| E premte, 31.01.2014, 08:33 PM |
Unioni doganor – Kosovë dhe
Shqipëri
(Fjalim i mbajtur në Kuvendin e Kosovës, më 30.1.2014)
Nga Aurora Bakalli - Deputete e LB-së në Kuvendin e Kosovës
Takimi i Janarit në Prizren në mes të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës ngjalli debate dhe reaksione të ndryshme, të cilat shkonin në dy ekstreme, që nga nihilizmi deri në eufori.
Nuk ka dyshim se ky takim e ka rëndësinë e vet, sepse jo vetëm që ishte takimi i parë i dy qeverive të dy shteteve shqiptare, që pashmangshmërisht e bart edhe një simbolikë të rëndësishme politike, por për herë të parë krijohet baza për të kërkuar hapa dhe rezultate konkrete nga bashkëpunimi në mes të dy shteteve.
Një ndër këta hapa të rëndësishëm është edhe largimi i barrierave të ndryshme tregtare në mes të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës.
Po qe se i analizojmë pengesat tregtare të fundit të cilat lindën në mes të dy vendeve tona, si me rastin e çmimit referent për patatet e Kosovës në Shqipëri, pastaj rasti i çimentos nga ana kosovare ku vendosja e tarifës prej 35% për gjithë botën preku edhe Shqipërinë, si dhe masat e fundit të paketës fiskale nga ana e Shqipërisë me ç’rast efektohen të gjitha importet e pijeve alkoolike dhe në mesin e tyre edhe ato kosovare, si birra e Pejës dhe të tjera. Këto barriera tregtare duhet të na shtyjnë të mendojmë për një formë të veçantë te bashkëpunimit, ku Kosovës dhe Shqipërisë do t’u bëhet e mundshme që të mos përfshihen mes vete në masa të tilla të cilat në shumicën e rasteve bëhen me të drejtë për ta mbrojtur tregun dhe prodhimin vendor, mirëpo padashur dhe pashmangshmërisht (duke qenë dy shtete të ndara dhe të ndryshme) prekin njëra tjetrën.
Një gjë është e ditur: deri më tani ekonomitë tona kanë bërë rrugëtim të ndarë dhe me atë rast nuk është bërë e mundur që këto të zhvillojnë një ekonomi komplementare. Si të tillë do të mund t’u paraprinim zhvillimeve edhe në CEFTA dhe do të mund t’i evitonim masat të cilat i përmenda pak më lart, sepse duke komplementuar njëri tjetrin, nuk do t’i konkurronim njëri-tjetrit.
Ndër hapat që do të duhej të ndërmerreshin në këtë drejtim janë: unioni doganor i cili hap rrugë për tregun e përbashkët, si stadi më i lartë i bashkëpunimit. Ne do të duhej koncentruar në bashkëpunim tregtar dhe ekonomik në mes të dy vendeve tona, me qëllim të avancimit real të tregtisë. Aq më tepër, bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik do të na bënte faktor ekonomik në rajon dhe si të tillë edhe në të ardhmen, pas integrimit në BE, do të konsideroheshim më seriozë.
Pra, nga bashkëpunimi në mes të qeverive tona presim hapa konkretë dhe praktikë, të cilët jo vetëm që do ta integrojnë më shumë mes veti Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe do të jenë në dobi të qytetarëve tanë.