| E marte, 28.01.2014, 07:53 PM |
PËRROI
QAZIM SHEHU
Ç`të fshehta i rrëmbeve zemrës së tokës
Në sipërfaqe kur i nxore,
Enigma që kurrë nuk u lodhën të mbetura të tilla,
Dalë nga kapilarët e kaftë të tokës në brendësi.
Pastaj i përplase mbi gurë duke shfryrë me duf,
Enigmat kurrë nuk u zbërthyen,
Edhe pse u thërmuan në pluhurnajën e ujit të murrmë,
Edhe pse degët e shelgjeve zgjateshin për të folur.
Ç`të fshehta i rrëmbeve zemrës së tokës,
Kur kapërceve gurë, shpella, guva, pragje.
kot pres përgjigje nga ti, o i palodhur,
kur s`kuptoj si loti zbërthen dhimbjen e njerëzve
e shket nëpër faqe…
PEZMATIM
Sonte u pezmatua gruaja për ca vargje
Hedhur kot në një fletore,
Tymosnin ato një trill të largët,
Merrnin me të mirë një zemër dashurore.
Jo çdo poezi që dashurinë ngadhënjen, tregon se kemi rënë në dashuri.
Dhe kaq i fshehtë ti të jeshë.I pabesë, thëngjill i mbuluar.
Uh, më mirë të afrohej një re, të më merrte larg për të më çuar.
Dhe të tretesha bashkë me poezinë.
Sesa kot të orvatesha për të mbrojtur dashurinë….
LAKURIQ
Lakuriq është kjo botë, kot mundohen ta mbulojnë,
Me lecka e mëndafsh me manikyr të lustrojnë.
Vjen një çast dhe i zhvesh të gjitha para fatit sarhosh,
E vërteta edhe pse është më e hidhura drejt lakuriqësisë josh…
MËRGIMTARË
Kur ikni ju nga aeroporti,era qan , ndarja ngrin lotin.
Ju ikni e ikni fluturim.Në dhera të tjera, në të pasosurin mërgim.
Dhe vjen një ditë kur ktheni kokën, vendin tuaj quani
Më të madh se botën.
Çfarë ka ngjarë, mërgimtarë ,të shpërndarë grupe grupe në planet
Vendlindja mbetet një sekret që vret dhe të lë të qetë,
Njeriu zemrën në dorë s`e ka vetë….