| E merkure, 29.01.2014, 08:00 PM |
ÇKA SHKROVA MË 2005, PËR VRASJEN E
TË RINJVE SERBË NË KAFITERINË “PANDA” NË PEJË ?!
Nga: Ryzhdi Baloku
Këto ditë u aktualizua ngjarja e pesëmbëdhjetë viteve më parë, për vrasjen e të rinjve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë.
Fillimisht, aktualizimin e këtij rasti e bëri zëvendës kryeministri i Serbisë Aleksdandar Vuçiç me deklaratën e tij dhënë medieve, se qytetarët serbë do të përballen me shumë gjëra të tmerrshme, duke dhënë shembullin e vrasjes së të rinjve serbë në kafiterinë “Panda” në Pejë, në vitin 1998.
Ky deklarim i zëvendës kryeministrit të Serbisë la të nënkuptohet, se për qëllime të caktuara të asaj kohe, këta të rinj ishin vrarë nga shteti i tyre.
Në librin tim: “Udhëtim nëpër vitet dramatike shqiptare”, të cilin e përfundova së shkruari më 2005, ndërsa e botova në vitin 2007, mes shumë ngjarjeve shkrova edhe për këtë rast, me titull dhe përmbajtje si vijon:
Kuzhina sekrete e nacional shovinistëve serbë, planifikon vrasjen e disa të rinjve serbo-malazezë
Një vit më parë kishte filluar lufta sporadike në territorin e Kosovës, në mes të forcave militare serbe dhe UÇK-së. Marrëdhëniet në mes të popullatës serbe e shqiptare ende nuk ishin acaruar në nivelin që e dëshironte politika serbe e kohës, mirëpo pas atij viti lufte dhe pas peripecive nëpër të cilat kishte kaluar pjesa dërmuese e popullatës shqiptare, tensionimi i gjendjes thellohej edhe më shumë. Serbët dukej se ishin marrosur tërësisht.
Për ta arritur kulmin e acarimit ndëretnik, në dimrin e vitit 1998, maja e piramidës serbe përgatit skenarin e hakërrimit kundër shqiptarëve.
Në Pejë, disa të rinj serbë e malazezë vazhdimisht shoqëroheshin mes veti duke u grumbulluar në një kafiteri me emrin ”Panda” që ishte afër Gjimnazit. Në atë shkollë mësimet i vijonin vetëm nxënësit e nacionalitetit serb, malazez e boshnjak, derisa nxënësve shqiptarë iu ishte privuar kjo e drejtë dhe mësimet i mbanin nëpër shtëpi private nën përndjekjen policore, meqë pushtuesi iu kishte ndaluar shkollimin.
Një pjesë e këtyre të rinjve ishin nga ato familje serbe e malazeze që nuk tregonin interesim të madh për përkrahjen e politikës kriminele aktuale të kohës që ndiqej kundër shqiptarëve, por rinin indiferentë ndaj saj.
Në qytetin e Pejës, familja e Dragi Stanojeviqit, e cila ka bashkëjetuar në fqinjësi e qetësi me shqiptarët, njihej si familje e kulturuar dhe e urtë e cila nuk inkriminohej në politikën aktuale të kohës që ndiqej nga politika e partisë socialiste të Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin. Sikurse kjo, të pa interesuar për këtë politikë ishin edhe ca familje tjera serbe, që si banorë të vjetër të këtij qyteti kanë bashkëjetuar në fqinjësi me shqiptarët që nga koha e Perandorisë Osmane, e që turqit i kanë quajtur ”raja”, ndërsa pejanët i quanin ”simitçi”.
Edhe pse nuk ishte shpallur orë policore, shqiptarët atë kohë e konsideronin si të tillë, meqë numri i policëve serbë e malazezë ishte shumëfishuar. Ata silleshin keq rrugëve kur ndesheshin në shqiptarë, e posaçërisht në djem apo vajza të reja.
Për t’i prishur marrëdhëniet ndërnacionale në mes të etniteteve të këtij qyteti si dhe që të krijojnë çrregullime të përmasave të gjera, e me qëllim të krijimit të një uniteti nacional serbo-malazez, kuzhina sekrete e nacional shovinistëve serbë planifikon vrasjen e disa të rinjve serbë e malazezë të familjeve të caktuara të kësaj ane, në mënyrë që ta nxisë revoltën ndër popullatën e vet, e që për këtë t’i fajësojë shqiptarët dhe të hakmerren ndaj tyre.
Pasi ishte përgatitur e gatuar mirë plani i këtyre acarimeve ndëretnike, në rrethana misterioze nga njerëz të maskuar me 14 dhjetor të vitit 1998 vriten disa të rinj të këtyre nacionaliteteve, nga të cilët katër nga ta vdesin menjëherë, tre lëndohen rëndë, dy prej tyre në ndërkohë vdesin, derisa dy të tjerë plagosen lehtë pa ndonjë rrezik jete.
Pas
vrasjes së këtyre të rinjve serbë e malazezë, makineria propaganduese serbe u
aktivizua menjëherë, me një fuqi e shpejtësi marramendëse duke i fajësuar të
gjithë shqiptarët për vrasjen e tyre, meqë sipas tyre shqiptarët janë të ligë,
prandaj edhe duhet vrarë e dëbuar nga Kosova.
Ceremonia mortore për varrimin e tyre bëhet me një pompozitet propagandues antishqiptar, me të cilin rast kufomat e tyre qëndronin të ekspozuara në një vend të improvizuar në bulevardin e qytetit, e që nën këtë pretekst me këtë rast mbahet një miting ndërsyes kundër shqiptarëve.
I shihja shpesh ”mitingashët”, ndër ta dy analfabetë që më herët kisha punuar me ta në KBI të Pejës, të cilët nuk çonin peshë as në familje të veta, ata ishin Radovani e Bagashi. Mendoja me vete, ja në çfarë niveli kanë rënë serbët e malazezët, të mbështeten tek dy budallenj që nuk janë të zotët as për çobanë derrash. E dija se të tillët herë do kur, popullin e vet do ta shpijnë në humnerë. Ata do ta kuptojnë këtë kur të vijë dita, por atëherë do të jetë vonë.
Nuk befasohesha për masën e gjerë serbe e malazeze që ishte verbuar nga nacional-shovinizmi, sepse aty kishte ndikim edhe patrikana serbe e Pejës, në të cilin objekt fetar ekstremistët serbë e malazezë e patën dhënë betimin për të gjitha të këqijat që do të ndodhin, por çuditesha në intelektualët e tyre që shkonin pas budallenjve që nuk çmoheshin as nga bashkëshortet e veta.
Prej familjarëve që kishin pësuar në atë vrasje misterioze të të rinjve, i vetmi me kufomën e të birit, Stanojeviqi nuk lejoi të manipulohej, prandaj edhe ceremonitë mortore ia bëri ndaras nga të tjerët.
Shqiptarët nga kolektivi punues ku punonte Dragi Stanojeviqi, kërkuan nga ai që t’i shprehin ngushëllime me rastin e vrasjes së të birit. Dragi i pranoi ata, sepse ishte mendjehollë dhe e dinte se shqiptarët nuk ia kishin vrarë të birin, por këta të rinj i kishte sakrifikuar politika aktuale serbe që ndiqej ato ditë në Kosovë.
Nuk shkoi gjatë dhe hakërrimi mori përmasa të gjera. Vazhdimisht shtoheshin vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm, në rrethana misterioze. Dihej se i vriste organizata kriminele famëkeqe ”cërna ruka” që përkthyer në shqip do të thotë ”dora e zezë”, që ishte kopje e së kaluarës.
Në rrethana misterioze u vra i riu Emin Basha. Po ashtu në janar të vitit 1999 u vra edhe mjeku Xhevat Gashi që punonte në urgjencë të qytetit, kufoma e të cilit u gjet në Prekallë.
Hakmarrja serbe kundër shqiptarëve kishte marrë përmasa të një çmendurie kolektive.