Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Murat Gecaj: Miq të shumtë për Prof. Shefik Osmanin

| E marte, 21.01.2014, 05:57 PM |


KOLEGË E MIQ TË SHUMTË, PËR PROF. SHEFIK OSMANIN...

(Kujtime dhe mbresa të pashlyera, në një libër)

Nga:  Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

 

Urti Osmani, “Mësuese e Popullit” dhe M.Gecaj (Tiranë, 2013)

1.

Urti Osmani,”Mësuese e Popullit”, kaloi një jetë të tërë, bashkë me prof. Shefik Osmanin (Shkodër, 20 maj 1923-Tiranë, 21 korrik 2013), me didaktin, pedagogun, studiuesin, publicistin dhe botuesin e njohur, në fushën e arsimit tonë kombëtar. Por shpesh jeta është e pamëshirshme, pra ajo të godet me ashpërsinë e saj, duke të ndarë përgjithnjë nga njerëzit e tu të shtrenjtë. Kështu ndodhi edhe afër një vit më parë, kur bashkëshorti i dashur dhe i respektuar i Urtisë u nda përgjithnjë nga jeta. Duke mbetur aktivisht me kujtimin e tij, ajo ia nisi punës së përkushtuar për ta përjetësuar më tej atë, me librat e  saj. Kështu, shkroi e publikoi librin e bukur, emocionues dhe mbresëlënës, me kujtimet e saj, kushtuar prof. Shefikut, i cili dhe është i rrallë në llojin e vet (“Përjetë me Shefikun”, Tiranë, 2013).

Pas një Konference të veçantë, që u organizua në Akademinë e Shkencave (Tiranë, 4 mars 2013), në nderim të jetës dhe veprës së çmuar të prof.Shefik Osmanit-“Mësues i merituar” dhe laureat i “Çmimit të Republikës”, përsëri Urtia e vazhdoi punën e saj. Me një kujdes të veçantë,  ajo i bashkoi temat e mbajtura në atë Konferencë, por dhe shkrime e kujtime të ndyshme, që kanë shkruar e botuar për të, kolegë, miq e dashamirë dhe ish-nxënës të tij. Numri i tyre ishte i madh, pasi të tilla shkrime janë publikuar jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë e trojet tjera shqiptare e në diasporë.

Kështu, më në fund, pas një pune të pasionuar dhe këmbëngulëse  të Urti Osmanit, u arrit që të përgatitej dhe të dërgohej në shtyp libri i dytë prej saj, kushtuar bashkëshortit e bashkëpunëtorit të ngushtë. Kur bisedon me atë tani, ajo tregon se është në përfundim edhe të një libri të tretë, ku do të përfshihen disa shkrime  të publikuara nga vetë prof. Shefik Osmani.

2.

Para pak ditësh, Urtia më mori në telefon e ma dha lajmin e gëzuar, se doli nga shtypi libri i ri, “Vlerësime për prof.dr.Shefik Osmanin” (Tiranë, 2014). Sigurisht, e urova dhe e përgëzova atë dhe shpreha kanaqësinë time për këtë botim, ku janë dhe dy shkrime modestë, nga unë.

Librin në fjalë e kam tani ndër duar dhe vërej se është shtypur në SHB “Filara”, Tiranë. Mbledhja e shkrimeve dhe përgatitja për botiom u bë nga Urti Osmani,”Mësuese e Popullit”. Ndërsa recensentë janë prof.dr. Tomor Osmani-“Mjeshtër i Madh” e Ma. Fatmiroshe Xhemalaj (Shehu).

Libri është me 384 faqe dhe bashkautorë në të janë afër 70 veta: akademikë, profesorë e doktorë të shkencave, personalitete të njohura të arsimit, kulturës e shkencës shqiptare, ish-nxënës të prof. Sh.Osmanit etj. Ai është i ndarë në 6 kapituj dhe shoqërohet me bibliografinë përkatëse. Kapitujt janë: “Shkrime dhe kujtime për Shefik Osmanin”, “Vlerësime për Fjalorin e Pedagogjisë”, “Përgëzime”, “Shkrime për monografitë”, “Mesazhe dhe përkujtime” dhe “Kumtesat e mbajtura në Konferencën Shkencore, kushtuar prof.dr. Shefik Osmanit dhe shkrime të tjera”.

Në mbyllje të  këtij libri, Urtia ka bërë shënimin e shkurtër e domethënës, “Nuk do t’ ju përsëris”. Ndër të tjera, aty shkruan: “Dëshiroj që ky libër të mbyllet me këtë shkrim timin, si një kujtim modest nga unë, bashkëshortja e Shefikut dhe të vendoset afër atyre miqve, kolegëve dhe ish-nxënësve të tij, të cilët me sinqeritet e vërtetësi kanë venë në dukje cilësitë, krijimtarinë dhe veprimtarinë e çmuar të tij”.

Më lart, shënuam se janë mjaft autorë shkrimesh në këtë libër dhe nga shtete të ndryshme, sa është e pamundur t’i përmendësh emrat e tyre. Por të gjithë ata i bashkon një mendim e një arsyetim, se prof.dr. Shefik Osmani, gjatë jetës e punës së tij të palodhur, profesionale e krijuese, la gjurmë të pashlyera në pedagogjinë, kulturën dhe shkencën shqiptare bashkëkohore. Si i tillë, ai do të mbetet shembull i vullnetit për kërkime, studime e botime shumëplanëshe, sidomos në fushën e arsimit kombëtar shqiptar. Këto e të tjera vlerësime të merituara, kanë bërë me shkrimet e tyre të gjithë bashkautorët e këtij libri të ri. Por dëshiroj të përmend këtu vetëm pak fjalë, që për prof.Sh.Osmanin ka shkruar prof. Kolë Tahiri, pedagog e psikolog dhe hartues tekstesh shkollorë, tani me banim familjarisht në Bruksel të Belgjikës: “…më pëlqen ta quaj “gurkilometrik” në fushën e arsimit dhe shkollës shqipe kombëtare”.

Së fundi, e përgëzojmë mësuesen dhe metodisten e njohur Urti Osmani, si dhe botuese të mjaft librave të dobishëm arsimorë, për punën e lavdërueshme, që ka bërë në përgatitjen e këtij libri tjetër. Po kështu, falënderime e mirënjohje kanë edhe të gjithë autorët e shkrimeve, në të cilët i kanë shprehur aq bukur mendimet dhe mbresat e tyre, nga njohjet dhe puna e veprimtaritë e përbashkëta me prof.dr. Shefik Osmanin, të cilit i kushtohet tërë ky libër i ri shumëfaqesh dhe me shkrime interesante.

Me siguri, libri në fjalë do të zerë një vend të merituar në bibliotekat tona të kategorive të ndryshme dhe do t’u shërbejë mësuesve e nxënësve, pedagogëve e studentëve, por dhe prindërve, për të kuptuar e vlerësuar edhe përkushtimin e gjithanshëm e të përhershëm, deri në fundin e jetës së prof. Shefik Osmanit, mbushur me ndjenja të larta atdhetare e profesionale.

Tiranë, 15 janar 2014