| E marte, 28.01.2014, 08:32 PM |
POEZIA FUNKSIONALE
Kritikë
NGA NEBI DRAGOTI
Nuk është letërsi ajo që mbetet e vakët dhe celebrale me një tamatikë jashtë integritetit politiko-social kohor, që nuk ecën me hapat e problematikave, e ëndrrave, e objektivave, ku synon të arrijë mbarë shoqëria e shëndosh.Këtë ide nuk mund ta rrëzojë asnjë kritik qoftë edhe i sëmurë me sensin e keq të kritizerit, apo qoftë edhe një butaforik i krisur në fushën e artit, që rreket pas poezisë mediokre dhe fluide.Poezia funksionale është pararoja, që mishëron në organizmin e vet motive shumë të fuqishme e të shëndosha që ka qëllimin në vetëvete që ta frymëzojë, që ta ngacmojë, ta shtyjë shoqërinë për të arritur në progresiven më të mundshme si vlerë pozitive.Poezia funksionale mori udhë e u thellua me motivet e rilindësve për Rilindje, motive të cilat rroknin në sensin politiko-juridik çështje kombëtare.Poezia moderne shqipe e ka zanafillën e vet me krijimtarinë migjeniane, krijimtari që tronditi psiqikën e shqiptarit dhe zgjoi ndërgjejgen e kombit:”ndër lufta të reja kemi m’u ndeshë/dhe për fitore kemi me ra fli”.Uni poetik i Migjenit me përmasa sublime prej krijuesi të vërtetë elektrizoi atmosferën njerëzore mjerane të kohës, i çorri maskën obskurantiste politikës së atëhershme që :”Ndër lahuta tona të këndohet jeta e Re…”.Patosi patriotik për bashkimin e popullit, atdhedashuria, kushtrimi për çlirimin e vendit, u bë moto edhe e këngëve partizane e popullore në mbarë Shqipërinë.Dashuria për gjuhën shqipe, përpjekjet për hapjen e shkollave u bënë me penë dhe me gjak.Rrezatime të forta mori edhe krijimtaria në funksion të idesë për lirinë e vendit.Këtë pishtar ideje e mbajtën të ndezur Naim, Çajup e Mjedë, Nol, Fishtë e Poradec.Cilido lexues, kur ka përpara krijimtari të tillë, përjeton në mënyrë spontane emocione dhe edukim ideo-estetik.Kështu, në këtë fokus, edhe vargu filozofik nolian nuk të të shqitet nga mendja për tërë jetën, kur heroi jep lajmin për fitoren dhe pastaj vdes:”E fituam!”brohorite/dhe për tokë u përpëlite;/vdiq, or vdiq!/Vdiqe, or Maratonomak.”Ky intensitet ideor i poezisë funksionale vazhdon me poetët më të mirë të vendit:Agoll, Kadare, Arap.Tek Agolli shikohet, se produkti i tij letrar ushqehet me rrënjët në tokën shqiptare, ku çliron ngrohtësi duke joshur së tepërmi mbarë lexuesin.Tek Kadare shikohet kultivimi i poezisë me tone të sensit patriotik dhe epik për t’i treguar botës identitetin paqësor dhe madhështinë e Shqipërisë dhe shqiptarit.Tek Arapi shfaqet poezia me diapazon të madh meditativo-lirik, me konstruktin e vargut dinamik e melodik duke pasur në fokus edhe kulme historike me personazhe herojë real.Pra, ky realitet, kur futet në gjeneratorët e proçesit krijues të poetit, që e di mirë se ç’është poezia e përse shkruhet ajo, prodhon tamam dritë në kuptimin metaforik e simbolik, ashtu siç prodhojnë dritë hidrocentralet e termocentralet në shërbim të shoqërisë.E, nuk duhet parë me syrin e semplistit dhe nuk duhet ngushtuar këndi i krijimtrisë funksionale, në përqëndrimin tim sa sipër, sepse ky kënd është kënd i shtrirë dhe poeti artist rrok e trajton në mënyrë sa më artistike motive shoqërore , që reflektojnë vlera pozitive, duke i shtuar optimizëm dhe forcë, pse jo edhe edukim njeriut.Po t’i hedhësh një vështrim të përgjithshëm poezisë që botohet gjithandej, shikon me syrin kritik, se ajo ka ngecur në moçalin e rutinës dhe hallakatet gjithandej me një tematikë të panevojshme sentimentale dhe , thjesht, vetiake ku, për fat të keq, edhe kjo tematikë nuk gjenë as ngritjen artistike, element ky i domosdoshëm për të thurur poezinë.Kështu hasim në një poezi libreske, në një poezi të nivelit të ulët folklorik.Shpesh kam nisur të lexoj poezi dhe nuk e kam çuar deri në fund..Kjo(pse?)kuptohet.E, megjithë këtë dobësi, domosdoshmërisht, ky kapërcyll duhet kaluar.Poezia shqipe ka zëra të fuqishëm si Ndoc Gjetja , Agim Spahiu, Xhevahir Spahiu, Musa Vyshka e Koçi Petriti, Flutura Açka e Sherif Bali e shumë e shumë të tjerë që jetojnë brenda kufijëve të Atdheut.Është interesante krijimtaria e atyre që jetojnë jashtë kufijëve si në Angli, ShBA e vende të tjera.Nuk mund të rri pa përmendur poezinë e Hyda Ismailit, të Nexhip Ejupit që trajtojnë një tematikë të thekshme, tepër funksionale edhe në sensin politik e patriotik.Krijimtaria e tyre pasqyrohet në mediat elektronike, sidomos tek “Zemra Shqiptare” që ka një staf korrekt, që respekton forcat krijuese dhe i prezanton ato.Mediat e shkruara në Shqipëri duhet ta gjurmojnë e botojnë këtë krijimtari.Mediat e shkruara këtu, që merren me botimin e letërsisë, ka nga të cilat që nuk kanë staf profesionisti, apo redaktor të kualifikuar.Merren me botime bruto, çfarë t’u vejë në redaksi, vetëm e vetëm t’u rritet numri i atyre që botojnë.Po të shikosh, me gjithë këtë mori firmash, në këto 23 vite pluralizmi, nuk gjen një bum cilësor tematik e artistik që të shfaqet në fushën e letrave dhe të kërkohet e të diskutohet për mirë nga lexuesi.Ka ndër këto firma që nuk kanë kulturën e të shkruarit dhe nuk bëjnë përpjekje për ta arritur atë.Nuk ka seleksionim që të paraqiten përpara lexuuesit krijimet më të bukura, kështuqë edhe të shtohet radha e lexuesve të kësaj gjinie.Mungon konkurenca dhe rendet mbas aferave komerciale që ka në qendër të vëmendjes botuesi.Kam thënë edhe herët e tjera, nëpërmjet shtypit, se kritika si shkencë mungon.Nuk shoh kritikë të spikatur, që ta thotë fjalën me kompetencë dhe të vejë në pah vlerat e vërteta.Mungon kritika që ndihmon.Këtë shkrim desha ta mbyll me poetin bashkëkohor, artistin e vargut me motivet tendencioze në tematikë, me poezi të sensit kritik, me artin derdhur shqeto në shërbim të shoqërisë.Guximi në dhënien e ideve edhe tepër delikate, por shumë esenciale, i jep forcën artit të rrezatojë funksionalisht për vetëkorigjime politike duke sarkazuar edhe personalitete:”Po/si s’doli/të thoshte një shok./Si s’doli të thoshte një mik/Zoti kryeministër/Je lakuriq!”Citoj të plotë edhe krijimin tjetër, sepse edhe më plotëson domethënien e kësaj kritike, ku në qendër është populli ai, që jep vlerën.Poezia “Çmimi”e vulos këtë ide:”Populli s’jep çmim mediokër/as çmim Nobël, /Nuk jep!/Populli jep vetëm/Një çmim/Pavdekësinë.”Ky është poeti Faslli Haliti.Padyshim, poezia funksionale duhet të pasqyrohet doemos në faqet e shtypit të shkruar dhe në mediat vizive, sidomos edhe në tekstet e letërsisë të të gjitha shkollave.Në këtë pikë ka boshllëk të madh dhe qëndrim të pafalshëm .Në ekrane televizorësh duhet të zërë vend në shfaqe konkuruese recitimi, pasi, këtu, efektiviteti i saj nëpërmjet zërit aktorial dhe emocional bëhet direkt dhe arrihet misioni që ka poezia.