| E shtune, 25.01.2014, 05:25 PM |
N’Geg-hysen s’kej Kalasë së Lekës
-5 Cikle poetike (3)-
Nga Zog Hysenaj
Mos më prisni
Ju më prisni mua, unë me ju të jem,
Këngë trimërie së bashku të këndojmë,
Vargje kënge nëpër telat e sharkisë në dyzen,
Bora e shiu, vetëtimat dhe retë t’i dëgjojnë.
Më prisni ju, që unë të jem aty,
Kur fëmijët me bukuri përshëndesin lirinë,
Ju e dini, Unë, s’mund të vi,
Emri Selimaj bashkë me emrin tim rrijnë.
Ju kërkoni që në dasmat e djemve të këndoj,
Se i dua dasmat malsore, por unë s’mund të vi,
Se…vetë tupani, sharkia vetë do të më kujtojë
N’shtatin e nuses, heshtur nipi im rritet e rri.
Ju doni rrëfime për të rënët, që me ju s’janë më,
Më besoni, erë e dritë jam bërë, gëzim fëmijësh ju sjell,
Ua kam dhënë krejt rrëfimet, o njerëz të mirë, në këngë,
I kemi bërë këngë, të ardhmen me të shkuarën ta mbjell.
Unë vij në çdo mbrëmje, ju më doni në ditë verash,
Në cepin e krenarisë së njerëzve të mi, kur ndizen dëllinja,
Jam aty, ku këngë për lirinë këndojnë, këngë vajzash,
Jam udhëtari më besnik i kujtimeve të mija.
Ju betohem në muret e kullës që linda, e në dritën e lirisë!
Jam me ju, ç’bëni e ç’thoni për Selimajt, n’Lumë e n’Lamnicë
Dhe nëse nuk më shihni më, unë Ju, kurrë nuk do t’ju braktis
Sa herë që të flitet për atë vend, ku unë kam lindë dhe rritë.
Izlamit
Kaculiqi, guri thep
Simboli i Izlam Musës,
Në rrënjën e Kaculiqit mjekon
(Lala Izlam, në Gabrraj)
Të çarat e duarve gjakosura,
Në plasat e atij thepi rrjedh
Tambli i tokës së Gegysenit,
Thithë prej majës së Kores,
Nga ashti i asaj toke mbinë
Djelt e atij fshati
Me kreshnikët në Log të Kunorës.
Eeeh,
Sa herë më bie ndërmend
Kaculiqi i lal’s Izlam...
Në rrënjë të një gështenje
Në rrënjë të një gështënje
Babai pati mbjellur një rrënjë hardhie,
Iu lidh trupit të saj e iu mbështuall
Deri sot.
Jeton në krahët e saj
Si amanet i babait tim.
Ajo gështenjë për vjetë mallkon
E përvjetë ther me eshkat e therrëta
Trupin elegant të hardhisë
Me kokën mbi majë të gështënjës,
Më dhemb edhe mua kur e shikoj
Sesi iu ka lidhë stupit të saj
Si dredhë nga rrënja
Deri në degën ma të epërme,
Kur del pranvera dalloj stupin e gështenjës
Plot gjethe rrushi e gështenje
Në vjeshtë
Gështenja e rrush në një stup.
Bash në atë vend
Bash në atë vend, është ai mur,
Është edhe oxhak, aty e gjithmonë
Sikur thithë e nxjerr tym duhani maxharr
Nga hundët e përnxira prej motesh,
Si një llullë gjigande e moçme
Tym të bardhë si fjalë të bardha burrash
Të motit që pati ai truall,
Çdo ditë e më e zdritshme bëhet ajo rrënojë
Kullëgurtë,
Ato shtëllunga tymi që shprushen e lartësohen
Në erën e lirë të qiellit,
Një buzëqeshje këthjellët si loti
Reflektohet nga drita blu e qiellit,
Si një llampë gjigande Hëna përmbi,
Një zë ma dërgojnë ato faqe muri
E po më thotë:
Ngrihuni o bijtë e mi!
Hapuni ju, o sy të mbyllur!
Rrehni o zemra fort,
Kur të lindni, ta mendoni mirë
E mirë ta matni,
I vetmi
si i vërtetë,
Që shpatullat e shpatit Selimaj perkëdhelë
Me duartë e tij të buta,
Darkave ma afron hijen deri në oborrin
E kësaj kulle
Kaq sahat ditë ke, -më thotë.
Edhe shtatin m’ia prenë motet e kohët
Odën e burrave, e nja dy oda gjumi
dhe dy frengjiat m’ia hoqën,
U përpoqen ta heqin krejtë prej aty
Ma shkurtuan:
Vetëm një kat m’ia lanë
Sa për ta parë kullëgurtën time
E kujtuar ata burra të atij trungu shpie
Shumëshekullor ,
Sa ta shoh veten aty, ulur në rrasë të manit
E ta di se jam i atij trualli edhe unë
Se më e lartësuar e më shpatullgjerë
Kulla e Hysen-makajve.
-Per ZSh-në, nga Tirana, Janar 2014-