| E shtune, 25.01.2014, 05:34 PM |
Skënder Zogaj
( Poezi )
UNË JAM DËSHMITARI
(Letër presidentit Ibrahim Rugova, Tiranë, 29.06.1994)
Mes zogjve dhe korbave
unë jam dëshmitari,...
o Pjetër Bogdani -
me sytë e mi e pashë
kur piku fiku që e mori i ligu
dhe iku...
Unë jam dëshmitari.
Zvarranikët kanë ngjeshur shpatat
dhëmbin e ujkut e kanë vath në vesh,
në qafë thonjtë e maces.
Gjithë lakejt e vilajetit
janë veshur me sharkun e gjarprit
i kanë edhe maskat e pallatit të mbretit,
o Zot, kur të dalin në skenë -
ç'dramë e tmerrshme e sprovës
do të luhet në trupin e Kosovës.
2.
Qëllomëni, o rrufe të akullta,
të ngrihem,
trupin në grimca
erërat të ma përhapin
anëve të botës.
Nuk rri cjap
me thikë në qafë
midis lajkatarëve e horrave.
Unë jam dëshmitari
i mprehjes së thikave të helmta
nga
Tirana te
Hapi sytë, o Pjetër Bogdani,
Vallja e Hiles
po të luhet prapa shpinës!
3.
Ujkut Thinak i kulluan sytë gjak
për Kalin e Kuq,
që bëri puç por i shkoi mundi huq.
Symiu, Macja, Krraba dhe Kërriçi
po të sillen si pordha nëpër tirqi,
(i hëngërt dreqi)
sikletin për atdheun fatkeq
e zbusin me fiq, raki e me përpeq.
Unë jam dëshmitari
Protestoj, akuzoj,
kurrë nuk pranoj
lojë me gjakun e dallëndysheve.
Drita e madhe në ballin e Lakuriqëve
është e shpifur, o Mesi -
kullon zhgjyr Duarsh të Ndyta -
i mjeri u’për ty!
Nga vellimi poetik "Ora e qoftelargut", 1978)