Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Përgjigje një zyrtari nga Maqedonia

| E diele, 26.01.2014, 07:13 PM |


Përgjigje një zyrtari shqiptar nga Maqedonia

Nga Kastriot Myftaraj

Muhamed Xhezairi, nga Tetova është një anëtar i BDI, partisë shqiptare në Maqedoni, ose siç njihet ndryshe partia e Ali Ahmetit. Z. Xhezairi është 28 vjeç dhe punon në SIOFA (Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit), pranë Qeverisë së Maqedonisë. Në shënimin tim të djeshëm në facebook “Dy mashtrues nga Shkupi në Tiranë”, z. Xhezairi ka bërë këtë koment:

“Për kureshtje ju pyes mbiemri juaj është europian???”

Z. Xhezairi duket se është argëtuar shumë kur e ka bërë këtë koment, se ka vënë tre pikëpyetje në fund të fjalisë. Prandaj ai do të meritonte jo një, por tre përgjigje.

Përgjigjia e parë ka të bëjë me mbiemrin. Mbiemri im natyrisht që nuk është europian, është arabo-turk dhe unë e kam pohuar këtë gjë. Mbiemri im që në turqisht do të thotë diçka si “kryeplak” sot në organizimin administrativ, në Shqipëri është një atavizëm i mbetur nga koha e pushtimit otoman të Shqipërisë. Por mua prindërit e mi më quajtën “Kastriot”, që siç ndoshta mund ta dijë z. Xhezairi nuk është një emër turko-arab. Nëse çdo të huaji i thua emrat tanë, të z. Xhezairi dhe timin, ky i huaj për z. Xhezairi mund të mendojë se është turk, arab, pakistanez, kurse për mua nuk mund të mos mendojë se jam shqiptar, për shkak të emrit tim “Kastriot”. Më ka ndodhur të bisedoj me serbë, grekë dhe sllavo-maqedonë të cilët pretendonin se Skënderbeu ishte serb, grek, sllavo-maqedon. Pasi i kam dëgjuar me vëmendje, ndonëse i njihja paraprakisht argumentet e tyre, iu kam bërë vetëm një pyetje: “Nëse Skënderbeu do të ishte i juaji atëherë përse tek ju nuk ka njerëz me emrin “Kastriot” (ashtu siç ka me emrin “Nemanja” te serbët)? Se emri “Kastriot” gjendet si emër njeriu shumë i përhapur vetëm në Shqipëri!” Ata nuk kanë ditur se çfarë të përgjigjen. Unë e pyes z. Xhezairi se përse nga ana e shqiptarëve të Maqedonisë nuk pëlqehet emri “Kastriot”, si emër që u vihet fëmijëve? Edhe në Kosovë pëlqehet fare pak në fakt. Në Republikën e Shqipërisë, përkundrazi është një nga emrat më të përdorur që ndeshet gjithandej. Ai që nuk do Kastriotin (Skënderbeun), nuk do as flamurin kombëtar. Emri “Kastriot” është i lidhur pazgjidhshmërisht me flamurin kombëtar, aq sa kur thuhen tre fjalë për flamurin, një ndër to do të jetë se ai është flamuri i Skënderbeut. Kjo u vërtetua me rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për flamurin shqiptar, në 2007. Siç dihet, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë me një vendim të sajin në tetor 2007 kufizoi shumë përdorimin e flamurit shqiptar, ndonëse përdorimi i flamurit ishte përcaktuar në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit që supozohet të ketë vlerën e dokumentit kushtetues në Maqedoni. Në kohën kur u shpall vendimi i Gjykatës Kushtetuese në pushtet ishte PDSH e Menduh Thaçit. Në atë kohë BDI e Ali Ahmetit bëri zhurmë të madhe, duke e akuzuar PDSH-në se nuk arriti që ta mbronte Marrëveshjen e Ohrit që u arrit në sajë të luftës së armatosur që bëri UÇK nga e cila doli BDI. Një zhurmë edhe më të madhe bëri BDI në zgjedhjet që u mbajtën rreth një vit më pas në 2008 dhe që e sollën BDI-në në pushtet me Gruevskin. Tash gjashtë vite gjërat kanë mbetur pa ndryshuar dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese është në fuqi, ndonëse dhunon Marrëveshjen e Ohrit.

Meqënëse përdorimi i flamurit ishte garantuar me Marrëveshjen e Ohrit, të arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar, shqiptarët e Maqedonisë, të gjitha partitë e tyre kishin rastin që t’ i jepnin ultimatum qeverisë e parlamentit maqedon që të shkrinte Gjykatën Kushtetuese dhe ta zëvendësonte me një tjetër, ndryshe ata do të çliroheshin nga përgjegjësia për ruajtjen e shtetit të Maqedonisë. Çfarë do të mund t’ u thoshin në këtë rast shqiptarëve të Maqedonisë ndërkombëtarët, të cilët kishin folur vazhdimisht për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit? Por establishmenti shtetëror maqedonas, kur vendosi në prapaskenë ta kufizonte përdorimin e flamurit shqiptar me anë të Gjykatës Kushtetuese, ishte i sigurt se reagimi nga shqiptarët do të ishte i dobët. Se maqedonët e kishin kuptuar se ata të cilët nuk donin Heroin Nacional të cilit i përkiste flamuri, nuk mund ta donin shumë flamurin. Maqedonët e kishin kuptuar mirë se partitë politike shqiptare donin vetëm që të punësonin njerëz në zyrat e shtetit, si z. Xhezairi dhe me kaq qenë të kënaqur krerët e tyre dhe mbështetësit e tyre, se kështu funksiononte tarafi si kohën e artë otomane.

Z. Xhezairi shpall me krenari në facebook pikepamjen e tij religjioze islame. Me këtë m’ u rrit përshtypja që kam pasur se në Maqedoni, ndër shqiptarët që punësohen në zyrat shtetërore zgjidhen të tillë njerëz, muslimanë praktikues, të cilët kanë më tepër përkushtim për religjionin se për simbolet kombëtare shqiptare. Në Maqedoni nuk është e vështirë natyrisht që të gjesh të tillë mes shqiptarëve, por përzgjedhja bëhet mes një grupimi të veçantë, që është duke u krijuar vitet e fundit. Z. Xhezairi është si të thuash prototipi. Z. Xhezairi është një diplomant i UEJL Universiteti i Europës Juglindore në Tetovë, ose “Shtuli”, siç njihet ndryshe me emrin e zyrtarit ndërkombëtar që e inicoi krijimin e tij pas përfundimit të luftës në Maqedoni. Prej diplomantëve të këtij universiteti zgjidhet kryesisht sot elita e re e shqiptarëve të Maqedonisë. UEJL (SEEU) është një qendër e madhe e përpunimit të trurit të gjeneratave të reja, e krijuar për të përshtatur kinse me realitetin gjithashtu të rrejshëm europian që kërkohet t’ i vishet Maqedonisë gjeneratat e reja të shqiptarëve të këtij vendi, me bindje religjioze të thella islame. UEJL merr lëndën e parë të favorshme të njerëzve me vetëdije nacionale të dobësuar nga religjioni islam, dhe e ushqen me ide kozmopolite, antikombëtare në thelb, por të kamufluara si antinacionaliste. Në thelb të këtyre ideve është mohimi i atyre që quhen si mite nacionaliste dhe ku përfshihet edhe identiteti nacional që konsiderohet si i shpikur nga ideologët nacionalistë. Me këtë mendësi po ndërtohet elita e re tek shqiptarët e Maqedonisë dhe z. Xhezairi, një diplomant i UEJL është shembulli i këtij njeriu të ri. Ky njeri i ri shqiptar në Maqedoni është uniform, i prerë në një masë, ashtu si bari në oborrin e “Shtulit”. Kjo është e arritura më e madhe e UEJL, dhe të tillë janë bërë pak a shumë edhe ata uejlas që e ironizojnë “Shtulin”.

Z. Xhezairi është modeli i kësaj qenieje hybride që është uejlasi (shtulmani) islamik. Ai është një fatkeqësi për kombin shqiptar. Z. Xhezairi përdoret si një lloj specieje e rrallë që u ekspozohet të huajve në Zooparkun politik të Maqedonisë, shqiptari mutant (që ka pësuar mutacion), produkt i inxhinieringut politiko-intelektual të ushtruar nga ndërkombëtarët ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Ndërkombëtarët krenohen me njerëz si z. Xhezairi dhe e ekspozojnë atë dhe të ngjashmit e tij në Shkup, Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera perëndimore. Në të vërtetë, SIOFA, ku punon z. Xhezairi, dhe të cilën sot e drejton kushëriri i Ali Ahmetit, Musa Xhaferi, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, ka vdekur si institucion qëkurse doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë i tetorit 2007 për ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar. SIOFA ironikisht nisi të funksionojë dy muaj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, si vazhduese e Sektorit të Implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, që ishte krijuar në 2004 (inicialet apo akronimin e kishte pasur njejte SIOFA). Pasi maqedonët ua kufizuan përdorimin e flamurit shqiptarëve pothuajse deri në limitet ku lejohet përdorimi i flamurit nga ana e romëve, u dhanë si shpërblim ngritjen e “Sektorit” në “Sekretariat”. Emërtimi SIOFA mbeti i pandryshuar. Maqedonët e dinë mirë se fjala “sekretariat” ka një kumbim të veçantë në veshët e shqiptarëve që nga koha e ish-Jugosllavisë. SIOFA, sido që të quhet është një zombie institucion. Por atje njerëz të gjallë, nga shqiptarët e Maqedonisë, si z. Xhezairi marrin benefite të mëdha, me të cilat rrisin fëmijët e tyre, asnjërin prej të cilëve nuk e quajnë “Kastriot”.