| E diele, 19.01.2014, 06:16 PM |
POEZI TË
ZGJEDHURA
NGA VULLNET MATO
PJATA E VOGËL...
S’isha më pak i shkathët
nga moshat e tjera,
që u vërsulën
pas parave dhe pasurisë.
Nuk isha as pendë zogu
të ngrihesha nga era,
por një copë çeliku kalitur
qysh prej fëmijërisë.
Sistemi startoi me dyndje
egërsirash për fitim,
duke ndezur lakminë
gjer në kacafytjet e gjakut.
Vazhdon me sakrifica
deri në vetëmohim,
madje duke shuar diku
edhe frymët e pragut.
Se ndershmëria është një
Everest që kërkon ngjitje alpine
dhe ecje në telat e ligjit,
si akrobat ekuilibrist.
Kush i bën të dyja,
pa rënë në turp dhe krime,
ta gëzojë bollëkun
dhe ta trashëgojë familjarisht.
Ndryshe vërsulja te kapitali,
vërtet nuk ndalet gjithsesi,
por zhvatja ka fund plumbin,
a prangat duarlidhur.
Unë, ose isha budalla,
lindur vetëm për varfëri,
ose nga jeta e përkohshme,
zgjodha ikjen e njeriut të ditur...
Pa i shkuar mendja kujt
se ka pjesë brenda gjakut tim,
pa u rrokullisur e njollosur
në përgojimet e miletit.
Për të fjetur në shtrat reje,
pa kokëçarje gjer në agim,
duke ngrënë pjatën e vogël,
me shijen e gjellës së mbretit...
NËSE TI JE PESHKATARE...
(Nga pozicioni i një djaloshi)
Mos qëllo me harqet,
që ke në çdo vetull,
se zemra s’po më gjen
strehim as nën sqetull!...
Oh, me bisht të syrit,
mos më fshikullo aq fort,
se shpirti atë kamxhik,
nuk ma duron dot!...
Mos më shti nga buzët
krismat ngazëllime,
se më ndizet gjaku,
me zjarr vetëtime!...
Mos më gjuaj me gjinj,
doreza boksi, në kokë,
se më hallakatet truri
dhe shembem përtokë!...
Mos ma tund ti belin,
si selvia në erë,
se nga marramendja,
do bie si trung i prerë!...
Mos luaj me mua,
si me peshkun në grep!
Po je peshkatare,
shko në një tjetër det!...
NËSE ZEMRA DO MË NDALET...
Shkencëtarët i kanë bërë
të ditur botës,
se paskan arritur
një mrekulli të vërtetë:
Me qeliza injektuar
në embrionin e dosës,
të sjellin gica me zemra
transplanti në jetë.
Kështu trupi njerëzor
bindet të pranojë si mik,
organin e derrit ngjizur
në fetusin e kafshës,
për të pompuar gjak
ndër vena me vërtik,
siç bën limfa e mollës,
shartuar me dardhën.
Kësisoj zemërsëmurët
s’do presin më aq gjatë,
aksidentin për vdekje
të dikujt në rrugë,
zemrën e shëndetshme
t’i marrin dhuratë,
por do ta shtyjnë jetën
me zemër derri në trup...
Pra, mjekët do bëhen
dhe kasapë derrash në salla,
të kenë kuzhinat spitalore
mish të freskët për biftek,
krahas pacientëve furnizuar
me zemra të gjalla,
siç furnizohen makinat
me pjesë ndërrimi në treg.
Por nëse zemra ime ndalet,
pa arritur finalen jetësore,
o Zot i madh, të lutem,
nga kjo botë më merr,
të shkoj ku prehen
zemrat me ndjesi njerëzore,
para se të më zgjatet jeta,
si poet zemërderr!...
MOTRA E ADOPTUAR
Më vdiq motra e vetme
dhe e qava me lot gjaku në zemër.
Por papritmas m’u shfaq
një motër tjetër, krejt rastësore…
Jo, thjesht se për koincidencë,
kish me të ndjerën, të njëjtin emër,
por se duke qenë pa vëlla,
ajo më shpalosi ndjesi vëllazërore.
U njohëm mes elektronesh,
në korridoret ajror të virtualitetit,
dhe vumë re te njëri-tjetri
mallin për të afërmin e munguar,
pamë anasjelltas të çelin
zambakët e bardhë të sinqeritetit,
aq të nevojshëm
për çdo shpirt njerëzor të vëllazëruar.
Motra e adoptuar ndodhet
në largësi të madha prej meje,
por në ndjenja dhe shqetësime
shpesh jemi fare pranë.
Ajo vjen sikur fluturon krahëhapur
përsipër një reje,
Unë diellëroj përmbi rrezet,
të qajë hallet motra me vëllanë.
Kot thuhet se motrën dhe vëllanë
ta bën vetëm nëna,
unë provova se mes shumë njerëzve
që gëlojnë në jetë,
ka edhe vëllezër të pangjizur
nga të njëjtat gra shtatzëna,
por të lindur nga të njëjtit shpirtra
të njerëzve të vërtetë.
Tani gruaja ime flet shpesh
me këtë “kunatë” në telefon,
burri i saj më quan
“vëllanë” e ligjëruar të gruas së vetë.
Vallë cilën dhuratë familjare
më të madhe njeriu kërkon,
kur ndjesitë vëllazërore t’i fal ndjeshëm
edhe dikush tjetër në jetë?...
KUR FALEMI TE KY TEMPULL
Ndodh të ndjehem
sozia i Papës së Romës,
se kam Vatikanin tim
të ngritur mbi kërbishte.
Kur më duket vetja
kryemyftiu i botës,
kam dhe Mekën ku godas
djallin me gurishte.
Sepse predikoj në art
dashurinë e vërtetë
dhe i ftoj të gjallët
të vinë të falen tek unë,
të zbardhin shpirtin
nga mëkatet në jetë,
t’u prijë mbarësia
në shëndet e në punë.
Nuk jam shenjtor,
as magjistar iluzionist,
por dua me fjalë magjike
të bind çdo njeri,
se metaforat e vargjeve
dhe rimat e poezisë,
predikojnë në shpirtra
vetëm paqe e qetësi.
Largojnë nga mendimet
trishtimin dhe hakmarrjet,
që i vijnë trurit si dallgë
të padukshme ligësie,
nga dyndjet e politikave
që përhapin përçarjet,
me megafonët e fuqishëm
të mediave të tyre.
Unë bëj të puthen fort
miqtë dhe mikeshat,
t’i falemi më shpesh
tempullit të shenjtë poetik,
duke mërmëritur në heshtje
vargje nga vjershat,
për të fjetur gjithë natën
si në një shtrat kozmik!...
DIKUR ZEMRA IME
Dikur zemra ime adoleshente
donte të miqësonte zemra,
me banim në vila luksoze,
që të kishin mbi krye,
çati bionde të pjerrëta,
me tjegulla kaçurrela,
dhe oborrin e gjoksit
me dy kupola xhamie.
Por krejt papritmas,
zemra ime zuri mike,
një zemër me banim
në kasolle të largët pylli,
që kishte para oborrit
dy kambanore kishe,
mes ahishtës ku ngjirej
gjithë ditën bilbili...
Dhe kur zemra ime
hyri brenda në atë kasolle,
tingëlluan kambanat
me gjëmime alarmi...
Rendi pylltari nga pylli
me dy zagarë përdore
dhe me sëpatën e madhe
që të bënte namin...
Pylltari i klithi fort
zemrës kambanore:
Ku e gjete, moj e mallkuar,
këtë minare zemër?...
Do ta bëj copa-copa
me sëpatë dhe kosore,
për të ushqyer zagarët
e derrave të egër!...
Zemra ime u tmerrua:
O zot, ku më solli koka,
të bëj mikeshë zemre,
këtë zemër me rrezik!...
Atëherë për të shpëtuar
nga halli, dy zemrat tona,
u shndërruan në zogj
dhe fluturuan me vërtik...
Por u kthyem aty sërish,
se ishim zemra me fije,
të lidhura te këmbët,
pas atij pylli të largët.
Cicëruam nëpër degë
ca këngë të ndjera butësie,
derisa pylltari u zbut
së bashku me zagarët.
Pastaj, i përmalluar,
ai zuri të presë lastarë,
derisa me ato thupra
thuri vetë me duar,
folenë tonë të ngrohtë,
ku cicëroi zogu i parë,
që me ciu-ciu e magjepsi
keqas pylltarin e penduar...
Dikur zemra ime adoleshente,
me aventura pyjesh burrëruar...
TË PRES TË VISH PËRSËRI !
( Improvizuar për të vetmuarin Nako )
Eja e dashur, të pres
të vish nga largësitë e tua!
Se pa ty, s’kam pasur
asnjë stinë ngazëllimi tjetër...
Stina e dëfrimeve verore
ke qenë vetëm ti për mua,
këtë, besoj, e ke kuptuar,
që nga ikja jote e vjetër...
Mos kujto se do bëj ndonjë
orgji të madhe për ty,
ato i kemi harxhuar kur vije
me këmishën e bardhë si krilla,
atëherë kur dielli im lindte
mes gjunjëve të tu në agim,
dhe perëndonte pasi feksnin
dritat e muzgut në shtylla.
Gjatë asaj kohe unë
bëhesha për ty një burim,
ku thithje me shumë etje
nektarin e djalërisë së ëmbël.
Dhe trupi yt i magnetizuar
në tërheqjen me tërbim,
më paralizonte tërësisht,
nga koka deri te këmbët.
Eja, tani s’kam ndërmend
të rikthej kohën e rinisë!
Me dashuri ne kemi çmendur
trupat në çdo shije stili.
Dua vetëm të shoh nurin
që të dha mosha e pjekurisë,
të çmallem me zërin tënd
që ia kalon çdo kënge bilbili.
Eja, mos u druaj aspak,
se do kthehesh sërish,
në folenë, ku gjatë viteve
të fundit je strukur,
me shpirtin të ripërtërirë,
nga çmallja e nostalgjisë,
më e mirë nga ç’ke qenë
dhe më e bukur!...
TË JESH NJERI...
Sot mund të ngjitesh në lartësi
deri te qeveria.
Mund të bëhesh deputet,
kryeministër, president.
Mund të vendosësh në bankë
miliarda nga pasuria.
Mund të jesh bos mbi bosët
në çdo shtet e kontinent.
Femra mund të bëhet këngëtare
me shkëlqim zëri ndër yje,
balerinë, fotomodele revistash
dhe ekranesh në çdo skaj.
Mund të bëhet miss bota
me kurorë vezullimesh mbi krye,
mund të zbulojë një minierë ari
brenda trupit të saj...
Sot mund të jetosh e të shkelësh
nëpër disa kufij shtetesh.
Mund të marrësh çdo titull,
apo emër e mbiemër të ri.
Sot mund të sigurosh disa
diploma universitetesh.
Por është tepër e vështirë
të arrish të bëhesh tamam njeri…