| E diele, 19.01.2014, 07:07 PM |
Dy muaj pa piktorin atdhetar Sabit Hykolli
IMAZHI I FLIJIMIT TË DRITË-HIJEVE TË TEJDUKSHME
Nga Skënder Zogaj
Kam pasur nderin ta njoh nga afër dhe për një kohë të gjatë të bashkëpunojë me Sabit Hykollin, në kohën e në rrethanat më dramatike të historisë së re të Kosovës, prandaj me bindje të plotë e them: Sabit Hykolli ishte, është dhe do të mbetet përgjithmonë, njëra nga figurat më të ndritshme dhe më të çmueshme të Komunës së Fushë Kosovës, personaliteti që hipotekoi vlera të mëdha njerëzore e intelektuale, si krijues i talentuar figurativ, si mësues me kulturë të gjërë e dituri të mrëfillta, si politikan i mençur, i urtë, i zellshëm dhe shumë racional, si veprimtar demokrat i pastër dhe atdhetar i flaktë , si zëdhënës i idealeve liridashëse për clirimin e vendit nga okupatori serb, si pjestarë aktiv dhe në procesin e shtetëformimit të Kosovës, si veteran i themelimit të komunës së parë demokratike shqiptare të Fushë Kosovës, ku, 7 vjet radhazi, ishte figura kyçe udheheqëse, që me sukses të plotë realizoi funksionin e zëvendës kryetarit të komunës.
Sabit Hykolli nuk është më midis nesh, por i përjetshëm është në kujtesën tonë, si një personalitet i veçantë, që pjesën më të mirë të mendjes dhe të zemrës së tij, e ka shkri për të mirën e shoqërisë kosovare, e veçmas për qytetarinë e Fushë Kosovës, së cilës i ka shërby me pasion të plotë deri në ditën e fundit të jetës së tij, të bujshme dhe të pasur biografike.
Sabit Hykolli u lind më 15 maj 1960, në gjiun e familjes së varfër, e cila për shkaqe ekonomike, por edhe nga presioni i UDB-së gjatë aksionin famëkeq të grumbullimit të armëve, në vitin 1957, shpërngulet nga Kishnareka e Drenicës dhe vendoset në Henc të Fushë Kosovës. I ati i Sabitit, Sadiku, punëtor në minierën e Magurës, me shumë vështirësi arrite që ta siguronte ekzistencën familjes, mirëpo, kishte ide përparimtare dhe, shpresën për ditë më të mira e shihte te shkollimi i fëmijëve të tij. Këtë shpresë e mbjell sidomos te Sabiti, që ishte fëmija i tretë, i cili që në hapat e parë shkollor dallohet në mësime. Pas shkollës fillore që e kryen në Henc, Sabit Hykolli në vitin 1979 mbaron gjimnazin në Drenas, për të vazhduar studimet pranë Univesitetit të Kosovës në Prishtinë, në Akademinë e Arteve – drejtimi i pikturës. Studimet i mbaron në vitin 1984, me sukses të shkëlqyeshëm, në klasën e profesor Rexhep Ferrit, i cili talentin e Sabit Hykollit e ka vlerësuar „nga më të rrallët dhe më të mprehtit portretistë të brezit të ri të krijuesve figurativ të Kosovës”. Pas studimeve, më 1987, Hykolli pranohet anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës.
Artisti i ri është në fazën e shpërthimit fuqiplotë krijues me vija e ngjyra, mirëpo, gjendja ekonomike e familjes e detyron që në vend të artit, të kërkojë punë për të siguruar bukën e familjes. Bëhet mësues i vizatimit dhe punon 6 vjet në shk. fill. „Bashkimi” në Milloshevë, pastaj profesor në shkollën e mesme “Nikolla Teslla” në Obiliq, për të kaluar në shk.fillore „Bajram Curri” në Albanë të Madhe dhe nga viti 1994 -1996 përgjegjës në shk.fill. të fshatit Henc.
Është koha kur arsimi shqip po ballafaqohej me vështirësi të jashtëzakonshme që i bëheshin nga okupatori serb. Sabit Hykoli është pishtari që nuk dorëzohet, prandaj i besohen detyrat më të vështira të orgaizimit të pavarur të shkollës shqipe. Këshilli Komunal Arsimor i Fushë Kosovës e emëron Shef të mbikqyrjes profesionale për shkollat fillore dhe të mesme të komunës, të cilën detyrë e ushtron deri kur plas lufta dhe popullata e Fushë Kosovës dëbohet masivisht jasht Kosovës.
Pas luftës, në zgjedhjet e para komunale LDK –ja fiton besimin e popullit dhe Sabit Hykolli, themeluesi dhe anëtari i devotshëm i saj, zgjidhet për dy mandate radhazi nënkryetar i Kuvendit Komunal të Fushë Kosoëvs.
Kosova çlirohet por kushtet dhe rrethanat vazhdojnë të jenë dramatike për popullin e Kosovës, prandaj, Sabit Hykollit sakrifikon talentin e tij, për të qenë sa më i angazhuar në veprimtaritë shoqërore. Vetëm herë pas herë, kur muza krijuese ia ngacmon pjalmin e shpirtit, artisti merr brushën dhe shtrydh ngjyrat nëpër figurat magjike, që në të shumtën e herave i bën për t’ua dhuruar miqve e shokëve të tij.
Portreti është spikama e prirjes së vecantë artistike dhe forma shquese e mjeshtrisë krijuese të piktorit Sabit Hykolli, autor i numrit të madh të veprave, pjesa më e madhe e të cilave janë shkatërruar nga zjarri i luftës. Kanë mbetur vetëm punimet e shpërndara ndër miq e shokë, dhe, pikturat e viteve të fundit të jetës së tij. Në këtë fond logariten diku rreth 70 portrete e skica portretesh, ndër të cilat kryeveprat e tij janë: „Babë Sadiku”, „Bajram Curri”, „Ibrahim Rugova”, „ Uiliam Vokeri”, „Gruaja me shami”, “Shoku im”, “Mësuesi Ibrahim” etj.
Formimi krijues dhe spovat e mirëfillta të Sabitit u përkasin disa fazave dhe formave të pikturimit, që nisin me ilustrimet, skicat artistike, kopertinat e librave, vizatimet e deri te krijimet murale, etj., që pasqyrojnë gamën e frymëzimeve dhe zotësinë artistike të autorit, i cili përmes vijave dhe ngjyrave provokon ndjeshëm tejdukshmërinë e dritë-hijeve. Shprushja e nyancave të dritës përmes shumësisë së detajeve të harmonizuara dhe të sintetizuara mirë në zbërthimin e thellësisë figurative, janë poenta shquese e artit të këtij krijuesi, që flijimin e ka lajtmotiv suprem dhe të përhershëm. Këtë dallgë frymëzimi e gjejmë sidomos të cikli „Kafkat dhe njerezit e vuajtur” ku imazhi i fosileve i referohet flijimit të njerëzve dhe kohës tragjike, e cila është është e plotëkuptimtë si fiksion filozofik i konceptimit të kohës dhe i fatit të personazheve në krijimtarinë e autorit, i cili këtë lloj aventure e bën me ciltëri të theksuar ndjenjore. Nga ky aspekt, arti i Sabit Hykollit është i veçantë dhe kjo vjen në shprehje, sepse autori ka qenë përjetues i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, ku, ky hy me pasion në ankthin e zjarrtë, për të nxjerrë bukuri drite. Në këtë plan nuk ka dyshim se Sabit Hykollit i takon epiteti i krijuesit të mirëfilltë në kuadër të arteve pamore të Kosovës.
Karakteistikë tjetër e theksuar e piktorit është ndjenja e sinqert e drejtperdrejtë, me mesazh konkret, gjykuese e rreptë por maksimalisht e ngrohtë dhe gjihënjë e gjithmonë qëllim-mirë e në funksion të së vërtetës jetësore.
Ky është Sabit Hykolli, si artist dhe si njeri, si veprimtar, patriot demokrat atdhedashës i flaktë, politikan dhe humanist, që do ta kujtojmë me mallëngjim e plot dhembje. Sabit Hykollin e mori vdekja për ta bërë udhëtar të pavdekshëm sepse ka mbjellur shumë lule për zemrat dhe mendjet tona.