| E premte, 31.01.2014, 08:51 PM |
Damkosja e katërt e Vlorës në
historinë e së majtës shqiptare
Nga Kastriot Myftaraj
Qëkurse është krijuar shteti shqiptar, e majta ka ardhur katër herë në pushtet: në 1924, 1944, 1997, 2013. Në të katër këto raste ka qenë vendimtare mbështetja e Vlorës për të majtën. Në të katër këto raste Vlora është përdorur dhe pastaj është damkosur, stigmatizuar, në mënyrë që të kufizohej qasja e saj në pushtet. Në vitin 1924, forcat kryesore që sollën në fuqi qeverinë revolucionare të Fan Nolit erdhën nga Vlora. Ahmet Zogu e braktisi Tiranën kur mori lajmin se forcat nga Vlora ishin nisur drejt kryeqytetit. Para Revolucionit të Qershorit 1924, revolucionarët e kishin përkëdhelur Vlorën duke e varrosur atje Avni Rustemin nga Libohova, i cili ishte martiri i madh në emrin e të cilit u bë kjo lëvizje. Por me të ardhur në pushtet, revolucionarët nisën ta damkosin Vlorën, duke damkosur Organizatën “Bashkimi”, shpirtin dhe forcën e Revolucionit, shpirti dhe forca e së cilës organizatë qenë djemtë e Vlorës. Djemtë e “Bashkimit”, të cilët kishin krijuar dhe një brigadë revolucionare, e cila qëllimisht u shpërfill duke u quajtur “batalion”, kur erdhën në Tiranë u lanë të flenë jashtë, nëpër lulishtet publike, ndonëse kishte shumë shtëpi bosh të braktisura nga mbështetësit e Zogut, të cilët qenë larguar jashtë vendit bashkë me familjet. Qeveria revolucionare i la djemtë vlonjatë të “Bashkimit” në Tiranë pa strehë, pa punë, pa rroga, pa ushqim, duke u justifikuar se qenë shumë radikalë dhe nuk mund t’ i punësonte në polici, ushtri, administratë, ku mbetën në një masë të madhe njerëzit e Zogut. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo qeveria nisi t’ i akuzojë djemtë e “Bashkimit” për vjedhjet që ndodhnin në Tiranë, me arsyetimin se kështu e kanë zakon andej nga anët e tyre. Por kur Zogu u rikthye përsëri me forca të mëdha dhe qeveria revolucionare iku në panik nga Tirana, turma e pushtetarëve revolucionarë shkoi dhe e përplasi kokën në Vlorë, e cila u tregua e mëshirëshme me ta. Vetëm në sajë të djemve vlonjatë që ndalën në port një anije italiane që, për shkak të luftës që kishte nisur në Shqipëri po largohej me ngut nga Vlora, mundën të shpëtojnë qeveritarët revolucionarë, te cilet u larguan ne Itali.
Kur u krijua Partia Komuniste e Shqipërisë në 1941, shpresën për ta nisur luftën e vërtetë partizane e kishte te Vlora. Dhe vërtet kështu ndodhi. Lufta e Gjormit në dhjetor-janar 1943 ishte lufta e parë e vërtetë e partizanëve kundër italianëve. Nuk ishte si ato “luftërat’ e Myslim Pezës që rrinte 12 km larg qytetit të Tiranës dhe u këndonte italianëve nën hundë “Jam kaçaku i ferrës, ju rri te pragu i derës”, por duke mos u sjellë problem të vërteta. Nuk ishte as si lufta për çlirimin e Skraparit ku as vetë historiografia e kohës së komunizmit nuk thotë që të jetë vrarë ndonjë partizan apo Italian. Drejtuesve e partisë komuniste në atë kohë nuk u pëlqente që nga lufta e Gjormit dolën liderë komunistë që mund të rrezikonin edhe llogaritë e tyre për pushtetin e pasluftës, siç ishte Sadik Premte. Prandaj Enver Hoxha me klikën rreth tij në Tiranë shpallën atë që e quajtën si “Fraksioni i Vlorës”, duke i etiketuar drejtuesit e luftës në Vlorë si “trockistë”. Kjo etiketë iu vu djemve partizanë të Vlorës se ata nuk pranonin që të viheshin nën urdhrat e Dushan Mugoshës, të cilin Miladin Popoviçi e kishte dërguar si komisar të plotfuqishëm në Qarkun e Vlorës. Vetë Enver Hoxha në letrat e tij të kësaj kohe për Hysni Kapon, të botuara në kohën kur ai ishte në pushtet, pohon se i gjithë terreni në Vlorë ishte me Sadik Premten dhe shokët e tij. Sadik Premte, me energjinë e tij rrezikonte që të zinte vendin e Enver Hoxhës në krye të PKSH. Prandaj partizanët antifashistë të Vlorës, të cilët nuk pranonin të viheshin nën urdhrat serbe, u shpallën fraksionistë trockistë, madje edhe u etiketuan si banditë, të cilët kryenin vjedhje e grabitje të pasurisë së fshatarëve. Kjo ishte damkosja e dytë e Vlorës nga e majta, dhe damkosja e parë nga PKSH. Pasi Enver Hoxha e shtypi me dhunë të ashtuquajturin fraksion të Vlorës, ai, nga Vlora ngriti në udhëheqjen komuniste njerëz si Hysni Kapo, Manush Myftiu, Kadri Hazbiu, Rrapo Dervishi të cilët qenë burokratë të mirë partiakë dhe shtetërorë, por jo liderë. Kështu që nuk kishte rrezik që ata të bënin për vete ndjekës jashtë Vlorës dhe të rrezikonin pushtetin e Enver Hoxhës. Që Enver Hoxha kishte ditur të zgjidhte kjo u kuptua 40 vite më pas, kur në plenumin e Komitetit Qendror ku Enver Hoxha i tha Kadri Hazbiut “Unë propozoj të të arrestojmë”, ky burrë i cili kishte qenë ministër i Punëve të Brendshme për 26 vite, dhe ministër i Mbrojtjes për dy vite, u përgjigj mjerueshëm: “Po mirë shoku Enver, partia ime më arreston”.
Partia e Punës, në 47 vite pushtet, ndryshoi dy sekretarë të parë, tre kryeministra, tre kryetarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor (kryetar shteti), por asnjëri prej tyre nuk ishte vlonjat. Shkaku thuhej si nën zë, domethënë se Vlora vërtet i ka dhënë shumë Partisë, por ja që Vlora bëri dhe atë dreq fraksioni në 1943.
Damkosja
e tretë e Vlorës nga e majta u bë në 1997. Në 1997, të dy partitë e mëdha, PD
dhe PS përdorën banda të armatosura. Në përgjithësi, në të gjithë vendin dhe
sidomos në Jug, ku u zhvilluan ngjarjet kryesore në atë kohë, politikanët e të
dy partive të mëdha i udhëzonin kryetarët e bandave që të mos josheshin nga
kamerat e televizioneve të huaja dhe të jepnin intervista për gazetarët e huaj,
se do të bëheshin të njohur botërisht e pastaj, kur të kishte mbaruar loja e
luftës, ndërkombëtarët do të kërkonin arrestimin e tyre. Vetëm në Vlorë PS bëri
një lojë djallëzore. Jo vetëm që nuk i udhëzoi kështu krerët e bandave që përdori
në luftë, por u krijonte sa më shumë mundësi kontakti me gazetarët e huaj dhe
bënte gjithçka që të ishin në fokusin e kamerave të televizioneve të huaja. Në
atë kohë gazetarët e huaj të televizioneve dhe të gazetave të mëdha perëndimore
që vinin në Vlorë, shoqëroheshin nga njerëz të përzgjedhur me kujdes nga Partia
Socialiste, se tendenca e televizioneve dhe gazetave që i kishin dërguar këta
njerëz ishte që të mbështesnin PS-në. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi tashmë. Ajo
që ka rëndësi është se kështu ndodhi që emblem e ngjarjeve të 1997-ës u bë Zan
Çaushi, i cili çuditërisht na
Tani që e majta u rikthye në pushtet në 2013, përsëri Vlora pati një peshë të madhe. Kryetari i PS, Edi Rama kandidoi si deputet në Qarkun e Vlorës, duke e vënë emrin i pari ne listen e kandidateve te PS-se per kete qark. Ai madje e shpalli veten “vlonjat” nga nëna, ndonëse nënën e ka me origjinë nga Vunoi i Himarës dhe kjo e fundit e ka parë veten gjithmonë si një krahinë të veçuar nga Vlora, edhe për shkak të gjeografisë. Vlora mori shumë falenderime nga lidershipi i PS për fitoren e 23 qershorit të vitit të kaluar, por asnjë ministër në Qeverinë “Rama” nuk është vlonjat. Kjo paralajmëroi se do të bëhej damkosja e katërt e Vlorës nga e majta. Dhe kjo gjë më duket se u bë me të ashtuquajturën Bandë të Vlorës, që u kap këto ditë dhe që paska tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe Ballkanin me shpërthime. Nuk dua që të paragjykoj punën e Policisë së Shtetit në këtë rast, por meqënëse iu vu etiketa e radhës Vlorës, duhet një hetim shumë bindës për të treguar se kush qëndron pas kësaj historie. Të mos ndodhë si me Zan Çaushin që vazhdimisht thotë nga burgu se dëshiron të flasë se për llogari të kujt i ka bërë ato që ka bërë, por askush nuk i jep mundësi që ta bëjë këtë gjë institucionalisht. Ndryshe më lind e drejta të them se ky nuk ishte gjë tjetër veçse “friendly fire” i PS kundër Vlorës, ose i katërti atentat kundër Vlorës në historinë e së majtës.