Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Ja pse protestoj për Janullatosin

| E diele, 26.01.2014, 08:14 PM |


Ja pse protestoj për Kryepeshkopin grek Janullatos

Nga Keze Kozeta Zylo

Ardhja e kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos "pranë" Diasporës shqiptare amerikane është jo vetëm shumë larg, por nuk mbërrin kurrë pranë saj.  E them këtë se vërtetë Janullatosi nuk është ftuar nga Diaspora shqiptare në Nju Jork që ka popullaritetin më të madh në Amerikë, por nga ana tjetër ai do të jetë fizikisht shume pranë saj, por shumë larg për ta takuar.   Është për të ardhur keq që një universitet shumë i njohur si Fordham në New York të nderojë një prift që vetëm punën e Zotit nuk bën, ndërkohë Prifti në fjalë as që pritet nga studentët shqiptarë që vazhdojnë këtë universitet edhe pse ai nderohet për punën, por studentët shqiptarë po protestojnë për dhënien padrejtësisht të çmimit që do i japin.

Është sa tragjike aq dhe komike nderimi që i bëhet, ngase shërbimi i tij fetar qysh nga viti 1992 në Shqipërinë tonë të dashur, të shumëvuajtur ka qenë vetëm përçarës, për më tepër që u vendos në krye të kishës Ortodokse të cilën Noli ynë i madh e shkëputi njëherë e përgjithmonë kishën ortodokse shqiptare nga Patrikana greke.  Duke parë një vidio amatore në kohën kur ka ardhur në krye të Kishës Ortodokse shqiptare nuk ke se si të mos tronditesh, të ligështohesh kur shqiptarët protestojnë brenda në kishë duke i thënë: Jashtë Anullatosi, Jashtë Anullatosi, dhe më vonë këndojnë: Për Mëmëdhenë, për Mëmëdhenë etj.

Është gjaku shqiptar që ndizet, është amaneti i të parëve, është lufta e Nolit të madh që për herë të parë dha meshën në shqip në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, por si për ironi të fatit kemi nga ana tjetër gjakun e shprishur të disa shqiptarëve, qeveritarëve, kryministrave që i puthin dorën Janullatosit dhe ai ecën triumfator brenda kishës dhe shkel mbi eshtrat dhe gjakun e vëllezërve dhe motrave çame që s'i ka njohur kurrë.  Janullatosi mbron gjeneralin famëkeq Zerva, dhe genocidin e qeverisë greke që kryen karshi çamëve të pafajshëm duke i dëbuar nga trojet, nga shtëpitë e tyre në mënyrën më barbare që ka parë historia.  Në hapjen e shkollave shqipe ranë dëshmorë patritotët e shquar të Kombit Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Pandeli Sotiri etj,  të cilët u helmuan nga Patrikana greke me qëllim që të asimilohej Kombi, të zhdukej gjuha më e vjetër në botë, dhe ne të gjithë të ktheheshim grekër.  Si tepelenase kurre s'dua të harroj masakrat që kanë kryer grekërit karshi fshatrave të Jugut duke përfshirë dhe Mezhgoranin tim në të cilin jane therrur pleq me thikë duke ju marrë shtëpitë e tyre dhe duke i ndjekur me dhunë si muhaxhirë në Luftën e parë botërore, 1914, më dëshmon babai im.

Shqiptarët patriotë duhet të ngrihen në këmbë edhe pse është vonë ngase Prifti duke ndenjur për më shumë se 22 vjet në krye të oxhakut ortodoks ka helmuar një pjesë të mirë të faunës shqiptare dhe për këtë Shqipërisë i duhen mjekë të specializuar për ta pastruar ajrin mbytës nga predikimet mashtruese të një prifti se po i dhimbset shumë Shqipëria.  Ç'paradoks që është!  Ndërsa vëllezërit dhe motrat çame nuk lejohen të kalojnë kufirin grek se konsiderohen armiq të tyre, Greku Janullatos vjen e ulet këmbëkryq në shtëpitë tona shqiptare.  Shumicës së shqiptarëve që shkuan të punojne në Greqi për shkak të qeverisjeve që nuk ju sigurojnë bukën e gojës zgjedhësve të tyre, iu ndërrua emri në ortodoks grek, ndërsa Greku Janullatos jo vetëm që e mban emrin e tij, por dhe pagëzon me emra grek shumë e shumë shqiptarë brenda odave tona shekullore.  Pothuajse të gjitha kishat ortodokse që u ndërtuan apo u restauruan u ndërtuan sipas arkitekturës greke duke dhunuar origjinën arkitektoriale të mjaft kishave ortodokse shqiptare, ndërsa në Greqi jo vetëm që nuk ka një kishe ortodokse shqiptare, por as që bëhet fjalë për një prift shqiptar ortodoks që të predikojë pranë grekërve në Greqi.

Prifti Janullatos nuk është distancuar nga ligji i luftës që është vendosur nga Parlamenti grek me numër 2636 të vitit 1940 dhe ligji me numër 4560 i vitit 1966 për Vorio Epirin, ngase tmerrohen nga pronat me pasuri përrallore që kanë çamët, si dhe pretendimet territoriale që kanë për Shqipërinë.

Me Vorio Epirin më dridhet mishtë kur e shkruaj.  Hej parlamentarë grekë dhe ju kryepeshkopi i Kishës Autoqefale shqiptare, Anastas Janullatos, si dhe ju sahanlëpirësa pro tyre sipas mendimit tuaj fashist dhe të qeverise tuaj i bie që të jem dhe unë

vorioepiriote meqënse jam nga Jugu, Mezhgorani i Tepelenës, shumë afër me Greqinë, dhe zotëria juaj dhe qeveria greke më përfshin dhe mua që qenkam vorioepiriote…

Po ju drejtohem nga zemra e botës, nga New Yorku se unë, gjithë Shqipëria dhe Jugu që e keni aq për “zemër” është i gjithë shqiptar, ndërsa bashkëkombasit tuaj me origjinë greke që jetojnë në Shqipëri i ka respektuar dhe  respekton ndoshta dhe më shumë se vetja ngaqë është tradita jonë e shkëlqyer e mikpritjes.  Ndaj ju kam thënë dhe do të protestoj përsëri për ardhjen tuaj dhe çmimin e lartë që do të japë një universitet amerikan në mënyrë krejtësisht të pamerituar.  Me siguri Fan Noli do të rrotullohet tek varri për ardhjen tuaj si një predikues antishqiptar dhe më duket sikur bashkatdhetarëve ju kujton: Mbahu nëno mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë.

Shqiptarët do të protestojnë, sepse nuk mund ta harrojnë historinë, Fan Nolin themeluesi i Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare me meshën e parë në shqip, më 22 mars 1908 në Boston, në Kishën Shën Gjergji, per të cilin Faik Konitza do të shkruante: “Dita që ai dha meshën e parë shqip është një pikë kthese në historinë e Rilindjes shqiptare".  Dhe Faik Konica vazhdon të jetë aktual, ngase pikë kthese do të ishte dhe sot në se qeveritarët të cilët e quajnë vehten "rilindas" ta fillonin punën në Parlament me nxjerrjen jashtë ligjit që në krye të ortodoksise shqiptare të mos jetë greku Janullatos, por të jetë një shqiptar.  Ardhja e Janullatosit këtu është vetëm fyerje për bashkatdhetarët e mi, është fyerje për të gjitha ata martirë që dhanë jetën për Gjuhën Shqipe, është fyerje për vëllezërit çamë që parardhësit tuaj grekë i masakruan, është fyerje për të gjithë ata prindër emigrantë në Greqi që nuk i lejoni të hapin shkollat shqipe për fëmijët e tyre,  dhe është fyerje për mua si grua shqiptare të hesht dhe të trëmbem nga Kali i Trojës që ulet këmbëkryq në Atdheun tonë të dytë Amerika.

Ja pse protestoj për kryepeshkopin Janullatos!

26 Janar, 2014 - Staten Island, New York