiseduesin përreth historise, florës dhe faunës për të cilat kishte lexuar mjaft nga udhëtarët dhe kerkuesit e hershëm të alpeve shqiptare. Më përmendi Nopçen, Baldaçion…

Megjithatë i siguroj kontaktet e duhura përmes Bacit,, djem energjikë dhe të pasionuar që e përcjellin dhe bëjnë udhërrëfyesin deri mbi fshatin Markaj, aty mbi tokën time, në shpatet e gështenjave dhe livadhe, ai ngjitet vetë, orientuar me hartë, ndërsa unë e përcjell me sy dhe mëndje duke qënë gjithë ditën me të shpirtërisht, duke parashikuar rrugzat dhe shtigjet që ndjek në bjeshkët e mia të thepisuara, pa ujë, Të Nëmuna, por të mrekullueshme në peisazhin dhe pasuritë e tyre .

Kishte mundur të afrohej deri pranë Majes së Hekurave, aty bora e kishte bërë të pamundur vazhdimin, megjithatë ai mund të krenohej që ishte ngjitur aq lart dhe kishte rrokur me dashuri, pasion dhe këmbëngulje si një qytetar i botës, krejt peisazhin madhështor të Alpeve dhe Bjeshkëve të Namuna dhe besoj se kishte ndjerë aromën dhe joshjen magjike dhe të mistershme të Lugjeve të Verdha, bash vendit amë” të këngëve të ciklit të kreshnikëve, aty pranë Varrit të Omerit të pavdekshëm në vajin tronditës të Ajkunës…

Ivani i u kthye përsëri vitin tjetër, pasi kishte ngjitur maja të përmendura malesh kudo në Ballkan dhe Evropë si Athos, Kromovi, Glacier, Agrafa, Finsteraarhorn, gjithashtu pasi kishte vizituar qytete të ndryshme me ndikim dhe jehonë historike si Mostar, duke theksuar se “ ëmbëlsira për në fund” ishte Shqipëria me Korabin, Paplukën, Tomorrin, ishte Tropoja me Luginën e mrekullueshme të Valbonës…

Biseduam në një kafe në periferi për historinë dhe politikën, për netët zgjuar në male dhe humnera të frikshme, për përjetimet kur je i varur në fije të perit dhe i vetëm mbi hone pafund, për poezinë trevargëshe që aq mirë shkon në veriun shqiptar, tregoi për perkthimet e tij nga autorë shqiptarë që i ka rekomanduar të botohen në Bullgari, për fotot nga Valbona dhe me fëmijet e bukur që i vendos ne profilin e tij të Facebook-ut.

Për varfërinë dhe tronditjet sociale të krizës që kontraston sipas tij aq shumë me energjinë e njerëzve dhe pasuritë e pashtershme minerale, të florës dhe faunës dhe sidomos me shpirtin bujar dhe praktik të malësorëve.

Afron muzgu, i afroj të rrijë në qytet atë natë, ai vetëm buzëqesh, ngre çantën e rëndë mbi shpinë, tregon me gishtin tregues dyshekun alpin të lidhur në grykë të saj, hartën dhe busullën dhe bën me dorë nga rruga kah lugina e Valbonës dhe me thotë ta shoqëroj sadopak. Dhe mendoj nderkohë se ku do të mund të vendosë sonte trupin e lodhur, mbi ç’lëndinë do të pushojë, tek cili krua do të flladitet, me cilin shoqërues do të konsultohet në vazhdim…

Ai më ka lexuar mendimet, më vë duart në supe dhe më thotë:

Rri i qetë miku im, malet tua, por edhe të miat tashmë janë hoteli më i mirë për mua dhe mjaft bujar sesa gjithë hotelet e botës!

Dhe shkon ngadalë, me besim, me një lumturi foshnjërore në sytë e mëdhenj, me vendosmëri dhe pa shpjegime të tjera.

Asnjëherë nuk kam mundur as unë të shpjegohem përpara të tjerëve se përse më tërheqin kaq shumë malet, ngjitjet malore, rudinat alpine, borërat e përjetshme, shpellat dhe honet, pyjet halorë, bimët dhe kafshët, më është dukur gjithmonë naivitet të mundohem ta shpjegoj këtë apo aq më shumë ta krahasoj këtë dëshirë, ëndërr apo trill prej adoleshenti, shpesh më bie ndërmend një varg I një poeti të njohur skocez që ka shkruar:

“ më lini në male të vdes

Dhe shpresa vjen me mua…”

Ivani është një njeri i thjeshtë, ka jetën e tij personale, familjen dhe karrierën, aspirata shumëdimensionale, pjesë e natyrshme e të cilës mbetet dhe njohja, komunikimi dhe prezantimi i Shqipërisë dhe i viseve të saj më të bukura jo vetëm natyrore, por edhe tradita shpirtërore dhe kulturore. Bjeshkët e Namuna, Alpet shqiptare, Lugina e Valbonës tashmë janë pjesë e çmuar e margaritarit të tij jetësor që ai pa dilemë i formulon thjeshtë: Udhetimet e mia në male!

Të cilat i konsideron fragmente të paçmuara të jetës së tij, që I promovon modestisht, por realisht dhe ndershmerisht në çdo mjedis publik, intelektual dhe akademik.

Ivan Dinkov shkon dhe vjen në malet e Evropës dhe të Shqipërisë, vendi im i ka ngjitur sa nuk ka pranverë që ai nuk tundohet të kthehet, të takohet me miqtë dhe të ngjitet lart, gjithmonë lart, jeta i duket e shkurtër dhe ndoshta nuk do të mund ta mbarojë deri në fund misionin e tij, që është i thjeshtë dhe i vjetër:

“ Dashuria dhe kerkimi njerëzor, çdo ditë mund të jetë e fundit!”…

Shko dhe hajde prapë Ivan Dinkov në malet e mia, në malet e tua!

Nga TROPOJA, me 31 JANAR 2014