| E hene, 27.01.2014, 07:13 PM |
TIRANË: PËRUROHET REVISTA “PEGASI’ (NR.11-2014)
Nga: Murat Gecaj
Pjesëmarrës në përurim…Nga e majta: K.Zavalani, G.Jovani, M.Dabulla e M.Gecaj
1.
Në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar të kryeqytetit u bë paraqitja e numrit të ri të revistës periodike, për letërsi dhe arte, “Pegasi”. Ajo përgatitet nga një redaksi e emigrantëve shqiptarë, në Athinë.
Ishin të pranishëm shkrimtarë e poetë, punonjës të arsimit e kulturës dhe të tjerë, si nga Tirana e Durrësi. Fjalën e hapjes, për nr. 11 të kësaj reviste, e mbajti Agim Pipa. Drejtori i “Pegasit”, Grigor Jovani, përmbledhurazi, u tregoi të ftuarëve për ato çështje, që janë shënuar në faqen e fundit të kësaj reviste. Aty, ai ka shkruar edhe këto fjalë: “Tashmë, që kapërcyem dekadën e parë të numrave të “Pegasit”, duke hyrë kështu në vitin e tetë të botimit, Redaksia e ndjen dëshirën të falënderojë të gjithë ata miq dhe bashkëpunëtorë, në të katër anët e Globit, që gjatë kësaj kohe nxitën dhe ndihmuan punën tonë, duke na falur “kusuret” e një përpjekjeje, gjithësesi të vështirë, në kushtet po kaq të vështira të emigrimit. Numri i 11-të, që kemi gëzimin t’ua ofrojmë dashamirësve tanë, besojmë se është kurorëzim i gjithë kësaj përvoje, rezumeja e mendimeve të atyre, që dëshirojnë një “Pegas” bashkëkohor, të denjë për qiejt e letërsisë dhe të arteve”.
Në
përgjithësi, rreth këtyre mendimeve u përqendrua edhe kryeredaktori i revistës
“Pegasi”, Miho Gjini-”Mjeshtër i Madh”. Ai tha se ky “kalë fluturues ushqehet
me tagjinë”, që përgatisin autorët krijues, si në Shqipëri e në trojet tjera
amtare, por dhe në diasporën e Europës dhe deri në Amerikë. Prandaj është e
nevojshme që të rritet numri i bashkëpunëtorëve të kualifikuar dhe të
mbështetet sa më shumë prej tyre, duke bërë edhe pajtime vjetore në këtë
revistë, tashmë, të njohur e cilësore, si me shkrimet dhe paraqitjen figurative
të saj.
Në diskutimet vazhduese, që u bënë nga të pranishmit në përurim, si Ndoc Ndreaj, M.Gecaj, Izet Duraku, Agron Bala, Kozeta Zavalani, Rexhep Shahu e Merita Dabulla etj., u mbështet e u përgëzua redaksia e kësaj reviste, për të gjithë numrat e botuar, deri tani. Por, veçanërisht, u theksua bashkëpunimi i pandërprerë, që duhet të vazhdojë në të ardhmen. Sigurisht, kjo gjë do të mundësojë daljen e revistës rregullisht dhe do ta bëjë atë gjithnjë e më cilësore, në përshtatje me kërkesat në rritje të lexuesve të saj.
Kopertina e parë, e numrit të ri të revistës
2.
Nr. 11 i revistës “Pegasi”, e cila ndodhet edhe në libraritë e Tiranës, ka 128 faqe dhe është me letër speciale e ngjyra të bukura. Në hapje ka editorialin e shkruar nga Ndue Lazri (Bolonjë), “Kështjella, që ha libra”(Një problem, që nuk është më vetëm… “i yni”). Duke e shfletuar më tej atë, të bien në sy krijimet e disa autorëve të njohur, si në poezi e në prozë. Ato janë të vendosura në disa rubrika, si “Ditaret”, “Tregime”, “Esse”, “Të kurorëzuarit”, “Letërsi e huaj”, “Kafe me fqnjët”, “Arti & Pushteti”, “Galeria kulturore e Kombit”, “Stafeta në duart e tyre”, “Diaspora”, “Muzikë”, “Arte figurative”, “Eksluzive”, “Teatër”, “Kinematografi”, “Intervista”, “Bashkëkohës & Kundërshtarë”, “Në fokus”, ”Portret” e “Reportazh”.
Një rubrikë tjetër, që tërheq vëmendjen e lexueve të kësaj reviste është ajo me titullin “Ata që ikën”, kushtuar disa figurave të shquara të letërsisë e arteve, që janë ndarë përgjithnjë nga jeta. Kështu, shkruhet për jetën dhe veprimtarinë e Bilal Xaferrit, Minella Borovës, Milianov Kallupit e Jorgo Telos.
…Në mbyllje të këtyre pak radhëve, nga përurimi i numrit të ri të revistës “Pegasi”, gjejmë rastin ta përgazojmë redaksinë për punën e bërë, deri tani dhe shprehim besimin se, në të ardhmen, do të mbështetet më fuqishëm nga bashkëpunëtorët e shumtë të saj dhe, pse jo, nga organet përgjegjëse shtetërore, në Shqipëri.